E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi; Delijorgji tërhiqet, ish-gjeneral Lala kërkon gjykim të shkurtuar



Mihal Delijorgji dhe disa prej të pandehurve të tjerë janë tërhequr nga kërkesa për gjykim të shkurtuar, duke iu përmbajtur kërkesës për pavlefshmëri të akteve të sjella në gjykatë, ndërsa ish-gjenerali Agim Lala vazhdoi të kërkojë dje nga gjykata gjykim të shkurtuar. Megjithatë, përgjigjet për kërkesat e tyre do të jepen nesër nëse do të zhvillohet seanca, pasi gjyqi u shty për mungesë avokatësh. Mungesa e avokatit të të pandehurit Shkëlzen Madani detyroi gjykatën ta zëvendësojë me avokate kryesisht, të cilës i la kohë dy ditë të njihet me dosjen, me 80 mijë faqet e fashikujve të prokurorisë. Ndërkohë që lidhur me kërkesat e paralajmëruara për gjykim të shkurtuar nga pjesa më e madhe e të pandehurve, ata janë tërhequr, ndërsa avokatët e ish-gjeneralit thanë se kërkojnë gjykim të shkurtuar, pa pranuar fajësinë e klientit të tyre. Çka me pak fjalë do të thotë një gjykim më pak në numër seancash për ish-gjeneralin Lala, i veçuar nga grupi i të pandehurve të tjerë. Ish-gjenerali Lala ka pasur detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Ndërkohë që Mihal Delijorgji, që përfaqësohet në proces me avokatin e tij, Maks Haxhija, është tërhequr nga kjo kërkesë që në momentin që ka kërkuar pavlefshmërinë e disa akteve. I vetmi i pandehur i arrestuar, i pranishëm në seancë ishte Sokol Ngjeçi, ndërsa tre të tjerët kanë preferuar të përfaqësohen nga avokatët e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›