Do të punohet në rritjen e vendeve të punës
Komuna e Ferizajt dhe Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) kanë nënshkruar të enjten një memorandum bashkëpunimi, për të cilin u tha se i hap rrugë zhvillimit ekonomik të komunës dhe rritjes së shkallës së punësimit.
Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ka falënderuar AKB dhe bizneset e komunës për mbështetje, duke thënë se sektori privat paraqet shtyllë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka përmendur edhe nevojat e komunës duke u ndalur në veçanti tek aspekti i punësimit.
“Ne nënshkruam një memorandum të bashkëpunimit, ku zotohemi që për shkak të nevojave që ka komuna të angazhohemi që ta zbatojmë bashkërisht me AKB në të mirë të të gjithëve”, ka thënë Xhemajli, siç transmeton Kosovapress.
Kreu i AKB-së, Agim Shahini, ka bërë të ditur se më 10 maj në Ferizaj do të shpaloset një projekt ku do të mund të orientohen punëkërkuesit, projekt ky i cili do të mbështetet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
“Mundësitë për investime në Ferizaj janë shumë më të mira se sa në disa komuna të tjera. Për herë të parë, këtë vit planifikojmë të realizojmë projektin “Berëza e punësimit - Kosova 2011”. Ftojmë të gjitha kompanitë e regjionit të Ferizajt, por edhe punëkryesit që të takohen në një pikë të përbashkët të punësimit përmes trajnimeve dhe edukimeve”, ka thënë ai.
Ndryshe, sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Biznesit, vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë janë punësuar mbi 700 veta. Ndonëse në krahasim me numrin e kërkesave, kjo shifër është e vogël, drejtuesit e AKB-së thonë se po punohet në rritjen e shkallës së punësimit dhe mirëqenies sociale.