E Diel, 1 Nëntor 2026

(Ri)emërtimi si proces socio-kulturor i paneglizhueshëm

Ilir Kalemaj

Emërtimi, ose më saktë riemërtimi i rrugëve, parqeve, shesheve dhe lulishteve nga ana e autoriteteve bashkiake, është një proces i rëndësishëm dhe me një simbolikë aspak të rëndomtë. Akti i vendosjes së emrave është një akt sublim ...që nuk ka ‘agjent shoqëror që mos ta aspirojë” dhe ndihmon në sendërtimin e botës sociale, ku jetojmë sikundër na tregon Bourdieu. Nga ana tjetër, M. Foucault sjell në vëmendjen tonë se ajo që “ne kujtojmë nga e shkuara, është pikërisht ajo çka është e përfaqësuar” dhe këto “përfaqësime janë produkt i atyre në pushtet”. Rrallë ndodh që historia margjinale, e pa manifestuar në tekste apo akte zyrtare, të tërheqë interesin e publikut të sotëm apo të ardhshëm, me përjashtim kur relacioni i pushteteve të sotëm ndryshon, në momente ‘krisjeje’ të statusit “quo-s” nga një ndryshim regjimi dhe rievaluimi të historisë, në një kontekst të caktuar. Ose mund të ndodhë që shkrimtarë dhe artistë me impakt publik jo të zakonshëm, t`u heqin pluhurin disa ‘fakteve’ historike, gjithnjë nëse marrim të mirëqenë, se ka fakte të pavarur nga botëkuptimi ynë kulturor dhe politik.
Ashtu sikundër prej disa kohësh, me të drejtë po bëhet një debat i rëndësishëm në lidhje me (ri)konfirmimin e vlerave letrare të shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve të persekutuar apo të lënë në harresë qëllimisht nga regjimi komunist, vlera të tilla si Fishta, Koliqi, Camaj, Pipa, Trebeshina dhe të tjerë, po aq i rëndësishëm është procesi i sendërtimit të një memorie kolektive nëpërmjet rikrijimit të saj në objektet fizike, aspak të neglizhueshme si rrugët, parqet, sheshet, lulishtet apo dhe monumentet që duhen restauruar ose lëvizur prej andej nga janë, për t‘u lënë vend atyre me simbolikë më konsensuale. Ky lloj rimemorizimi, nëse huazojmë një term të historianit P. Nora, është i rëndësishëm, pasi kultivon simbole të rëndësishme komunitare që i japin një identitet të caktuar popullsisë së një vendi, qyteti, apo fshati. Simbole që mund të kenë një rëndësi lokale apo kombëtare dhe janë përgjithësisht figura të cilat qëndrojnë larg meskinitetit të politikës së ditës, por edhe gëzojnë një frymë konsensusi nga pjesa më e madhe e banorëve të atij vendi të caktuar. Në raste të diskutueshme, mund të ketë dhe forma referendumi apo anketimesh për të marrë mendimin e personave të interesuar.
David Kertzer tërheq vëmendjen te shenjtërimi (jo në kuptimin fetar) i emrave me kontribut në memorien historike të kombit, duke territorializuar një hapësirë të caktuar që është dhe ura lidhëse mes së shkuarës dhe së tashmes, e të jetuarit të së djeshmes në të tashmen. Kjo krijon dhe një lidhje organike mes gjeneratave dhe shërben për zbulimin, identifikimin, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të caktuara të manifestuara te njerëz, organizata apo lëvizje të rëndësishme historike, të cilët për një arsye ose tjetër nuk kanë gjetur vend ende në panteonin e kombit. Jo domosdoshmërisht duhet të jenë ekskluzivisht shqiptarë emërtimet që do merren parasysh nga bashkitë apo komunat (pasi ky është një proces që herët a vonë do ketë një shtrirje më të gjerë se Tirana), por mund të përfshihen dhe emra të huajsh me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të tillë si E. Durham, Hahn, Shuflaj, Wilson dhe shumë të tjerë, kontributi i të cilëve në mbrojtjen e integritetit territorial ose kulturor të vendit ka qenë i një rëndësie aspak të nënçmuar. Emra mund të jenë edhe të artistëve apo sportistëve të shquar, kur kjo është e mundur. Bie fjala, me të drejtë u ngrit një ide para pak kohësh, me rastin e shuarjes nga jeta të sportistit Panajot Pano, ku stadiumi ‘Qemal Stafa’ të riemërtohej me emrin e mjeshtrit të madh. Kujtesa kolektive është diçka që shkon përtej politikave të ditës dhe preferencave ideologjike dhe duhet pasur një kujdes i jashtëzakonshëm kur shfaqen mundësitë për emërtimet dhe riemërtimet e objekteve fizikë apo institucioneve, pasi këto mbrojnë një ligjërim të caktuar dhe sendërtojnë dhe japin formë dhe identitet një komuniteti të caktuar. Nëse mund të përfshihen vlera sa më diverse dhe demokratike, duke përfaqësuar proporcionalisht ata(o), që ndoshta padrejtësisht historiografia e ideologjizuar e një momenti të caktuar politik i ka lënë jashtë, aq më mirë do jetë për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm dhe aq më i përgjegjshëm do jetë administratori i sotëm publik ndaj historisë së vlerësuar me lentet e së nesërmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›