E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria ndryshon ligjin e gjobave



Qeveria do të ndryshojë ligjin për kundravajtjen administrative. Duket se kërkesa për para nga ana e shtetit, kanë detyruar Qeverinë të rishikojë afatet e pagimit të gjobave. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Berisha ka nënvizuar pikërisht afatin e pagesës së detyrimeve dhe gjobave, si ndryshimin themelor të këtij ligji. Sipas qeverisë, projektligji për kundërvajtjet administrative përcakton qartë detyrimin e shlyerjes së gjobës. "Gjobat nuk mund të futen në kalendar. U gjobite, do të paguash. Ministria e Financave ka punuar gjatë me këtë ligj dhe mund t'u them se ky është një ligj transversal për gjobat, që përfshin gjobën në tërësi, pavarësisht nga autoriteti që e vendos atë", theksoi dje Berisha. Ligji për kundravajtjen administrative parashikon që gjobat të ankimohen në gjykatë. Pikërisht është neni 18 i këtij ligji, ai që pritet të ndryshojë. Sipas këtij neni, "kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim ose protestë brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja. Gjykata që shqyrton ankim ose protestën vendos lënien në fuqi të vendimit, ndryshimin e tij, pushimin e çështjes ose e prish dhe e gjykon vetë çështjen. Kur dënimi jepet nga Gjykata e rrethit, ankimi bëhet në Gjykatën e Apelit." Por në ligj nuk parashikohet koha të cilës i duhet gjykatës për të dhënë vendimin. Kjo është ajo që parashikohet të ndryshohet në ligj. "Projektligji unifikon praktikën ndaj gjobës, të kuptohemi, nuk i shton gjobat, nuk ka të bëjë me ndryshime në vlerat e gjobës, por me praktikën e kthjelltë e të qartë të shlyerjes së saj", theksoi Berisha.
Taksa për tokën
Qeveria ka diskutuar dje edhe për ligjin tjetër të taksimit të tokës. Bëhet fjalë për projektligjin për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, që sipas Berishës, adapton dhe avancon konceptin e rentës. "Toka dhe renta kanë qenë dhe mbeten një binom i përjetshëm dhe Ministria e Financave ka adaptuar praktikën më solide në botë të qëndrimit ndaj tokës, që është renta. Kjo nuk ka asnjë lidhje me ata që kanë tokë bujqësore, por nënkupton që ata, të cilët kanë tokë shtetërore, përveç atyre që e përdorin për qëllime humanitare, në qoftë se nuk dëshirojnë ta blejnë, do të përgjigjen me rentë dhe një pjesë e rentës do t'i mbetet autoriteteve vendore, në çdo gjë. Do të shqyrtohen të gjitha rentat në mënyrë që 20-25 për qind e tyre t'u kalojë autoriteteve vendore."
Prokurimet
Edhe pse Qeveria ka kohë që nuk ka kryer prokurime në infrastrukturë apo në vepra të mëdha, Berisha ka nënvizuar se do të ndryshojë edhe vendimi për ankesat e bizneseve për procedurat e tenderave. Ndryshimi synon të vendosë tarifa dhe rregulla të qarta për pagimin e tyre, në një procedurë animimi, pranë Komisionit të Prokurimit Publik. "Sado që qeveria lufton për të bërë transparencën, për fat të keq, ka disa kompani të specializuara dhe jo për të kryer punët publike, por për të futur stërkëmbës në procesin e shqyrtimit të tenderave." Sipas propozimit, pritet që ato firma që do të ankohen për tenderat, do të duhet të paguajnë një shumë, e cila do të mbahet si ganeci nga shteti. Kjo bëhet në mënyrë që firmat të mos, kompensojnë tenderimin e punëve publike, apo të bëjnë presion për firmat fituese duke zvarritur procesin e tenderimit. Por nga ana tjetër, ky vendim i Qeverisë, mund të shërbejë edhe si një mbulesë për korrupsionin, pasi firmave "humbëse" do t'u duhet të paguajnë kosto të tjera për të apeluar vendimin e Agjencisë së Prokurimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›