E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerat e një vizite

Ylber LILI

Gjithkush ka të drejtë të komentojë dhe analizojë në mënyra të ndryshme vizitën e Ministrit të Jashtëm, njëkohësisht zv/kryeministrit Ilir Meta në Beograd dhe jo vetëm aty. Por, përtej hamendësimeve, steriotipeve, apo paragjykimeve rreth teorive të konspiracionit që janë ngjizur me kohë në mentalitetin ballkanas, vizita dy ditore e z. Meta në Serbi më ... së paku duhet vlerësuar si lëvizje pozitiviste e diplomacisë shqiptare, duke kaluar pragun e dremitjes. Si të thuash, kjo vizitë mund të konsiderohet si fillim-fundi i divorcit të diplomacisë shqiptare nga plogështia, dremitja dhe retorika shterpë, si dhe fillesa e një politike aktive dhe produktive me karakter gjithshqiptar e rajonal.
Marrë së bashku, vizita e kryediplomatit Meta në Beograd dhe në Luginën e Preshevës, na bën të shpresojmë se Tirana zyrtare gradualisht kërkon të zhvishet jo thjesht nga pasiviteti dhe roli jo aktiv i saj, por mëton të shfrytëzojë edhe përparësitë e faktorit kohë.
Kësisoj, vizita duhet interpretuar edhe si korrigjim i defektit që na ka shoqëruar vite me radhë, për mungesë të theksuar serioziteti në raport me zhvillimet në kohë dhe hapësirë. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se strategjia e veprimit politik nuk e ka pasur sa duhet konceptin e kohës, ndonëse ngjarjet rrodhën në favorin tonë.
Viti 2008 është shënuar në kalendarin historik të mbamendjes kombëtare si kulmim i çështjes shqiptare. S’do mend se ngjarja më kulmore mbetet Pavarësia e Kosovës. Shikuar nga rrafshi kombëtar, me pavarësimin e Kosovës nisi epoka e re e çështjes shqiptare. Jo vetëm kaq. Kosova e pavarur nënkupton shembjen e gërmadhës së Jugosllavisë dhe përmes saj perëndimin e hegjemonizmit serb ndaj gjysmës së kombit shqiptar.
Një tjetër ngjarje që hyri në formatin historik ishte ftesa e Shqipërisë në NATO. Të marra së bashku, këto dy evenimente historike, të paktën teorikisht i dhanë peshë popullit shqiptar në rajon, sakaq praktikisht nuk arritëm të suspendojmë ambiciet e politikave ditore.
Pra, në vend që t’i jepej prioritet kauzave të madhe, politika shqiptare mbeti peng i cic-miceve të politikave ditore, bash aty ku treten strategjitë e veprimit aktiv politik rajonal. Në këtë kuptim, tashmë është koha që të gjitha energjitë intelektuale, politike, shoqërore, shkencore, kulturore, duhet të shfrytëzohen për të maksimalizuar kapacitetet kombëtare.
Realisht me pak vullnet, pjekuri, racionalitet dhe strategji veprimi, politika shqiptare ka shansin për t’i dhënë prioritet kauzave të mëdha. Së këndejmi vizitën e Metës e shoh pozitiviste në dy drejtime kryesore. Së pari, si investim i politikës aktive dhe strategjie për të afirmuar kapacitetet tona demokratike dhe kombëtare, sikundër edhe si një shenjë për të demonstruar përparësitë tona për të implementuar një standard të ri: atë të katalizatorit të paqes, stabilitetit dhe një lloj protagonizmi për të qenë líder të vlerave perëndimore në rajon. E thënë me fjalë të tjera, mjafton të kuptojmë konceptin e kohës dhe të shfrytëzojmë maksimalisht avantazhet tona dhe disavantazhet e të tjerëve.
Së dyti, thellë- thellë vizita e tij në Luginën e Preshevës në kushtet e diskriminimit permanent dhe eksodit masiv të shqiptarëve atje, duhet parë edhe si formë reaguese ndaj politikës serbe nga njëra anë, por edhe si “alarm” se në Ballkan ende ekziston çështja e pazgjidhur shqiptare.
Realisht nëse z. Meta do të mjaftohej thjesht me shtrëngim duarsh me lidershipin e Beogradit, natyrshëm do të ishte një vizitë gjysmake dhe me plot hamendësime. Mirëpo udhëtimi drejt Luginës së Preshevës (e arkivuar tashmë si vizitë historike) e bën vizitën sa të suksesshme dhe produktive.
Përtej ndjeshmërisë së shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanocit, të cilët vazhdojnë të mishërohen me shtetin shqiptar, vizita pati edhe tregues të tjerë që i japin pikë jo thjesht Metës, por pjekurisë dhe racionalitetit të politikës dhe diplomacisë shqiptare. Takimi emocional i qytetarëve shqiptarë me z. Meta, nuk u shndërrua në deklarata emotive. Kryediplomati shqiptar u tregua i matur dhe korrekt, d.m.th larg retorikës populiste. Ky qëndrim mund të shërbejë si leksion për lidershipin e Beogradit, të cilët kur “vizitojnë” Kosovën nxjerrin “dhëmbët e kalbur” të nacionalizmit primitiv, duke i shkaktuar kokëçarje të mëdha faktorit ndërkombëtar. Gjithsesi, vizita në Preshevë duhet parë si inkurajim i politikës dhe diplomacisë shqiptare për të qenë më e vëmendshme ndaj problemeve të shqiptarëve në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Fundja, çështja shqiptare në tërësi i ngjason enëve të lidhura në laboratorët e kabineteve të kimisë. Bëhet fjalë për një komb, për një ideal që pavarësisht ku jetojnë ato jenë ndërvepruese.
Në fillim të kolapsit të regjimit komunist në Shqipëri, politika shqiptare e Kosovës dhe ajo e shqiptarëve në hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë, ishte në funksion të tejkalimit të krizës në Shqipëri. Kur u stabilizua paksa Shqipëria, energjitë politike u përqendruan në Kosovë. Tani që Kosova e mori rrugën e mbarë duhet që të gjitha kapacitetet të koncentrohen në artikulimin e interesave të shqiptarëve në hapësirat e tjera. Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare, politika në tërësinë e saj duhet të jetë më aktive dhe më eficente për të reaguar ndaj padrejtësive që u bëhen shqiptarëve përtej kufijve. Bie fjala, Tirana zyrtare dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë më të vëmendshme ndaj problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë. Kjo nuk duhet kuptuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme të një shteti tjetër, por për të mbrojtur pjesën e kombit shqiptar nga diskriminimi dhe tendenca sllavo-maqedonase për shkombëtarizimin. Sidoqoftë, kohët e fundit të krijohet përshtypja se diplomacia shqiptare po bëhet më aktive. Ta ilustroj me një shembull që për mua mund të ishte kryelajm. Angazhimi i Tiranës zyrtare përmes përfaqësisë diplomatike të saj në Shkup, për të shpëtuar dy jetë njerëzisht nga ngrica e bora në një fshat kufitar në Maqedoni, dëshmon se gjërat po lëvizin pozitivisht. Nuk është e largët koha, kur dhjetëra shtetas të Shqipërisë vriteshin në kufi dhe askush nuk e çante kokën. Si përfundim, të shpresojmë për një diplomaci më eficente, politikë më aktive dhe koncept të qartë për faktorin kohë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›