Rikonstruksioni i Pallatit të Sportit në Përmet, Hoxha: Në funksion të ekipeve sportive dhe të rinjve

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Në Përmet vijon puna me ritme të shpejta për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit, për ta kthyer në një hapësirë dinjitoze për sportistët dhe sportdashësit.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha ndau momente nga puna në një prej disa kantiereve të ndërtimit, që janë ngritur në qytetin e Përmetit, që sipas saj do t’i japë qytetit zhvillimin që i duhet.
“Punimet në Pallatin e Sportit vazhdojnë me ritme të shpejta për ta kthyer në një hapësirë dinjitoze, me kushte bashkëkohore dhe me çdo komoditet për ekipet sportive që me pasionin dhe talentin na krenojnë me arritjet e tyre”, tha Hoxha.
Rikonstruksioni total i Pallatit të Sportit është një nga prioritetet e bashkisë, për të ofruar kushtet e nevojshme bashkëkohore për ekipin kampion të qytetit në basketboll dhe për gjithë lojtarët e sportdashësit.
Pas përfundimit të punimeve të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrohen kushte më të mira, me mjedise cilësore dhe funksionale për zhvillimin e ndeshjeve, stërvitjen e sportistëve, punonjësve apo profesionistëve të tjerë, që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.
Rikonstruksioni i Pallatit të Sportit ka për synim gjithashtu krijimin e infrastrukturës bashkëkohore për ta vendosur sportin në qendër të edukimit të fëmijëve dhe për nxitjen e aktiviteteve sportive për të gjitha grup-moshat.
1 nga 10/k.s/r.e/