Përmbytjet, lista e dëmshpërblimit
ADI SHKEMBI
Qeveria miraton vendimin për dëmshpërblimin e banorëve në Shkodër dhe Lezhë që u përmbytën në muajin janar. Rreth 4360 familje në 16 njësi vendore do të përfitojnë në total shumën prej 512 milionë lekësh, në varësi të dëmeve që u janë shkaktuar. Duke folur në mbledhjen e Kabinetit qeveritar, Kryeministri Berisha u shpreh se "dëmet e krijuara do t'i riparojmë të gjitha. Familjet do të shpërblehen një për një për dëmin e krijuar, i llogaritur së bashku me të zotët e shtëpive, autoritetet e qarkut". Në të njëjtën kohë, ai la detyra konkrete për Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Punëve Publike lidhur me investimet në zonat e prekura në veri dhe në jug të vendit gjatë reshjeve të fillim vitit. Kreu i Qeverisë vlerësoi gjatë mbledhjes së djeshme edhe performancën e KESH-it, i cili sipas Berishës ka eksportuar çdo ditë mbi 14 milionë kw/orë energji. "Dje, në 24 orët që kaluan, kaskada ka prodhuar 29.2 milionë kw/orë energji, një prodhim ky i jashtëzakonshëm. Eksporti shkon në 14 milionë kw/orë, edhe ky një zhvillim shumë pozitiv. Shqipëria, më parë se çmendoja, po bëhet një faktor i fuqishëm eksporti i energjisë. Askujt nuk ia priste mendja se mund të eksportoheshin 14 milionë kw/orë energji në ditë. Mund t'ju informoj se nga data 1 mars e gjer më sot, çdo ditë janë eksportuar mbi 14 milionë kilovat/orë dhe me këto ritme që po ecën, pritet që eksporti i energjisë të kapë vlerat të paktën 1.2 miliardë kilovat/orë në tërësinë e vet", tha kreu i Ekzekutivit. Sipas tabelave të miratuara në mbledhjen e Qeverisë, një lavatriçe është vlerësuar në shumën 28 mijë lekë të rinj, një pompë në vlerën 4900 lekë dhe një gjenerator për 12.960 lekë. Ndërkohë që vlerësimet për dëmet në banesa ndryshojnë në varësi të prekjes nga përmbytjet. Në mbledhjen e Qeverisë u miratua gjithashtu një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Austrisë për ndihmën e ndërsjellët, në rast të katastrofave ose të fatkeqësive të mëdha. Sipas Kryeministrit ishte e rëndësishme që gjatë periudhës kur ndodhën përmbytjet nuk u shënua asnjë humbje jete.
Vlerësimet
Pompë 4900 lekë
Gjenerator 12960 lekë
Lavatriçe 28000 lekë
LISTEN E PLOTE, MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF