Shantazhi i pedagoges me kasetën sekrete prangos agjentin dhe inspektorin
GJIROKASTËR – Shantazhi që i kanë bërë një pedagogeje në Gjirokastër me një kasetë filmike ende misterioze, duke i kërkuar para, ka çuar në pranga një punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe një inspektor tatimesh. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se inspektori në degën e Tatim-Taksave në Gjirokastër, Adriatik Çalaj dhe shtetasi Laert Braho i kanë kërkuar shtetases A. Sh., me detyrë pedagoge në universitetin “Eqrem Çabej” një shumë prej 4000 eurosh në shkëmbim të materialit filmik komprometues që kishte lidhje me këtë të fundit. Sipas tyre, këta dy persona janë kapur në flagrancë në momentin kur po i merrnin të hollat pedagoges në shkëmbim të videos. Por, A. Sh., e ndodhur nën presion, ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka vënë në ndjekje autorët e shantazhit dhe më pas i ka prangosur në kushtet e flagrancës.
Ngjarja
Pedagogia e universitetit “Eqrem Çabej” është ndodhur përballë një momenti të vështirë kur dy zyrtarë të shtetit e kanë telefonuar duke i bëri të ditur asaj praninë e një kasete me pamje filmike komprometuese. Ata e kanë kërcënuar duke i thënë se do t’i publikojnë pamjet filmike në televizionin vendor. Sipas burimeve jozyrtare, në kasetë kishte disa pamje të momenteve të jetës private. Për disa kohë shtetasit Adriatik Çalaj dhe Laert Braho e kanë kërcënuar, duke i kërkuar një shumë të konsiderueshme parash në këmbim të rikthimit të materialit. E ndodhur në këtë gjendje, pedagogia e moshës rreth 30 vjeçe, ka kërkuar ndihmën e policisë.
Ngjarja
Pikërisht në momentin kur vajza kishte përgatitur shumën e parave që kishin kërkuar shantazhuesit, ajo ka ngritur kurthin. Menjëherë pas denoncimit janë vënë në punë agjentët e policisë, të cilët kanë ndjekur hap pas hapi dorëzimin e sasisë së parave. Për ndalimin e dy zyrtarëve policia organizoi operacionin e koduar me emrin “Inteligjenca”. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:40, kur shtetasi Laert Braho ishte duke i marrë shumën prej 4000 eurosh pedagoges, u kap në flagrancë. Mësohet se shuma e lekëve të marra nga Braho do t’i dorëzohej inspektorit të Tatimeve, Adriatik Çalaj. Në momentin që shtetasi Laert Braho ka marrë shumën e lekëve, është arrestuar në flagrancë nga Policia dhe shuma e lekëve është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në momentin e kapjes, shtetasit Adriatik Çalaj iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një disketë me materiale me të cilat i bënin shantazh shtetases së mësipërme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim.
Por ky nuk është rasti i parë që persona të paautorizuar shfrytëzojnë pamjet filmike të jetës private të individëve për t’u zhvatur lekë këtyre të fundit. Rast tjetër është edhe plani i disa të rinjve nga Kavaja, të cilët vendosën të filmonin vajzën e një emigranti duke kryer marrëdhënie me të dashurin, dhe më pas t’i bënin shantazh babait të vajzës, emigrant në Itali me pamjet, me qëllim që ai të paguante që imazhet të mos bëheshin publike.
23 Nentor 2009