Varfëria detyron 82 kryeqytetas të shkojnë në burg me vullnetin e tyre
Laureta Rryçi
Varfëria të detyron të kërkosh të shkosh në burg me vullnetin tënd. Kjo është historia fatkeqe e dhjetëra qytetarëve nga Tirana, të cilët, për shkak se nuk mund t’i shlyejnë gjobat e vëna nga gjykata, kërkojnë që t’u konvertohen në ditë burgu. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë pohuan se këtë vit janë dyfishuar kërkesa të tilla. Statistikat tregojnë se 82 qytetarë i janë drejtuar gjykatës me vullnetin e tyre për t’u konvertuar dënimin e marrë më gjobë në ditë burgu. Mes tyre nuk gjenden vetëm kryefamiljarë, por edhe shumë nëna, të cilave u duhet të lënë familjen për të shlyer detyrimet me Drejtësinë.
Kërkesat
Burime nga Gjykata e Tiranës shpjeguan se këto kërkesa vijnë si pasojë e gjendjes social–ekonomike që kanë këta qytetarë në familjet e tyre. Ky fakt vërtetohet edhe më tepër kur në vitin 2008 ka pasur vetëm 45 kërkesa të tilla. Të njëjtat burime shpjegojnë se midis kërkesave që paraqiten nga vetë qytetarët për të shlyer borxhin me Drejtësi, ka dhe shumë femra, të cilat detyrohen të lënë familjen për të shlyer me aq ditë burgu sa është dhe gjoba. Sipas vendimeve që kanë dhënë deri tani gjyqtarët thuhet se përllogaritja është bërë një ditë burgu me 5 mijë lekë. Kryesisht qytetarët që kanë bërë këtë kërkesë u ka rënë të bëjnë më shumë se 50 ditë burg. Këta qytetarë fillimisht janë ndëshkuar nga gjykata për vepra të lehta penale, si kundërvajtje. Mirëpo, duke qenë se nuk kanë mundësi financiare të shlyejnë paratë, atëherë detyrohen të zgjedhin alternativën për të ngrysur ditët në burg. Sipas statistikave, për të shqyrtuar një kërkesë të tillë duhen mesatarisht 94 ditë, që do të thotë rreth tre muaj vetëm në shkallën e parë. Mes këtyre padive ka dhe raste sporadike, kur kërkesa për konvertimin e dënimin është bërë nga institucioni i akuzës. Ky veprim mund të bëhet pas konstatimit se nuk është shlyer gjoba në kohën e përcaktuar në vendimin e gjykatës.
Varfëria
Sipas statistikave nëpër gjykata tregohet se ky fenomen nuk është evident vetëm në Gjykatën e kryeqytetit. Kërkesa të tilla raportohen pothuajse çdo ditë edhe nga rrethet. Raste të tilla, sipas informacioneve zyrtare, ka pasur në qytetin e Korçës, të Durrësit dhe Shkodrës. Pavarësisht se ku dhe kur është bërë kërkesa, objekti është i ngjashëm: “Nuk kemi para të shlyejmë detyrimin. Na e ktheni gjobën në ditë burgu”.
23 Nentor 2009