E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonstruksioni i rrugës hyrëse në Sarandë, kaos për trafikun e makinave

Rruga hyrëse për në qytetin e Sarandës, ka nisur rikonstruksionin për zgjerimin, pajisjen me trotuare si dhe elementë të tjerë, për ta kthyer atë në parametra bashkëkohorë, që së bashku me rikonstruksion e rrugës Krane-Sarandë do ta bënin atë një vepër të denjë për një fluks të shtuar të turistëve. Por që në nisje, në fillim të vitit 2009,  rikonstruksioni i rrugës ka hasur në probleme e vështirësi që po e bëjnë më problematike hyrjen në Sarandë, si për këmbësorët, automjetet, shoferët, makinat teknologjike dhe agregatë të tjerë që kanë për destinacion qytetin. Problemet reflektohen tek qytetarët, të cilët duhet të shkojnë në qytetin e Sarandës si qendër të tregtare, furnizimi me materiale te nevojshme, por njëherësh edhe qendër turistike e pushimi në fundjavë. Ditët e fundit, rruga është kthyer në një postbllok të vërtetë dhe pengesë torturuese për këdo që mendon të kryejë punët e tij ose të pushojë aty. Ndalesat e shkurtra deri gjysmë orëshe janë normale dhe  udhëtarët tashmë janë të mësuar me ndalesa të tilla. Makinat janë të detyruara që shpeshherë, për disa orë të mira të presin për të hyrë dhe dalë nga  Saranda. Shkak, për këto ndalesa bëhet moskoordinimi i masave, nga ana e firmës, që po rikonstrukton rrugën për rregullimin e radhës së kalimit të mjeteve, sipas drejtimit të lëvizjes, për të mos penguar trafikun, i cili në këtë sezon ka një fluks dhe ngarkesë të madhe. Ndërsa policia bashkiake dhe ajo e qarkullimit rrugor bëjnë rolin e indiferentit, duke e lënë rregullimin e trafikut në dorë të disa punëtorëve të painstruktuar për situata të tilla. Pse duhet të fillohej në janar të 2009 rruga, kur dihej që ajo do të zgjaste për shkak të problemeve që ajo mbarte dhe kur fondi është akorduar vitin e kaluar, sipas projektit të ruajtur në sirtar, që të përdorej kur të fillonte fushata elektorale si kapital politik? Qysh nga fillimi i punimeve, bllokimet e trafikut po kthehen në gangrenë dhe askush nuk të jep përgjigje se kur do marrë fund kjo odise e prerjes së shiritave dhe mbetjes përgjysmë e rrugëve elektorale në kohë fushatash. Problemi agravohet edhe për shkak të mungesës së një zgjedhjeje të drejtë nga bashkia për zgjerimin e rrugës në disa pika, ku pronarët pretendojë mospagesat sipas vlerësimit me çmimin e kontraktuar të pronave dhe banesave që do të prishen nga kalimi i gjurmës së rrugës. Edhe këto mosmarrëveshje kanë bërë që moslejimi i kryerjes së punimeve të sjellë bllokim disa orësh të trafikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›