Rikosheta e Gerdecit, protestat ne Greqi dhe kostot e demokracise...
Ngjarjet ende të papërfunduara që kanë përfshirë Greqinë pas vrasjes "aksidentale" të një të riu, i cili ende nuk i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, kanë shërbyer për analiza të llojllojshme. Kërshëria se ç‘po ndodh në vendin fqinj ka qenë, ashtu sikundër pritej, edhe mes nesh tepër e lartë dhe me dimensione popullore. Shumëkush shpalosi një kënaqësi të fshehtë dhe "të ligjshme", duke pohuar se në këto protesta nuk morën pjesë shqiptarët e shumtë që kanë emigruar dhe jetojnë në Greqi. Të tjerë shpërndanin përqark një kënaqësi të një lloji tjetër, e cila, pavarësisht se si shpalosej, në thelb kishte një lloj xhelozie - normale edhe kjo mes popujsh fqinjë - duke pohuar se nuk qenkemi vetëm ne që bëmë 1997-ën. Ja edhe grekët janë si ne, thotë shumëkush me kënaqësi.
Nga ana tjetër, ajo që po ndodh prej më shumë se një jave në qytetet kryesore të Greqisë, ndër ambientet nacionaliste të shqiptarëve, u bë shkak për shpërthimin edhe një herë të një mendësie superioriteti gati racor. U arrit madje deri atje, saqë demokracia greke të nënvleftësohet, të konsiderohet si një demokraci false, tualet sipërfaqësor i një shoqërie të prapambetur, një demokraci inekzistente, bizantine madje e konsideroi dikush. Dhe kjo larushi opinionesh nacionaliste është e kuptueshme dhe e justifikuar po të kesh parasysh se më së shumti është thjesht një refleksion vetëmbrojtjeje, edhe pas frustacioneve të shumta të tetëmbëdhjetë vjetëve të bashkëjetesës me fqinjët, por edhe kundrejt gabimeve jo të vogla që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen edhe sot e gjithë ditën nga qarqe të caktuara politike në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndërkaq, më të kujdesshmit, ata që e konsiderojnë veten si përfaqësues të shtetit grek në Shqipëri (??!!) kushedi pse, madje edhe kundër një gjykimi të shëndetshëm të vetë mendimit analitik grek, se klasa politike greke është një klasë e përgjegjshme…
Sidoqoftë, të gjitha këto qëndrime, pavarësisht se me kë je dakord dhe me kë kundër, pavarësisht se ç‘interesa fshehin pas tyre, janë në analizë të fundit dëshmi e një realiteti të hapur e debatues që tashmë ekziston edhe te ne. Ndërsa në botë ajo që po ndodh në Greqi është perceptuar dhe gjykuar me të tjera parametra, që nuk është se janë edhe aq familjarë për mendësinë tonë tipike postkomuniste që vjen e bëhet edhe më e ngatërruar kur vjen fjala për të gjykuar një fqinj, marrëdhëniet me të cilin janë disi kontraversale.
Ajo që të bën përshtypje në gjykimin e shpërndarë në shumë prej mediave tona dhe që kontraston me atë të vendeve të tjera me të vërtetë demokratike, është fakti se shumëkush nuk e sheh këtë që po ndodh si një shprehje të demokracisë, paçka se me një "elokuencë" disi të ekzagjeruar. Për shumë mendje të ngurta dhe të mbathura me mendësinë komuniste të të ashtuquajturit "stabilitet", ajo që po ndodh në Greqi, është së pari shqetësuese. Posaçërisht gjatë tre vjetëve të fundit, ky koncept i të ashtuquajturit stabilitet ka fituar një shtrirje thuajse të frikshme. As sot në Greqi, as para do kohësh në Francë, kur digjej Parisi, as në Itali kur miliona njerëz mbushnin sheshet për një ligj që cenon të drejtat e emigrantëve, as para do kohëve kur po kjo Athinë bllokohej nga protestuesit për çështje të shkollave, apo të ligjit të pensioneve, madje as kur Albin Kurti me miqtë e tij mbushnin rrugët e Prishtinës, askush nuk e shqiptoi termin "mungesë e stabilitetit". Sepse stabiliteti demokratik, vërejnë ata që merren me politikë, nuk është "stabiliteti" i diktaturave. Përkundrazi, shtojnë ata, vetë ekzistenca e një demokracie funksionale e ka të domosdoshme kryerjen e ushtrimeve të tilla, sikundër janë protestat, demonstratat, parregullsitë, pasi vetë demokracia është një sistem i papërfunduar dhe që e ka jetike ndryshimin. Nëse e konsiderojmë të përfunduar, atëherë demokracia vdes. Sepse, siç thotë një nga presidentët e shquar antikomunistë, kishim shumë stabilitet në diktaturë, por e paguanim atë me shumë vdekje njerëzore, si dhe me një "vdekje" të përgjithshme të shoqërisë. Apo siç nënvizon një tjetër studiues i kostove të demokracisë, nëse një kalimtar thyen një vitrinë të shtrenjtë në avenue five të Nju Jorkut, ai menjëherë arrestohet nga policia, por nëse një grup demonstruesish thyejnë të gjitha dyqanet e po kësaj avenue-je, ata policia nuk i prek dot. Dëmet konsiderohen pjesë e kostove të demokracisë.
