Rrëfimi surprizë: Aleks Keka, korrieri i drogës për “Bandën e Durrësit”
Aleks Keka ishte korrieri ynë i drogës nga Shqipëria për në Mal të Zi. Ky deklarim surprizë për avokatët ka dalë dje nga goja e të penduarit të “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, teksa rrëfente me detaje se si kryhej trafikimi i drogës nga Shqipëria për në Itali nga pjesëtarët e bandës. Emri i kreut të PDK-së në Malësinë e Madhe, i vrarë pak muaj më parë, doli dje në skenë nga goja e Adriatik Colit, përgjatë dëshmisë 9-orëshe dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në një seancë me dyer të mbyllura. Sipas burimeve të besueshme brenda seancës, dëshmitari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë ka habitur në këtë deklarim jo vetëm avokatët e të pandehurve, por edhe vetë prokurorët e çështjes dhe trupën gjyqësore, pasi ishte i vetmi deklarim që Coli nuk e kishte bërë asnjëherë përgjatë dëshmive dhënë për organin e akuzës. Sipas Colit, Keka është përdorur vite më parë nga “Banda e Durrësit” si korrier i drogës në Mal të Zi. Kjo gjë ka revoltuar avokatët, të cilët i thanë gjykatës se dëshmitari duhet të mendohet sepse po thotë fakte për të cilat s’ka folur në dëshminë e pendesës. Por, Coli ka vijuar edhe me detaje të reja, duke lakuar emrin e një avokati të njohur dhe të të birit, që sipas tij, kishin nxjerrë në pritë një nga viktimat e “Bandës së Durrësit”, Erion Lamajn. Sipas Colit, avokati me inicialet A.H. kishte njoftuar për vendndodhjen e shënjestrës së radhës.