Ridley Scott: Robin Hudi im krejt i ndryshëm
Janë mbushur tashmë 33 vjet qëkur regjisori me emrin Ridley Scott shkoi në Festivalin e Kanës dhe në përfundim të tij mori me vete çmimin për filmin më të mirë. Filmi quhej: “The Duelists”. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, ai ka bërë mbi 40 filma, dhjetëra episode filmash televizivë, ka pasur një përvojë shumë interesante dhe fitimprurëse me Hollivudin dhe shumë e shumë përvoja profesionale. Por Kana për të mbetet zanafilla, hapi i parë i fuqishëm drejt suksesit dhe njohjes së përbotshme. “Kana si festival, në fakt, i ngjan më shumë një tregu të madh ku shiten e blihen prodhime kinematografike”, thotë regjisori 72-vjeçar filmi i fundit i të cilit do të hapë këtë vit festivalin e famshëm në jug të Francës. Bëhet fjalë për filmin “Robin Hood”. “Ne bëjmë filma dhe përpiqemi që t’i shesim. Kjo është e gjithë historia e filmave. Po të thosha se është arti i kulluar do të ishte një gjë e pakuptimtë dhe këtë e dinë fort mirë ata që i organizojnë festivalet, por edhe ata që marrin pjesë në ta si unë e kolegët e mi”. Pas filmit “The Duelist” që fitoi çmimin e parë në Festivalin e Kanës amerikanët vendosën që ta shfaqnin edhe në disa kinema të Shteteve të Bashkuara. Mua m’u duk ide e mrekullueshme dhe ishte me të vërtetë e tillë, sepse për herë të parë filmi im u prezantua dhe u bë pjesë e industrisë kinematografike. Që nga ajo herë e parë kam mësuar shumë gjëra në lidhje me atë biznes”. Versioni i fundit i Robin Hudit, në të cilin do të interpretojnë Rasel Krou dhe Kejt Blanshety ka kaluar nëpër disa rishikime drastike dhe është një version ndryshe nga ai i mëparshmi. Sipas traditës, tashmë të vjetër të Hollivudit skenari është riparë dhe rishkruar disa herë rresht derisa është mbërritur në versionin përfundimtar, që sipas disave në fakt është Robin Hudi në versionin e gladiatorit. Sipas regjisorit nuk bëhet fjalë në fakt për një histori të riparë, por për një histori krejtësisht të re, një version të ri. Ky është filmi që do të hapë festivalin e sivjetshëm të Kanës dhe sipas atyre që e kanë para tashmë jo vetëm që e meriton një nder të tillë, por ndoshta Scott do të dalë me një tjetër Palmë të Artë. Robin Hud është një nga personazhet që është interpretuar më shumë në historinë e kinematografisë duke filluar nga Errol Flynn, Sean Connery, Ricard Greene e Kevin Kostner. Por Robini i fundit është nxjerrë tërësisht nga ylli i Servudit dhe është vendosur në një tjetër kontekst. Në këtë version të ri Robini është Robin Longstride, një arkëtar shumë i famshëm dhe i njohur në ushtrinë e Mbretit Riçard, i cili pas vdekjes së Mbretit në Francë rikthehet në Angli, merr identitetin e një personi që kishte vdekur dhe në këto e sipër dashurohet me Marionin. Së bashku me shokët e vjetër të ushtrisë ai i bashkon forcat e tij me banorët e veriut, të cilët i kundërvihen sundimit të Mbretit Xhon e ndërkohë ndihmon vendin e tij nga një sulm i mundshëm i Francës. Scott ka bashkëpunuar në shumë filma të tij me Rasel Kroun. Mund të përmendim në këtë rast “Gladiator”, “A good year”, “American Gangster”, “Body of lies”. “Unë dhe Rasell jemi shumë të ngjashëm. Ai është gjatë gjithë kohës i inatosur dhe unë gjithashtu jam i inatosur. Nuk para na e hedh njeri”. Scott ecën me vështirësi pas një operacioni që ka pasur në gju. Ai njihet për filma shumë spektakolarë me efekte speciale shumë të veçanta si “Blade Runner”, “ALIEN AND Gladiator” dhe jo rrallë është përballur me kritika në lidhje me vëmendjen shumë të madhe që u kushton efekteve e cila ndonjëherë anashkalon vëmendjen që duhet të marrin pjesë të tjera të filmit si përmbajtja apo dialogët. Por në fakt, pavarësisht këtyre kritikave thuajse të gjitha filmat e tij janë mirëpritur nga një audiencë e gjerë. Ai ka lindur dhe është rritur në South Shields dhe ka studiuar pikturë në universitet, ndërkohë që në fushën e regjisurës u shfaq për herë të parë me filmin e shkurtër:” Boy on Bcycle”, një film personazhi kryesor i të cilit ishte vëllai i tij i vogël, Tony, dhe babai i tyre. Më pas ai nisi të punonte me BBC dhe ndërkohë, bëri edhe regjinë për shumë reklama të ndryshme, gjithsej rreth 2000 syresh. “Vite më parë fusha e reklamave ishte shumë e rëndësishme, sepse reklamat kishin një ndikim shumë të madh dhe regjisorë që më pas janë bërë të mëdhenj janë marrë në fillimet e tyre me reklama dhe kanë bërë vërtet reklama televizive shumë të bukura. Kjo ishte në fakt një përvojë shumë e mirë, të bësh një reklamë është shumë e vështirë, sepse në pak çaste duhet të arrish të japësh një mesazh dhe këtë në mënyrë artistike dhe koncize njëherazi”.
Filmi “The Duelist” ishte një film që zgjati rreh 5 vjet dhe ishte një triumf i vërtetë i stilit mbi përmbajtjen, por doli shumë shpejt në krye të filmave të rëndësishëm të asaj koke dhe mbi të gjitha ishte një film që u kopjua nga shumë regjisorë të tjerë për sa i përket mënyrës së trajtimit. Një nga filmat më të rëndësishëm të karrierës në Scott ishte edhe “Thelma and Louise” me të cilin fitoi një kandidim për “Oskar” në vitin 1992. Por pa dyshim, Scott nuk do të harrojë kurrë bashkëpunimin e parë me Krow në filmin “Gladiator”. “Ishte një kohë e mrekullueshme kur m’u desh që për disa muaj të jetoja sa në Britani e sa në Shtetet e Bashkuara. është një film që na ka dhënë shumë të gjithëve”.
Ndërkohë, Scott është duke punuar për një film të ri të “Alien” dhe nëse Robin Hud do të jetë një sukses për audiencë, ai e ka vazhdimin e tij të gatshëm.
#