E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet ambasada amerikane në Jemen

Ambasada amerikane në Jemen ka rifilluar sot punën, pas mbylljes dyditore të saj, duke theksuar se operacionet anti-terroriste e ndërmarra nga autoritetet e Jemenit i janë adresuar kërcënimin, i cili e kishte nxitur mbylljen e ambasadës.

Ambasada u mbyll, për shkak të frikës nga sulmet e mundshme të Al Qaidës. Megjithatë, në kumtesën e publikuar në faqen e saj në internet, ambasada amerikane theksoi se aksionet e Jemenit i janë adresuar fushave specifike të brengave dhe i kanë kontribuar vendimit të ambasadës për të rifilluar punën.

Hapja u bë vetëm një ditë pasi që forcat jemenite të sigurisë u përleshën me pjesëtarë të Al Qaidës, duke vrarë dy prej tyre. Ministria e Brendshme e Jemenit njoftoi dje se ka shtuar masat e sigurisë përreth misioneve të huaja.

“Nuk ka arsye për t’u frikësuar nga kërcënimi për sulme terroriste. Siguria është e mirë në kryeqytet dhe në provinca dhe nuk ka nevojë për t’u frikësuar për jetët e shtetasve të huaj apo për sigurinë e ambasadave”, ka theksuar Ministria e Brendshme.

Washingtoni është duke mbështetur përpjekjet e presidentit të Jemenit, Ali Salehut, në luftën kundër degës së Al Qaidës që vepron në Jemen.

Përpjekjet e fundit u lavdëruan edhe nga Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e cila përgëzoi qeverinë e Jemenit për operacionet që ka ndërmarrë së fundi kundër Al Qaidës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›