Clinton i kërcënohet Iranit me sanksione të reja
SHBA-ja ka theksuar se dera ende është e hapur për Iranin që ky vend të përmbushë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për ambiciet e veta bërthamore, por tërhoqi vërejtjen se është duke zhvilluar diskutime me aleatët e vet për hapat e mëtutjeshëm, përfshirë këtu edhe sanksionet e reja.
“Natyrisht, dera për Iranin ende është e hapur për të bërë atë që duhet të bëjë dhe që të përmbushë obligimet e veta ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton.
Ndarazi, Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se ajo ka diskutuar me aleatët “trysninë dhe sanksionet” ndaj Iranit për shkak të programit të vet bërthamor, për të cilin Perëndimi beson se është një mbulesë për prodhimin e armëve bërthamore.
“Kemi filluar diskutimet me aleatët për trysni dhe sanksione. Synimi ynë është që të ushtrojmë trysni ndaj qeverisë iraniane dhe në veçanti ndaj Gardës Revolucionare, elemente brenda të së cilës po i kontribuojnë vuajtjeve të iranianëve të thjeshtë, të cilët meritojnë një jetë më të mirë, se sa ajo që kanë tani”, tha Clinton.
Ajo dënoi gjithashtu edhe represionin e autoriteteve kundër ithtarëve të opozitës iraniane dhe raportet për arrestimin e qindra aktivistëve të opozitës.
“Jemi të brengosur për shkak të sjelljeve të tyre, për shkak të synimeve të tyre dhe për shkak të represionit që po ushtrohet ndaj atyre, të cilët po tubohen dhe po shprehin qëndrimet e tyre, të cilat bien ndesh me ato të kreut iranian, i cili nuk po dëshiron të dëgjojë”, nënvizoi Clinton.