E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Ndaluam 107 klandestinë nga Maroku dhe Palestina

Shkodër- Më shumë se 100 të huaj janë ndaluar nga Policia e Kufirit në Shkodër, në tentativë për të dalë nga Shqipëria për në Malin e Zi gjatë vitit që po lëmë pas. Në analizën e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, thuhet se janë kapur 107 persona që kanë tentuar të bëjnë kalim të paligjshëm të kufirit drejt Malit të Zi dhe vendeve të tjera. Sipas të dhënave zyrtare të këtij institucioni, nga 107 shtetasit e ndaluar, 47 janë shtetas maroken, 35 janë shtetas palestinezë, 9 shtetas algjerianë, 7 shtetas tunizianë dhe 9 të tjerë janë iranianë dhe libianë, ku për këta shtetas janë dhënë urdhrat e largimit dhe 99 prej tyre janë dërguar në qendrën e mbyllur në Kareç. “Gjatë këtij viti, nga strukturat e policisë kufitare janë evidentuar 35 vepra penale, nga të cilat 27 të zbuluara. Për sa i përket kontrabandës me mallra që paguhet akcizë, ka pasur katër raste me mall të kapur kafe, e cila ka hyrë nga Mali i Zi në Republikën e Shqipërisë, ndërsa nuk ka munguar as trafikimi i mjeteve motorike ku janë evidentuar gjithsej 20 raste me 20 autorë, trafikimi i lëndëve narkotike 5 raste, nga këto 2 raste me autorë 4 persona të arrestuar dhe 3 raste pa autorë”, - njoftoi kjo polici. Ndërkohë që janë arrestuar në pikat kufitare të zonës së Shkodrës 19 persona në kërkim, nga këta 14 shqiptarë dhe 5 të huaj. D. K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›