E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha tërhiqet nga ligji i SHISH, Uidhers: Shërbimi Informativ duhet të jetë jopartiak



BLEDAR HOTI

Maxhoranca tërhiqet nga miratimi i projektligjit i Shërbimit Informativ Shtetëror, në seancën parlamentare të 18 marsit. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani deklaroi në emisionin për “Ora e Intervistës” në “TV Ora”, se “në seancën e sotme nuk do të votohet projektligji për SHISH, pasi ai vetë është caktuar nga ana e Kryeministrit Berisha për të nisur konsulta me misionin “Euralius”, për draftin e miratuar nga ana e Komisionit të Sigurisë dhe të Ligjeve”. Pas shumë kontestimeve nga ana e ndërkombëtarëve për nismën e SHISH, të miratuar nga ana e dy komisioneve parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve, PD-ja është tërhequr nga votimi në seancë i këtij projektligji, duke pritur ekspertizën e misioneve ndërkombëtare. “Unë si ministër i Drejtësisë jam autorizuar nga Kryeministri që të nis një cikël kontaktesh dhe diskutimesh me misionin Euralius, që asiston në Ministrinë e Drejtësisë për hartimin dhe draftimin e projektligjeve. Pra, Kryeministri më ka autorizuar që këtë draft që ka kaluar në komisionet parlamentare të Sigurisë dhe të Ligjeve, kjo natyrisht para se të shkojë për miratim në seancë. Pas këtij autorizimi do të fillojë një cikël konsultimesh me ekspertë të Euralius, që janë atashuar pranë Ministrisë së Drejtësisë”, tha Nishani. Ministri i Drejtësisë e rikonfirmoi një fakt të tillë dhe për gazetën “Panorama”, duke shtuar se drafti i SHISH nuk do të kalojë për votim në seancën e sotme. Ministri i Drejtësisë më pas ka bërë të ditur se nisma për ndryshimin e ligjit aktual të Shërbimit Informativ Shtetëror ka ardhur si propozim nga vetë institucionit i Shërbimit Sekret shqiptar dhe jo nga Qeveria. Sipas tij, 90 për qind e ndryshimeve në draftin e dy komisioneve janë propozuar nga ana e SHISH. Për sa i përket çështjes së mandatit të drejtorit dhe nëndrejtorit të SHISH, Nishani janë marrë standardet e modelet e vendeve të NATO-s. Ambasadori i SHBA-së, Uidhers, pas miratimit të draftit nga komisioni i Ligjeve, deklaroi se është i shqetësuar për mënyrën se si po hartohej një draft i tillë. Ndërkohë që edhe vetë Partia Socialiste e ka kontestuar ashpër një draft të tillë, duke deklaruar se nuk do të pranonin që një nismë të tillë ta miratonin në seancën kuvendore. Vetë kreu i PS-së, Edi Rama në një deklaratë për median u shpreh kundër miratimit të një nisme të tillë. “I bëj thirrje Kryeministrit Berisha të tërheqë pa humbur as edhe një ditë, projektin e turpshëm të kthimit të SHISH në SHIK-un famëkeq, që përgjonte dhe përndiqte kundërshtarët e pushtetit në politikë, në media dhe shoqërinë civile”, reagoi Rama menjëherë pas miratimit të draftit nga ana e Komisionit të Sigurisë. Pikërisht raportimi i kreut të SHISH, përpara Kryeministrit mbi çështjet e bashkëpunimit me shërbimet e tjera, është një nga pikat e nxehta që kontestohet nga ana e ndërkombëtarëve.

Ndryshimet në ligjin e SHISH

Neni 3 pika b, ishte
Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.

Neni 3 pika b, bëhet
Kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.

Neni 3 paragrafi 10, ishte
SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 3 paragrafi 10, bëhet
SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim në parim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme.

Neni 5 paragrafi 7, ishte
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.

