Kroacia, asistencë në nivel ekspertësh për plotësimin e pyetësorit
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, zhvilloi një vizitë pune dyditore në Kroaci ku takoi ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Jandrokoviç, nga i cili mori mbështetjen e plotë të Kroacisë për asistencë në nivel ekspertësh për procesin e pyetësorit. Jandrokoviç tha se ekspertët kroatë janë të gatshëm të kontribuojnë në të gjitha fazat e pyetësorit, duke dhënë eksperiencën e tyre për një fazë që Kroacia e ka kapërcyer me sukses. Ministrja e Integrimit, nga ana tjetër, informoi mbi ngritjen e strukturave në funksion të të plotësimit të pyetësorit, si dhe mbi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Jandorkoviç vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare deri tani dhe konfirmoi edhe njëherë se Kroacia do të ndihmojë Shqipërinë hap pas hapi në këtë proces, proces që, sipas tij, do të ndihmojë në stabilizimin dhe zhvillim e të gjithë rajonit. “Ne jemi optimistë se Shqipëria do të përmbushë brenda afateve plotësimin e pyetësorit si dhe brenda 2010-s do të arrijë liberalizimin e vizave, duke qenë se po përmbush me sukses kushtet e Udhërrëfyesit”, - është shprehur Bregu.
Teuta Topi bën thirrje për ndihmë ndaj fëmijëve të ngujuar
Me rastin 20-të vjetorit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, Zonja e Parë, Teuta Topi, në bashkëpunim me drejtues të UNICEF-it në Shqipëri, organizoi në ambientet e Pallatit të Brigadave një veprimtari festive përkujtimore. Të ftuar specialë të saj në këtë ditë ishin fëmijë përfaqësues të grupeve të ndryshme sociale dhe komuniteteve shoqërore të vendit. si dhe prindërit dhe edukatorët e tyre. Kjo veprimtari u nderua nga pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili shoqërohej edhe nga dy vajzat, Etida dhe Nada. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, së bashku me familjen e tij, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të institucioneve të pavarura etj. Në fjalën e saj zonja Topi vuri në dukje se ndonëse shoqëria shqiptare dhe institucionet shtetërore kanë bërë një progres të dukshëm në marrëdhëniet me fëmijët, kjo marrëdhënie ka nevojë për përmirësime. Duke iu referuar periudhës së gjatë të tranzicionit shqiptar, Zonja e Parë nënvizoi faktin se një fenomen shqetësues kanë qenë edhe fëmijët e ngujuar duke bërë thirrje për zhdukjen e këtij fenomeni në vendin tonë.
23 Nentor 2009