E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohen projektet që do të financohen nga KE-ja

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 19:45

Ekspertë të Komisionit Evropian (KE) dhe ata të Komunës së Mitrovicës, kanë prezantuar të enjten projektet që parashihet të realizohen me fondin 14.5 milionësh të KE-së. Në këto projekte bën pjesë Qendra multifunksionale, renovimi i palestrës “Minatori” dhe Qendra e Biznesit.

Arianit Loxha, përfaqësues i ekspertëve që kanë dizajnuar këto projekte, tha se bëhet fjalë për objekte që do të arrijnë rreth 70 mijë metra katrorë sipërfaqe.

Ai sqaroi se për renovimin e “Minatorit” do të ruhet destinimi që ka për aktivitete sportive garuese, por që do të rinovohet në tërësi, duke përfshirë të gjithë detajet.

“Do të jetë një qendër mjaft atraktive dhe që përmbush standardet evropiane”, ka thënë Loxha.

Sa i përket projektit të Qendrës Multifunksionale, ai theksoi se do të jetë një objekt madhështor, ku do të ketë fusha për sporte si karateja, ping-pongu etj, mandej një pishinë dhe shumë kënde të tjera për destinime të ndryshme.

“Qendra Multifunksionale ka një dizajn modern e cila ofron mundësi të mëdha për aktivitetet sportive të fëmijëve dhe të rinjve”, tha ai.

Ai foli edhe për projektin e Qendrës së Biznesit, e cila do të ofrojë hapësira të ndryshme biznesi që korrespondon me rrethanat ekonomike në këtë qytet. Në kuadër të kësaj qendre do të ketë parkingje, lokale afariste, hoteliere etj.

Sipas tij, të gjitha këto objekte do të jenë afër njëra tjetrës dhe mendohet se e plotësojnë njëra-tjetrën.

Lidhur me këto projekte, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar drejtuesit e Komisionit Evropian, që kanë mundësuar nisjen e një investimi kaq të rëndësishëm për Mitrovicën.

“Jemi dëshmitarë të disa prej projekteve më madhështore që do të ndërtohen në Mitrovicë, e të cilat do të krijojnë kushte më të mira për jetë për qytetarët tanë”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, Antonio Garcia Suarez, shef i infrastrukturës në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, tha se këto objekte do të krijojnë hapësira shumë komode dhe të përshtatshme për të rinjtë e këtij qyteti.

“Ky është një investim për të ardhmen e Mitrovicës”, tha mes tjerash ai. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›