E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS sot në Kuvend



Aristir Lumezi

Deputetët socialistë do të jenë sot prezentë në seancën parlamentare. Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të deputetëve socialistë të mbledhur dje në mesditë, e cila zgjati pak minuta. Ishte kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi i cili ka komunikuar vendimin për të qenë në seancën e sotme, ndërsa kryetari socialist Edi Rama, i pranishëm në këtë mbledhje, nuk ka shprehur asnjë qëndrim. Ruçi u ka kërkuar deputetëve që të regjistronin emrin të gjithë atyre që kishin dëshirë të diskutonin rreth projektligjit të socialistëve për hetimin e zgjedhje përmes komisionit hetimor parlamentar. Deputetët socialistë kanë dashur të dinë qëndrimin e tyre pas diskutimeve në seancë, nëse do të ketë bojkot të seancës apo qëndrim në të dhe votim sipas varianteve që do të paraqiteshin gjatë zhvillimit të saj. Kreu i grupit Ruçi ka argumentuar se çështja e bojkotit do të varej shumë nga rrjedha që do të marrin gjërat në seancë dhe nga qëndrimi i demokratëve ndaj nismës ligjore të PS-së. Mësohet se deputetët socialistë do të zhvillojnë sa më shumë diskutime në seancën e sotme, si edhe deputetët demokratë, ku secila palë do të argumentojë qëndrimin e saj rreth mënyrës se si duhen hetuar zgjedhjet. Kjo mendohet se do të çojë seancën parlamentare edhe të premten, kur në Tiranë do të ndodhet komisioneri për zgjerimin e BE-së, Fule, i cili nga ana e tij ka kërkuar gjetjen e zgjidhjes së krizës para ardhjes së tij në Shqipëri. Socialistët presin që demokratët të tërhiqen nga pozicioni i tyre kundërshtues të variantit të PS, i cili kërkon hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore. Kësaj i shërbeu dhe letra e hapur që kryetari i socialistëve, Edi Rama i dërgoi dy ditë më parë kryeministrit Berisha dhe ambasadorëve kryesorë në Tiranë. Në mbledhjen e djeshme, e cila ishte mjaft e qetë dhe pa debate, ishin dhe pesë deputetët e mendimit ndryshe, Blushi, Malaj, Islami, Bello dhe Harasani, të cilët nga ana e tyre kanë respektuar deri tani qëndrimin e grupit parlamentar socialist. Madje dy prej tyre, Islami dhe Malaj mësohet se regjistruan emrin e tyre për të diskutuar sot gjatë seancës parlamentare. Prej mëse një jave, socialistët, pas bërjes së betimit në Kuvend, depozituan projektligjin i cili do t'i lejonte atyre një hetim të pakufizuar parlamentar për zgjedhjet brenda një afati kohor që mund të zgjaste deri në dy vjet. Ishte kjo nismë që ndërmjetësoi pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve, ndërsa ata vazhdojnë bojkotin nga komisionet e tjera parlamentare. Kjo kërkesë dhe pse u pranua në parim nga maxhoranca, u rrëzua nen për nen përmes disa amendimeve që demokratët paraqitën në komision. Kjo bëri që socialistët të braktisin Komisionin e Ligjeve, ndërsa demokratët të kalojnë në shumicë amendimet e veta. Pas apelit të socialistëve por dhe të faktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij ngërçi, deputetët e PS i kanë sytë sot tek seanca parlamentare duke pritur maxhorancën të zbusë qëndrimin e saj në lidhje me objektin e hetimit. Ata janë në pritje të një kompromisi i cili mund të shkojë deri tek kutitë e materialeve të votimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›