E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Shijak i dënuari për trafik droge



DURRËS – Vetëm 10 ditë pasi gjykata e ka dënuar Fatos Llaftiun për trafik droge, policia ka bërë të mundur prangosjen e tij në qytetin e lindjes. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje në mëngjes u bë e mundur kapja e shtetasit 51-vjeçar, lindur dhe banues në lagjen “Kodra” në Shijak. Llaftiu është shpallur në kërkim me shkresë nr.4696/1. prot., datë 19.11.2009 nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Për këtë shtetas Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr. 931 datë 09.11.2009 ka dhënë masën e dënimit me 7 vjet burg për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”. “Kapja e këtij shtetasi është bërë e mundur nga ana e efektivave të Sektorit Operacional dhe Kërkimit në lagjen ‘Kodra’ në qytetin e Shijakut, pikërisht në banesën e tij”, - thonë burimet zyrtare të policisë së Durrësit.

Tre në pranga, qëlluan me armë

TIRANË - Tre persona janë vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, pasi kanë qëlluar me armë në ajër. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se mesditën e së premtes shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve Florent Kosta, 23 vjeç, lindur e banues në Vrap, Komuna Baldushk. Sefer Alsina, 48 vjeç, lindur e banues në Vrap të komunës Baldushk. Arrestimi i tyre u krye pasi dyshohen se në fshatin Vrap, pas një konflikti përmes tyre, kanë qëlluar në ajër me armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 gëzhoja automatiku. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “kanosjes”, “prishjes se rendit e qetësisë publike” dhe të “armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Po dje, gjatë orëve të vona të mbrëmshme shërbimet e Komisariatit Nr. 5 në kryeqytet kanë bërë arrestimin në flagrancë të Admir Satkas, 23 vjeç, banues në Valias. Arrestimi i tij u krye sepse dje në Valias dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma tip pushkë 20-she, model 56, me kalibër 7.62 mm, dhe një krehër pa fishekë.

Prangoset në Itali shqiptari i dënuar për vrasje

ROMË – I dënuar me 20 vite burg në Shqipëri, për vrasje është vënë në pranga në Itali. Mediat italiane bëjnë të ditur se është arrestuar nga karabinierët e Santa Maria delle Mole një 34- vjeçar, i kërkuar prej vitesh në vendin tonë. Arrestimi i tij është bërë rastësisht, gjatë momentit kur policia ka qenë duke bërë kontrolle territori. Sipas medias së shtetit fqinj, i ndaluari ka vrarë më 1995-n një qytetar në Lushnjë. Krimi kishte ndodhur pas një zënkë mes dy personave. Viktima dhe pse i shtruar në spital, nuk kishte mundur të mbijetonte. Sipas të dhënave, shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, duhet të vuajë dënimin prej 20 vitesh, të dhënë nga Gjykata e Lushnjës.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›