E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëmbrojtja e Polanskit: E kam kryer dënimin tim

Regjisori i famshëm, në arrest shtëpie në Gstadd, thyen heshtjen dhe ndërton versionin e tij të fakteve. Nga viti 1997 akuzohet për abuzim me një të mitur. Tani shpreson që Zvicra të mos e pranojë kërkesën e ekstradimit. “Kundër meje, një mal me gënjeshtra”. Roman Polanski

Në shtatë muajt që kanë kaluar nga 26 shtatori i vitit 2009, data e arrestimit tim në aeroportin e Zyrihut, ku përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës duhej të më dorëzonte një çmim për karrierën, e kam frenuar veten nga çdolloj komenti publik dhe u kam kërkuar avokatëve të mi të limitojnë deklaratat e tyre vetëm në rastet kur janë të nevojshme. Doja që autoritetet gjyqësore të Zvicrës dhe SHBA-së, ashtu si avokatët e mi ta kryenin punën e tyre pa ndërhyrje dhe polemika nga ana ime. Vendosa ta thyej heshtjen për t’ju drejtuar juve, drejtpërdrejt pa ndërmjetës dhe me fjalët e mia. është e vërtetë se 33 vjet më parë u shpalla fajtor dhe e kreva dënimin për të cilin akuzohesha në një burg të sigurisë së lartë. Vendimi i dhënë përfaqësonte gjithë dënimin që duhej të kryeja. Gjykatësi që më kishte dënuar e kishte anonçuar publikisht në një konferencë shtypi që ishte transmetuar në televizion. Ai filmim u pa me dhjetëra herë në televizion dhe në sallat kinematografike të të gjithë botës. Kur u largova nga burgu i Chinos, gjykatësi ndryshoi ide dhe deklaroi se, burgu që kisha kryer nuk përbënte tërësinë e dënimit tim. Dhe kërcënimi i tij se do të më fuste sërish në burg për një periudhë kohe të papërcaktuar nëse do të kisha këmbëngulur se do të ngrija zërin dhe nëse nuk do të sillesha ashtu si donte ai, më bëri që të vendosja për t’u larguar nga SHBA-ja. Pas më shumës e 30 vjetësh, çështja ime u rikthye sërish për shkak të një dokumentari që kishte mbledhur dëshmi të personave që në atë kohë ishin përfshirë në këtë histori. Nuk kam marrë pjesë në asnjë mënyrë në një projekt të tillë, as direkt dhe as indirekt. Dokumentari, derivat i gjithë kësaj, evidentoi faktin se isha larguar nga SHBA-ja sepse isha trajtuar në mënyrë të padrejtë, gjë që irritoi autoritetet e Los Anxhelosit. Duke u ndier të sulmuar vendosën të kërkonin ekstradimin tim nga Zvicra, vendi ku shkoj rregullisht prej 30 vjetësh pa asnjë lloj problemi. Nuk mund të hesht më gjatë! Nuk mund të mos flas, sepse autoritetet amerikane sapo kanë vendosur, pavarësisht gjithë depozitimeve dhe argumenteve të palëve të treta, të refuzonin dënimin tim në mungesë, ndërsa Gjykata e Apelit kishte rekomanduar të kundërtën. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse Gjykata e Kalifornisë ka refuzuar kërkesat e shumta të viktimës të braktisë përfundimisht seancat kundër meje, me qëllimin që t’i kursejë shqetësimet që përjeton sa herë kjo plagë hapet. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse kohët e fundit u verifikua një fakt i ri me rëndësi të madhe.

Në 26 shkurt prokurori Roger Gunson, i përfshirë në këtë çështje në vitin 1977, tani në pension, deklaroi nën betim, përpara gjykatësit Mary Lou Villar dhe në prani të David Walgren, prokurorit aktual që ishte i lirë ta kundërshtonte dhe merrte në pyetje, se në 16 shtator të vitit 1977 gjykatësi Rittenband kishte deklaruar përpara gjithë të përfshirëve në këtë çështje se periudha ime e burgimit në Chino korrespondonte me shumën e dënimit që duhej të kryeja. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse kërkesa e ekstradimit që u është drejtuar autoriteteve zvicerane është bazuar në një gënjeshtër. Në të njëjtin deklarim, prokurori Roger Gunson, po e theksoj akoma në pension, tha veç të tjerave se ishte gënjeshtër të pranoje, siç bën zyra e prokurorit distriktual në kërkesën e saj për ekstradim se koha që kisha kaluar në burgun e Chinos ishte e destinuar për një ekzaminim psikiatrik. Kërkesa e sipërpërmendur mbështet faktin se isha arratisur për t’i shpëtuar dënimit të autoriteteve gjyqësore, por unë kisha pranuar faktet dhe isha rikthyer në SHBA për të kryer dënimin tim. Ndërsa në gjykatë nuk mbetej gjë tjetër veçse të konfirmohej kjo marrëveshje, gjykatësi vendosi ta refuzojë. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse për më shumë se 30 vjet avokatët e mi nuk kanë reshtur së treguari se isha tradhtuar nga gjykatësi që kishte gënjyer se nuk e kisha kryer dënimin tim. Sot prokurori që ishte marrë me këtë çështje në vitet ‘70, një burrë me reputacion shumë të lartë konfirmoi deklaratat e mia, gjë që hedh një dritë të re mbi këtë çështje. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse të njëjtat kauza prodhojnë të njëjtat efekte. Prokuroi i ri distriktual që ka kërkuar ekstradimin tim është në fushatë elektorale dhe ka nevojë për publicitet. Nuk mund të hesht më, sepse jam në arrest shtëpie në Gstadd, pasi derdha një shumë të madhe parash si garanci dhe kjo më detyroi të hipotekoj apartamentin ku jetoj prej 30 vjetësh. Aktualisht gjendem në pamundësi për të punuar dhe jam i detyruar të jetoj larg familjes. Nuk mund të hesht më gjatë, sepse prokurori distriktual i Los Anxhelosit guxon të kërkojë ekstradimin tim, edhe pse zyra e tij është e informuar për faktet dhe angazhimet që ishin marrë dhe se e kam kryer dënimin për atë çka kisha bërë. Prokurorët e kësaj çështjeje e pranuan, njëri përpara telekamerave dhe tjetri nën betim. Ja faktet që doja t’ju bëja të ditura me shpresën se Zvicra të vërtetojë që kërkesa e ekstradimit nuk bazohet në asnjë justifikim ligjor. Vetëm kështu mund të gjej paqen, të bashkohem me familjen time dhe të jetoj i lirë në vendin ku kam lindur.

*Ky shkrim iu dha Bernard-Henry Lévy, drejtorit të revistës "La Règle du Jeu" që e publikoi në faqen e tij të internetit. Kjo revistë ishte e para që shtatë muaj më parë lançoi peticionin ndërkombëtar në favor të Roman Polanskit

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›