E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Qendrore lajmëron rritje të rreziqeve për ekonominë

Pritet ndryshim i diferencës midis normës së interesit të dollarit dhe euros në raport me lekun

Rreziqet për ekonominë pritet që këtë vit të rezultojnë më të larta krahasuar me vitet e tjerë dhe kryesisht me vitin e kaluar. Alarmi ka ardhur dje nga Banka e Shqipërisë në një raport të publikuar për herë të parë, i cili merr në analizë rreziqet për ekonominë. Sipas raportit, spektri i rreziqeve gjatë vitit të kaluar është zgjeruar dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe këtë vit. Duke iu referuar gjithashtu edhe krizës së fundit financiare që buron nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe që aktualisht po transmetohet në të gjitha ekonomitë botërore, Banka e Shqipërisë vëren se ekziston rreziku që ajo mund të mbërrijë brenda pak kohësh edhe në Shqipëri.

Kanalet e transmetimit të krizës

Në raport thuhet se mënyrat sesi kriza mund të transmetohet në Shqipëri janë të shumta, ndërkohë që disa janë kanalet më të spikatur. Kanali i pari ka të bëjë me ndryshimin e shpejtë të diferencës midis normës së interesit të euros dhe dollarit në raport me lekun, çka do të sillte dukshëm një nxitje të kredisë në valutë. Por ky fenomen përbën një rrezik për publikun, i cili të ardhurat i ka në monedhë vendase, por që sipas Bankës së Shqipërisë nuk ka as informacionin e duhur për monedhën me të cilën merr kredinë apo dhe madhësinë e interesit. Kanali i dytë lidhet me përzierjen e krizës financiare me atë të çmimeve, duke sjellë vështirësi likuiditeti për bankat dhe rënie ekonomike edhe për vende të vogla si Shqipëria.

Rreziku i largimit të investimeve

Banka Qendrore vëren në raportin e publikuar dje, se kriza aktuale financiare do të detyronte bankat që të rishikonin strategjitë e tyre në lidhje me përballjen e rreziqeve, duke reflektuar më qartë interesat e tyre, sesa të ambientit ku veprojnë, çka rrezikon të sjellë gjithashtu edhe tkurrje të investimeve. Megjithatë, analizat e Bankës së Shqipërisë sigurojnë se në përgjithësi sistemi financiar në vendin tonë paraqitet i mbrojtur nga rreziqet e sipërpërmendura dhe për momentin nuk identifikohet ndonjë rrezik, i cili mund të dëmtojë rëndë sistemin financiar vendas.

Treguesit makroekonomikë

Gjatë vitit 2007, treguesit makroekonomikë shënuan një ecuri të qëndrueshme, pranë prirjes së tyre disavjeçare. Rritja vjetore ekonomike pritet të jetë pranë nivelit 6 për qind, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, pavarësisht rritjes së deficitit tregtar. Në fund të vitit, Qeveria e Republikës së Shqipërisë plotësoi objektivat në lidhje me nivelin e të ardhurave dhe të shpenzimeve publike, tepricën negative (deficitin) buxhetore, si edhe në lidhje me madhësinë e financimit të një pjese të shpenzimeve me burime të brendshme të tregut financiar. Shpenzimet e kryera veçanërisht në pjesën e fundit të vitit, ndryshuan tiparet e financave publike, të cilat deri atëherë shfaqën një tepricë pozitive buxhetore. Politika monetare iu përgjigj presioneve inflacioniste, të cilat u ashpërsuan dhe u shfaqën qartë në tremujorin e fundit të vitit. Efekteve negative mbi kostot e prodhimit dhe ofertën e mallrave, të krijuara si rezultat i motit të thatë në periudhën e verës dhe të vjeshtës, si edhe të situatës së rënduar energjetike brenda vendit, iu shtuan pasojat e një situate të vështirë në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›