E Diel, 1 Nëntor 2026

Riker: Liberalizimi i vizave, nuk ndërlidhet me asgjë

“Nuk jam i sigurt nëse procesi i liberalizimit të vizave ndërlidhet me ndonjë gjë tjetër përveçse me liberalizimin e vizave dhe kjo siç thash është gjëja pozitive dhe e mirëseardhur për të gjithë popullin e Maqedonisë të cilët gëzojnë beneficione nga kjo dhe kanë një mundësi për më tepër udhëtime interakcioni dhe eksperiencë që është edhe çelësi i shekullit 21”, ka deklaruar ambasadori amerikan gjatë qëndrimit në komunën e Zhelinës.

Ai me këtë rast ka përshëndetur rekomandimin e KE-së për heqjen e regjimit të vizave. Diplomati i parë amerikan, Riker nuk ka komentuar deklaratën e ministrit serb të policisë, Ivica Daçiç për gjoja destabilizimin e rajonit dhe prani të forcave të armatosura, duke përfshirë edhe Maqedoninë.

”Nuk jam i njoftuar me kryepolicin e Serbisë apo deklaratën e tij dhe mendoj se nuk mund ta komentoj këtë”, ka theksuar ambasadori. Nga ana tjetër, ai gjatë takimit me kreun e kësaj komune ka premtuar bashkëpunimin dhe është njohur me projektet e kësaj komune rurale.

Në pyetjen e gazetarëve se nëse edhe SHBA-ja në një të ardhme të afërt do ta ndjekë shembullin e Bashkimit Evropian dhe do ta lehtësojë regjimin e vizave për Maqedoninë, ambasadori amerikan Filip Riker u përgjigj se i tërë procesi është i kontrolluar nga Kongresi dhe ligjet e tyre. "Për atë se si të veprohet regjim pa viza me SHBA-në duhet ta ndiqni përvojën e vendeve-anëtare të BE-së për të cilat nuk nevojiten viza", tha Riker. (ina/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›