Neni 5 paragrafi 7, bëhet
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, për çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH

SHBA dhe Britania: SHISH, jopartiak

BLEDAR HOTI

Ambasadorët i bëjnë apel publik Qeverisë që të mos ta votojë projektligjin e Shërbimit Informativ, pa zhvilluar një konsulencë ndërkombëtare. Apeli i diplomatëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe të OSBE-së u bë dje gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga “Fondacioni Moisiu” që drejtohet nga ish-Presidenti Alfred Moisiu. Pikërisht një ditë përpara seancës së 18 marsit, ku është parashikuar votimi i projektligjit të SHISH, është rritur ndjeshëm presioni i ndërkombëtarëve, i aleatëve të Shqipërisë në NATO, për të mosmiratimin e nismës së maxhorancës për ndryshimin në ligjin e SHISH. Ambasadori i SHAB-së, Xhon Uidhers tha se “roli i shërbimeve informative është të mbrojnë sigurinë e vendit. Por të gjithë ne kemi parë shumë shpesh, në ato vende që nuk janë demokratike, që ai rol shtrembërohet dhe në fakt, shndërrohet në një rol për të mbrojtur ata që janë në pushtet, pikërisht nga ata njerëz që qeverisin. Prandaj, përvoja historike e të gjitha vendeve të përfaqësuara në këtë tryezë tregon që duhet siguruar roli i pavarur i një shërbimi informativ, dhe që duhet vendosur me kujdes drejtpeshimi dhe duhen përcaktuar me kujdes përgjegjësitë e një shërbimi të tillë, sidomos kur këto përgjegjësi mund të marrin një natyrë të brendshme”. Për ambasadorin amerikan është e nevojshme të sigurohet që aty ku kërkohen veprimtari të caktuara të brendshme, ato të kryhen të lira nga ndikimi politik dhe kjo çon drejtpërdrejt te nevoja nga ku, ata që punojnë në shërbimet informative të jenë jopartiakë dhe absolutisht profesionistë. Diplomati amerikan shtoi në të njëjtën kohë se “jemi këtu të ndihmojmë për të ofruar të gjitha këto shërbime për të parë reformat e Shërbimit Informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm. Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit të Shërbimin Informativ në drejtimin e gabuar. Në këtë mënyrë, po kthehem tek ajo që thashë në fillim – besimi”. Diplomatja britanike Fiona Mcilëam tha se “reformat afatgjata kërkojnë një proces të kujdesshëm, kërkojnë konsultime të gjera me shoqërinë civile, eksperte dhe ekspertë ndërkombëtarë. Sepse kjo përputhet edhe me detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, përputhet edhe me aspiratat për integrimin në Bashkimin evropian”. Ambasadori i OSBE-së, Bosch deklaroi se institucioni që ai përfaqëson ia ka shprehur Qeverisë shqiptare shqetësimet mbi një projektligj të tillë dhe se ende nuk janë njohur me faktin, nëse ato janë pasqyruar në draftin final të miratuar nga ana e komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe të Sigurisë.

Xhon Uidhers
“Mes të gjithëve ne, të gjithë përvojave tona, ekziston shumë ekspertizë, një histori e gjatë përvoje në ndjeshmërinë dhe nevojat për drejtpeshime, kontrolle dhe balanca, ndarje të pushteteve, përgjegjësi të përkufizuara, që janë të rëndësishme për një shërbim informativ në një demokraci. Besoj që të gjithë ne, me anë të pranisë sonë këtu, po themi se jemi të gatshëm të ndihmojmë për te ofruar të gjitha këto shërbime, për të parë reformat e Shërbimit Informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm. Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit në shërbimin informativ, në drejtimin e gabuar”, ka deklaruar Uidhers.

Fiona Mcilwam
“Sot SHISH, një institucion tepër profesionist sipas saj, nuk është më një mjet i pushtetit për të kontrolluar dhe shtypur. çka nuk do të thotë se nuk duhen reformat apo investime të mëtejshme në shërbim. Por do të thotë se duhet vepruar me kujdes, në mënyrë që reforma as të mos nxitohet më shumë se ç’duhet dhe as të mos merret ndryshe nga ç’duhet. Nuk duam të kthejmë mbrapsht prirjen pozitive, sepse kjo do të dëmtonte shërbimin dhe për rrjedhojë do të dëmtonte edhe Shqipërinë. Por reformat afatgjata kërkojnë një proces të kujdesshëm, kërkojnë konsultime të gjera me shoqërinë civile, eksperte dhe ekspertë ndërkombëtarë. Sepse kjo përputhet edhe me detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s, përputhet edhe me aspiratat për integrimin në BE”, ka deklaruar Mcilëam.

Robert Bosch
Kreu i Prezencës së Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunim Evropian, Robert Bosch deklaroi në këtë takim se i ka shprehur Qeverisë shqiptare shqetësimet në lidhje me ndryshimet në ligjin “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”. “Ne ende nuk jemi njohur me draftin e miratuar nga ana e komisioneve. çështja për ne është se ne e dimë se këto ndryshime kanë kaluar në Komisionin Parlamentar. E dimë si janë miratuar këto ndryshime, nuk e di nëse këto ndryshime kanë marrë në konsideratë shqetësimet e prezantuara nga ne ose jo. Megjithatë, ne do të vazhdojmë të këmbëngulim, t’i mëshojmë shqetësimeve tona, ndoshta dhe mund të jenë marrë parasysh”, tha ambasadori Bosch.

