Sinead OConnor
Kur ishte e bukur, e zhdërvjellët dhe joshëse, kur me kokën e qethur zero dhe sytë e mbushur plot jetë e nostalgji këndonte “Nothing compares 2 U”, një këngë që i famshmi Prince e kishte shkruar për grupin “The family”, ajo ishte vetëm 20 vjeç. Por ishte një këngë që tronditi si rrallë ndonjëherë klasifikimin e këngëve të të gjitha Hit Paradave të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara. Mori edhe një çmim “Grammy” për albumin më të mirë të muzikës së pavarur “I do not want to have what i haven’t got”, por ajo kokëshkretë dhe shumë krenare siç dinë të jenë vetëm irlandezët nuk mori pjesë në natën e çmimeve. Sot është shumë ndryshe nga 23 vjet më parë, por është gjithmonë magjikja Sinead O’Connor, 43 vjeç, mamaja e 4 fëmijëve, një artiste që ka zgjedhur që të provokojë edhe kur kostoja e kësaj është sakrifikimi i suksesit. Nuk e ka problem që në pamje të jashtme ngjan me një shtëpiake, nuk e ka aspak në vëmendje prodhimin e një albumi të ri çdo 5 vjet. Albumi i saj i fundit “Theology” ka dalë në vitin 2007, fama e neverit dhe shfaqjen në publik e bën vetëm kur ka nevojë shumë të madhe për para.
“Nuk jam zhdukur. Jetoj në Dublin, jam një mama e lumtur”, thotë këngëtarja që ka nisur një turne të vogël nëpër disa vende të Europës. “Fëmijët kanë nevojë për kohë dhe për praninë e vazhdueshme të mamasë, mbi të gjitha gjatë periudhës shkollore. Nga ana tjetër unë nuk ulem që të punoj dhe të prodhoj në rast se nuk kam frymëzim dhe materialin e duhur për këtë. Por kur arrij që të krijoj dijeni se janë pjesë që shprehin dhe shfaqin më së miri esencën e asaj që unë jam ndjenjat dhe mendimet e mia të pacensuruara”. është një grua e ashpër dhe e rreptë si gjithmonë. Nuk ua ka frikën polemikave dhe të qenit rebele. Jeta e saj nuk ka qenë e lehtë dhe ndoshta ajo e ka bërë që të jetë ajo që është. Filloi gjithçka me një mama që e abuzonte, më pas vazhdoi me abuzimet e disa murgeshave te të cilat jetoi, për të vazhduar me dënimet që i jepeshin për shkak se kur ishte adoleshente vidhte gjëra të vogla lart e poshtë. Me fenë katolike ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë konfliktuale. Mandej aq konfliktuale sa të çonte në kryerjen e një akti ekstrem siç ishte ai i grisjes publike të posterit të madh të Papës Gjon Pal II para telekamerave të televizionit. Në të njëjtin emision pretendoi se ishte priftëreshë e një urdhri të pavarur fetar me emrin “Nëna Bernardete”. Ka pasur marrëdhënie të vështira edhe me seksualitetin e saj. Kjo duket në faktin e prerjes zero të flokëve gjatë fillimit dhe viteve më të mira të karrierës së saj. Ndërkohë, 4 fëmijët e saj i ka pasur me 4 meshkuj të ndryshëm. Në lidhje me seksualitetin më në fund është shprehur se “pavarësisht se nuk e kam thënë kurrë hapur, unë jam një lezbike”. Ndërkohë, ajo vuan edhe nga një formë e dhimbshme fibromialxhie.
“Po është e vështirë që të kujtosh ato që të kanë ndodhur në të shkuarën e largët. Dhe më besoni jo për t’iu shmangur pyetjeve, por sepse është e vështirë që të kujtohem për sa ka ndodhur. Më ndodh shpesh që t’u kërkoj të tjerëve informacione për të shkuarën time. Ajo që kujtoj shumë qartë është se isha shumë e apasionuar pas Barbara Streisand dhe që në moshën 15-vjeçare këndoja “Evergreen” nga mëngjesi në darkë dhe më pas u dashurova me Bob Dylan dhe më në fund edhe me Marley, Public Enemy, Nwa etj. Edhe historia ime në botën e spektaklit ka qenë me ulje e ngritje të mëdha. Kam qenë shumë e lumtur në momente të caktuara, por ka pasur edhe momente të errëta. Suksesi në fakt është një traumë e vërtetë, veçanërisht nëse je dikush, siç isha unë, që vija nga Dublini. Isha naive, e paaftë që të kuptoja se si funksiononin me të vërtetë gjërat. Isha e eksituar kur luaja në skenë, por në fakt, gjithçka ishte një kaos i madh”.
Në vitet ’90 Sinead O’Connor ishte shndërruar në një lloj priftëreshe të rrokut dhe ishte me të drejtë krenaria e muzikës irlandeze protagoniste në eventet më të rëndësishme të kohës. Ajo merrte pjesë në koncertet e Pink Floyd, bëri disa kolona zanore filmash dhe shkoi në shumë koncerte të tjera të rëndësishme. Dhe së fundi iu dha edhe një rol në një film ku ajo luante Virgjëreshën Mari. Por ndërkohë, nuk la pas dore edhe impenjimet si aktiviste dhe tashmë është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes dhe në aktivitet. Në fakt, këngëtarja irlandeze i ka akuzuar skandalet e priftërinjve pedofilë që në vitin 1992. Pikërisht në një koncert ajo grisi publikisht fotografinë e Papës Gjon Pal II duke thirrur: “Ky është armiku i vërtetë”. Ja çfarë thotë sot Sinnead: “Këtë veprim e bëra kur po këndoja këngën “Lufta e Bob Marley. Ishte një këngë që më dha një forcë të jashtëzakonshme për të shprehur ndershmërisht atë që mendoja, për të luftuar kundër padrejtësive që më ndodhnin para syve çdo ditë, për të përdorur artin tim. Di edhe faktin se ka muzikantë shumë të famshëm që nuk thonë asgjë në këngët e tyre dhe duket sikur këta njerëz jetojnë në Hënë. Si munden vallë që të injorojnë problemet që ndodhin para syve tanë kur zgjedh të kesh një profesion të tillë?”
Ajo nuk e mohon që ka pasur probleme me depresionin dhe se ka pasur raste kur ka çuar në mendje vetëvrasjen, por vazhdon edhe sot me të njëjtat akuza për kishën katolike kur bëhet fjala për skandalet e priftërinjve katolikë dhe përfshirjen e tyre në aktet e pedofilisë. Ndërkaq, pohon se është besimtare e krishterimit, e Trinisë së Shenjtë dhe e Jezusit, por në të njëjtën kohë kërkon dorëheqjen e Papës Benedikt XVI për gjithë indiferencën e treguar. “Misioni im është që të shpëtoj Zotin nga fetë. Për këtë vazhdoj që të luftoj”.
“ka muzikantë shumë të famshëm që nuk thonë asgjë në këngët e tyre dhe duket sikur këta njerëz jetojnë në Hënë. Si munden vallë që të injorojnë problemet që ndodhin para syve tanë kur zgjedh të kesh një profesion të tillë?”
#