Po tek ne ç‘po ndodh? Në emër të marrëveshjeve politike, - që janë po ashtu jetike për funksionimin e demokracisë, - është venitur dhe tharë shpirti i protestës. Duket sikur shoqëria është lodhur dhe me qetësi të frikshme po rikthehet në një shoqëri të squllët e jo reaktive. Nëse për cilëndo qeveri kjo është e dëshirueshme, për opozitën është e pakuptueshme. Po ashtu, për një shoqëri ku punët shkojnë mbroth nuk lind nevoja për stisje shkaqesh politike dhe ekzagjerime eksperimentesh demokratike sikundër janë grevat, protestat dhe demonstratat masive që sigurisht kanë edhe kostot e tyre. Mirëpo nuk duket se punët në Shqipëri të shkojnë edhe aq mbarë, nëse janë të vërteta ato që shohim përditë dhe ato që thotë opozita nga foltoret e veta. Për të kuptuar diferencat e funksionimit të demokracive reale me këtë tonën, mjafton të bëjmë një paralelizëm të thjeshtë: sipas ekspertizave, vrasja e djaloshit grek nga ana e policisë ishte thuajse aksidentale, pra pasi plumbi jetëmarrës kishte bërë përpara një rikoshetë. Megjithatë, përgjegjësia mbeti e shtetit. Te ne pak a shumë ndodhi e njëjta gjë vetëm disa muaj përpara, me tragjedinë e Gërdecit. Municioni i kontrolluar nga shteti, pasi bëri një rikoshetë me murin e korrupsionit shtetëror, vrau as më shumë e as më pak, por 26 persona, si dhe shkatërroi një fshat të gjithin. Reagimi? Inekzistent.
Në të vërtetë, sot shumë analistë seriozë vërejnë se zhvillimet e fundit në Greqi, përveç të tjerash, kanë në bazë të tyre edhe dy shkaqe, që në dukje të parë nuk është se janë aq lehtësisht të kapshme: shkaku i parë është krijimi i zonave jashtë kontrollit administrativ e policor të shtetit, siç është lagjja "Eksarkia", ku janë grumbulluar anarkistët, thënë ndryshe vakumet e pushtetit, janë parakushte për turbullira. Shkaku i dytë është parë te paaftësia e opozitës greke, e cila edhe pas më shumë se katër vjetësh të një qeverisjeje problematike, të mbushur me afera të fëlliqura jo vetëm korrupsioni të shumë qeveritarëve, edhe kur mazhoranca ka vetëm një deputet më shumë (151 nga 300 vende që ka Parlamenti grek), është dëshmuar e paaftë të administrojë pakënaqësinë popullore në rritje, ta artikulojë atë dhe ta shndërrojë në faktor politik. Kjo ka bërë që edhe në këtë situatë, PASOK-u të jetë vetëm pak pikë përpara në sondazhe, ndërsa lideri Papandreu shumë pikë prapa Karamanlisit, që duket se do t‘i rezistojë momentit pikërisht për faktin se ajo që po ndodh sot e gjithë ditën në Greqi, edhe pse ka në thelb pakënaqësinë popullore ndaj qeverisjes, të mos konsiderohet si e tillë, për shkak të mefshtësisë së lidershipit të opozitës. Dhe kur politika nuk është në gjendje të përmbushë misionin e saj thelbësor: administrimin e interesave publikë (përfshi edhe pakënaqësitë apo protestat) atëherë zhvillimet mbeten në duart e rrugës. Demokracia degradon në anarki.
E që këtu ne kemi ç‘të mësojmë të gjithë. Të mësojmë se në demokraci, - nëse e duam këtë demokraci funksionale, - e kemi për "detyrë" të protestojmë, qeveria të planifikojë të mbulojë "kostot", ndërsa opozita të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Në të kundërt vjen sërish 1997-a, gjë që nuk e dëshirojmë, sigurisht.