“Rifreskimi” në rradhët e policisë,Fishta: Sa më parë të rishikohet trajtimi financiar për çdo gradë

Ministria e Brendshme shtyu deri më 15 shtator afatin për aplikimet për studentët që duan të ndjekin Akademinë e Sigurisë.
Sindikata e Punonjësve të Policisë vlerësoi pozitivisht këtë hap për përfshirjen e sa më shumë të rinjve në organizatën me mbi 11 mijë punonjës.
Sadetin Fishta, kreu i kësaj sindikate, thotë në një intervistë për RTSH, se rifreskimi i radhëve të organizatës së Policisë së Shtetit, për sindikatën që përfaqëson interesat e mijëra efektivë blu, është me rëndësi. Sipas tij të rinjtë sjelli frymë, por edhe teknika të reja të ushtrimit të profesionit, aty ku ata angazhohen.
Zoti Fishta thotë gjithashtu se me rëndësi pas këtij hapi është rishikimi i trajtimit financiar për çdo gradë të dikasterit blu. Ai këmbëngul se Ministria e Brendshme duhet sa më parë të rishikojë edhe trajtimin financiar për çdo efektiv, i çdo grade qoftë.
Deri më 15 shtator studentët ekselentë, që duan të jenë pjesë e Akademisë së Sigurisë, për tu punësuar në Policinë e Shtetit, duhet të plotësojnë disa kritere: të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, shkencat ekonomike ose në ato kompjuterike, dhe me mesataren e notave mbi 8.
Nisur nga kërkesat e shumta, Ministri i Brendshëm, ka miratuar rritjen e moshës nga 30 vjeç në 35 vjeç, për t’iu dhënë mundësinë më shumë studentëve ekselentë, që të bëhen pjesë e uniformave blu në 100 kuotat e përcaktuara për këtë vit.
Gazetare Flutura Tota
/ rtsh /