Meidani: Ndryshimet, duhet konsensus i forcave politike

Ish-presidenti Rexhep Meidani, i pranishëm në këtë takim, deklaroi se për miratimin një ligji të tillë kërkon një konsensus politik mes maxhorancës dhe opozitës. “Ndryshimet e fundit ligjore do të rezultojnë dhe në këtë ligj, si ndërhyrje e pushtetit politik mbi këtë shërbim, prandaj në raste të tilla, institucioneve të një ndjeshmërie të veçantë, ndryshimet ligjore mund të realizohen vetëm me një konsensus të plotë të forcave politike dhe me një konsultë të plotë ndërkombëtare”, deklaroi Meidani. Ish-presidenti propozoi që edhe vetë emërimi i kreut të SHISH në të ardhmen të realizohet mbi bazën e një konsensusi politik ndërmjet pozitës dhe opozitës. “Edhe kreu i SHISH duhet të mbartë një konsensus të plotë të vetë forcave politike dhe mirëkuptim të vetë qytetarëve shqiptarë”, theksoi Meidani.

Edi Rama
“I bëj thirrje Kryeministrit Berisha të tërheqë pa humbur as edhe një ditë projektin e turpshëm të kthimit të SHISH në SHIK-un famëkeq, që përgjonte dhe përndiqte kundërshtarët e pushtetit në politikë, në media dhe shoqërinë civile. Shpërfillja e shqetësimit që Shtetet e Bashkuara shprehën publikisht përmes ambasadorit Uidhers është e patolerueshme. Ne kërkojmë publikisht sot shpjegime nga Kryeministri i këtij vendi për këtë shpërfillje, sigurisht bashkë me lajmërimin e tërheqjes së projektligjit.
Dhe e sigurojmë zotin Berisha se këmbëngulja në këtë akt sa të rëndë, aq edhe qesharak “karshillëku” ndaj Shteteve të Bashkuara, nuk do të ringjallë dot Shik-un e vjetër, po do të jetë një arsye më shumë për të protestuar për largimin një orë e më parë të këtij pushteti të grabitur”,tha Rama.

Moisiu: Kuvendi nuk po kupton dëmin e madh që po i bën vendit
Ish-presidenti Alfred Moisiu i kërkoi politikës shqiptare që të reflektojë sa më parë për draftin që po diskutohet për Shërbimin Informativ Shqiptar. Duke folur në një tryezë të mbledhur me ambasadorët në Tiranë, për ligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror, Moisiu theksoi se “SHISH është një nga institucionet bazë për funksionimin bazë të një shteti demokratik. Ne kemi pasur dy dekada, në kohën kur ky ish-Sigurim i Shtetit ishte instrument politik negativ, kërcënues për lirinë qytetare dhe vegël e partisë-shtet. Tani jemi në periudhë të funksionimit të shtetit demokratik, të cilit SHISH ka një nocion të ri kushtetues, një vizion drejtimi perëndimor dhe eksperiencë pozitive, sidomos në vitet e fundit. Aktualisht ndodhemi në një fazë delikate dhe vendin real që duhet t’i japim këtij shërbimi në tërësi”. “Jo çdo ndryshim është reformë dhe sjell rezultate pozitive duke shtuar se i bën thirrje klasës politike për një reflektim për një vendimmarrje sa më të pjekur. Shqipëria ndodhet në një status tjetër dhe ndodhet në NATO dhe ndihej keqardhje që klasa politike sillet në mënyrë jo transparente, që na vë në pozita dhe në dyshime me partnerët tanë ndërkombëtarë” theksoi Moisiu. Gjithashtu ish-kreu i Shtetit theksoi se ne kemi privilegjin që të përfitojmë nga nevojat dhe gabimet në të kaluarën dhe se do të jetë e gabuar nëse nuk përfitojmë nga këto gabime, pasi debati nuk është për një institucion por për parimet e shtetit. “Të mos heshtin, por bëj thirrje për vetëpërmbajtje ndaj një Parlamenti që hesht dhe nuk e kupton dëmin e madh që po i bën vendit” deklaroi Moisiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›