E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga grabitësit e shtetasve sllovenë



KRUJË – Brenda 24 orësh janë zbuluar autorët e grabitjes së katër sllovenëve të punësuar në një kompani që kryen aktivitet në Thumanë. Menjëherë pas denoncimit, strukturat policore në qarkun e Durrësit, të ndihmuara nga agjentët specialë në Policinë e Shtetit, organizuan operacionin e koduar me emrin “SAAB”. Sipas burimeve zyrtare, autorët e grabitjes së katër shtetasve të huaj në aksin Fushë-Krujë – Thumanë janë shtetasit Ymer Hila dhe Gazmend Kulla. Mbrëmjen e së enjtes këta persona kishin përgatitur një plan të mirorganizuar për të grabitur sllovenët e punësuar te qendra tregtare “City Park”. Fillimisht ata kanë vjedhur një makinë tip “Ford Fiesta”, me targë TR 3379 L, në pronësi të shtetasit, me iniciale H. C., të parkuar pranë Muzeut Kombëtar. Me këtë mjet Imer Hila dhe Gazmend Kulla, rreth orës 03:30 të ditës së premte, në aksin rrugor Fushë-Krujë – Mamurras, dhe pikërisht në kthesën e Thumanës, u kanë vjedhur me dhunë 4 shtetasve sllovenë, të cilët janë punëtore të firmës “Marko 5”, një sasi parash. Të dëmtuarit janë: F. Z., B. L., B. K dhe D. P., që të gjithë lindur dhe banues në Slloveni. Ata po udhëtonin me mjetin e tyre tip “SAAB 93”, me targë KPL 3927, viti prodhimit 2004, ngjyrë të zezë, me vlerë 30 mijë euro, kur dy personat iu kanë marrë të gjitha sendet e tyre personale si; dokumentet e identifikimit, 2800 euro, dy aparate fotografike, katër aparate celulare, katër valixhe me sendet e tyre personale si dhe makinën luksoze. Grabitësit Hila dhe Kullta pasi kanë kryer vjedhjen, rreth një kilometër nga vendit i ngjarjes, kanë braktisur automjeti tip “Ford Fiesta”, duke i vënë zjarrin, i cili është arritur të shuhet nga ana e Policisë. “Autorët u arrestuan në Tiranë dhe konkretisht; Ymer Hila në një banesë të cilën e kishte marrë me qira në zonën e Saukut, ndërsa Gazmend Kulla u arrestua në një lokal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqsor Tiranë”, - thonë burimet policore. Sipas tyre, policia gjeti edhe makinën që dy autorët u kishin vjedhur shtetasve sllovenë, e cila ishte parkuar në një rrugicë në lagjen “Sauk i vjetër”. Dy personat e arrestuar pritet të akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”, ”vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim” dhe “shkatërrim të pronës me zjarr”, ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së rrethit.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›