Letra: Projektligji për arsimin e lartë, antikushtetues
Projektligji i arsimit të lartë ka ngjallur aq shumë debate e diskutime në qarqet akademike, sa ka krijuar një shqetësim të përbashkët, të paktën për universitetet publike. Dje janë mbledhur të gjithë së bashku, për diskutime dhe më gjerë, krerët e universiteteve të të gjithë vendit, përjashtuar Universitetin e Durrësit, që nuk ka pasur përfaqësues për arsye objektive.
Konkretisht, të gjithë bashkë kanë rënë dakord të presin për reflektim dhe bisedime me krerët e arsimit, për të diskutuar rreth projektligjit para miratimit të tij. Në rast se deri në fund të javës nuk do të ketë asnjë reagim, atëherë javën e ardhshme do të mund të shpallet i hapur diskutimi për ndryshimet e kërkuara në ligjin aktual të arsimit të lartë.
Sakaq, pavarësisht ditëve të pushimit, festës së 1 Majit, protestës, apo grevës së urisë, universitetet kanë pasur punë për të analizuar të gjitha detajet e diskutuara në media, lidhur me kërkesat për ndryshim në ligjin e arsimit të lartë.
Sakaq, sipas zyrës që pret letra, ankesa, peticione, lajmërime, urime e gjithçka tjetër, pranë Kryeministrisë, para fundjavës ka mbërritur edhe një letër e hapur dërguar ekskluzivisht Kryeministrit, në të cilën sqarohen fije për pe çdo problematikë e projektligjit, duke kaluar deri në ankesa që marrin notat “antikushtetuese”.
MbledhjaPërfaqësues të universiteteve publike në vend janë mbledhur paraditen e djeshme në Tiranë, për të folur rreth problematikave, sugjerimeve dhe zgjidhjeve të mundshme. Ashtu siç sqarohet edhe në letrën e hapur drejtuar Kryeministrit, universitetet kërkojnë që të ftohen për të diskutuar, si grupe interesi, së bashku me të gjitha organet e tjera pjesëmarrëse në arsimin e lartë në vend, për të kthyer mbrapsht dhe për të bërë disa rregullime në ligjin e arsimit të lartë, para miratimit përfundimtar të tij nga Këshilli i Ministrave.
KërkesatNdryshimet më kryesore që kërkohen të shqyrtohen me grupet e interesit, lidhen me çështjen e diplomave. Sipas universiteteve publike, çështja e emërtimit të tyre do të krijojë një anarki, amulli dhe mbi të gjitha revoltim të studentëve, të cilët shpeshherë në forume e diskutime kanë kërkuar drejtësi për vitet e shkollës, sigurisht në përputhje me standardet europiane të sistemit të Bolonjës.
Disa nga ndryshimet që përfshin projektligji i dorëzuar tashmë pranë Këshillit të Ministrave, janë lidhur me çështjet e diplomave, masterave, titujt “Master” dhe “Master i shkencave”. Po ashtu, një tjetër ndryshim është lidhur me ata që duan të vazhdojnë një master apo që janë në proces të këtij cikli studimi. Të gjithë para se të japin tezën përfundimtare duhet të jenë certifikuar në gjuhën angleze nga institucione që ofrojnë metoda dhe testime ndërkombëtare. Në të tilla kushte, kur universitetet thonë se nuk kanë dijeni për ndryshimet e propozuara, heshtja nga ana e tyre do të mbizotërojë pothuajse për një javë. Më pas debati dhe diskutimi do të jetë publik, i hapur dhe më gjerë.