E Diel, 1 Nëntor 2026

I refuzon lidhjen me të bijën, i riu vret babanë e vajzës që dashuronte

25-vjeçari Eduard Kola në bashkëpunim me një person tjetër ka qëlluar për vdekje me çifte Lazër Jakun, teksa punonte si roje i një guroreje

Shkodër Nuk kishte pranuar t’i jepte të bijën për nuse, vendos të vrasë kandidatin për vjehërr. 25-vjeçari Eduard Kola ka qëlluar për vdekje 55-vjeçarin Lazër Jaku, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar që t’i jepte vajzën për nuse. Pak orë pas ngjarjes policia e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e të riut dhe të një personi tjetër, i cili ka qenë bashkëpunëtor në vrasje.

Vrasja

Fillimisht vdekja e 55-vjeçarit Jaku u konsiderua si vetëvrasje aksidentale, por më pas rezultoi se kishte qenë vrasje me paramendim. Është ky përfundimi i policisë për ngjarjen e rëndë të ndodhur të shtunën në fshatin Gajtan të Komunës Gur i Zi të Shkodrës, kur Lazër Jaku (Gjoka) 55-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri gjahu, teksa punonte si roje në një gurore në këtë fshat. Nga informacionet e marra dhe veprimet e para në vendin e ngjarjes, është menduar se viktima është vetëvrarë aksidentalisht. Por pas veprimeve hetimore ka rezultuar se viktima kishte dy plagë nga distancë e afërt dhe kjo nuk mund të ndodhte, aq më shumë me armë gjahu. Nga veprimet e kryera rezultoi se Lazër Jaku, 55 vjeç, lindur dhe banues në Gur të Zi është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjahu nga Eduard Kola, 25 vjeç, lindur e banues në fshatin “Gajtan”, Komuna Guri i Zi, të rrethit Shkodër dhe Renato Isufi, 30 vjeç, lindur e banues në lagjen “Perash” të qytetit Shkodër.

Konflikti

Sipas burimeve nga policia e Shkodrës, ka rezultuar se Kola dhe Isufi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë për motive të dobëta rojen e gurores, pikërisht në vendin e tij të punës. Mësohet se 25-vjeçari Kola ka patur një konflikt familjar me 55-vjeçarin, konflikt që sipas të njohurve të tyre ka nisur me refuzimin që viktima i ka bërë kërkesës së 25-vjeçarit për t’u fejuar me të bijën. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë e tipit beretë me 1 fishek në folenë e armës, një armë gjahu teke, gjysmë automatike, një armë gjahu teke, e cila dyshohet të jetë edhe arma e krimit. Ndaj Eduard Kolës dhe Renato Isufit Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka ngritur akuzat për veprat penale “Vrasje me paramendim e kryer ne bashkëpunim” dhe “Mbajtjes pa leje të armeve dhe municioneve të armëve të gjahut”. Kjo është vrasja e 12-të brenda këtij viti në Qarkun e Shkodrës dhe e katërta që nga fillimi i muajit shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›