E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikorrigjimi i testeve, nuk ndryshojnë rezultatet

Rreth 500 të rinjtë që depozituan kërkesat për rikorrigjim të testeve të tyre nuk duhet të shpresojnë shumë për ndryshime të rezultatit. Kjo pasi verifikimi i përgjigjeve të dhëna prej tyre në provimet e lëndëve me zgjedhje nuk ka mundur që të hedhë dyshime në pjesën më të madhe të rasteve për vlerësuesit e parë.

Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj, shprehet se pas rikorrigjimit nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm në rezultatet e arritura fillimisht nga maturantët. Ndërkohë që sqaron se edhe kërkesat për rikorrigjime nuk janë të mëdha në raport me numrin në total të kandidatëve për në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Përfundimi i plotë i procesit të rikorrigjimit të testeve ku të rinjtë kanë pasur ankesa për rezultatin do të përmbyllë edhe përgatitjen e të gjitha të dhënave të domosdoshme për shpalljen e listës së fituesve të fazës së parë për në universitetet publike në vendin tonë.

Matura Shtetërore e këtij viti për herë të parë që nga fillimi i saj lejoi procesin e rikorrigjimit të testeve dhe ndryshimin e rezultateve në rast se do të verifikoheshin gabime në vlerësim. Por duket se në disa raste kërkesa për rikorrigjim më shumë u ka prishur punë të rinjve, se sa u ka ndrequr. Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit të Sistemit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, pak kohë më parë u shpreh se në rikorrigjimin e testeve të Matematikës dhe Letërsisë pati edhe zbritje pikësh të konkurrentëve.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit kanë premtuar se listat e fituesve të fazës së parë për në universitetet publike do të shpallen brenda datës 10 shtator, që është edhe afati limit në përputhje me rregulloren e maturës shtetërore.

Tashmë është mbyllur edhe afati i depozitimit të ankesave për pasaktësi që mund të jenë vënë re nga të rinjtë në publikimin e librit të transparencës. Ky botim përmban të dhënat për secilin kandidat për garën universitare. Botimi dhe shpërndarja e tij në çdo shkollë u krye nga Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), në bashkëpunim me drejtoritë dhe zyrat arsimore në rrethe.

Sipas drejtorit të APRIAL, Frederik Shalësi, përpunimi i këtyre të dhënave së bashku me rezultatet e konkurseve për universitetet specifike, si Fakulteti i Arkitekturës te Politekniku, apo degët e Akademisë së Arteve, do të jenë baza për shpalljen e listës paraprake të studentëve fitues.

Këtë vit në universitetet publike në të gjithë vendin do të pranohen rreth 20 mijë studentë. Ndërkohë që në garën universitare marrin pjesë gati dyfishi i kuotave të pranimit. Pra, mundësia për të fituar këtë vit të drejtën e auditorëve universitare publike është një me dy.

Drejtuesit e APRIAL, gjithashtu, u kanë bërë thirrje të gjithë të rinjve të maturës që pasi të shpallet lista e parë me fituesit, të kryejnë regjistrimet në degët ku janë përzgjedhur. Në të kundërt ata mund të konsiderohen si të skualifikuar gjatë fazës së dytë të shpërndarjes së kuotave të mbetura të lira.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›