Saadi Gaddafi në Niger
"Patrulla e forcave të armatosura të Nigerit ka ndaluar një karvan, në të cilin ndodhej njëri prej djemve të Gaddafit”, njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë së Nigerit. Sipas tij bëhet fjalë për ish-futbollistin, Saadi Gaddafi.
Ai theksoi të dielën se Saadi ishte nisur nga Agadazi, në veri të Nigerit, drejt kryeqytetit Niamey, ku pritej të arrinte të hënën.
Sasdi (38) është djali i tretë i kolonelit Gaddafi. Ai njihet si një plejboj, i cili në vitin 2004 e kishte braktisur futbollin për t’iu bashkuar armatës libiane, në të cilën ka qenë komandant i njësitit elitar.
Disa grupe zyrtarësh të lartë të regjimit të Gaddafit ditëve të fundit kanë ikur drejt Nigerit, megjithëse pushteti i atjeshëm vazhdon të deklarojë se Moammar Gaddafi nuk është në mesin e zyrtarëve libianë që po qëndrojnë brenda territorit të Nigerit.
Pas ditë më parë, Nigeri njoftoi se ka lejuar hyrjen e libianëve në territorin e tij “mbi baza humanitare”, edhe pse ky vend u gjend nën presion të bashkësisë ndërkombëtare për t’i ekstraduar zyrtarët e Gaddafit që akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut.