E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët, memorandum Parlamentit grek

Sanksionimi i shqipes si gjuhë e parë zyrtare në zonat e banuara nga shtetas grekë me kombësi shqiptare dhe një sërë kërkesash të tjera janë objekt i letrës që një grup intelektualësh shqiptarë i kanë drejtuar Parlamentit të Greqisë. Dokumenti i përpiluar në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe greqisht i është dërguar për dijeni edhe Parlamentit të Shqipërisë, Parlamentit Evropian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe selisë së NATO-s në Bruksel. Teksti i memorandumit bazohet në mungesën e theksuar të barazisë e reciprocitetit të shtetit shqiptar me fqinjin tonë të jugut - Greqinë komunitare dhe mungesën e plotë të rezultateve të frytshme prej "traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Grupi i intelektualëve kërkojnë të njihet institucionalisht gjuha shqipe, si gjuha e parë zyrtare në zonat dhe nënzonat e populluara nga shtetas grekë me kombësi shqiptare (arvanitas), autoktonë, në përgjithësi në të gjithë territorin e Republikës së Greqisë. Në veçanti, e shtetasve me etni shqiptare që jetojnë në qendrat: Kostur, Konicë, Follorinë, Janinë, Filat, Paramithi, Margëlliç, Igumenisë, Pargë, Arpicë, Prevezë, Sul dhe në të gjitha nënzonat përreth qendrave të sipërpërmendura. Kërkesë tjetër është të bëhet zyrtarizmi i statistikave reale mbi numrin e saktë të popullsisë shqiptare autoktone në epiqendrat e sipërshkruara dhe rrethinat e tyre, si dhe i emigrantëve shqiptarë. I kërkohet Parlamentit grek të ratifikojë ndryshime kushtetuese në favor të të drejtave të popullsisë shqiptare brenda territorit administrativ të vet (si asaj autoktone, po ashtu asaj pjese që gëzon statusin e emigrantit), duke iu dhënë mundësinë të jenë të barabartë me qytetarët e kombësisë greke, bazuar në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, të etnive dhe emigracionet. Sakaq, kërkohet të njihen ligjërisht e njëkohësisht të implementohen në praktikë politika zyrtare për mbështetje programesh qeveritare e fondesh të veçanta për çeljen e institucioneve të dijës si: parashkollor, shkolla të nivelit të ulët, të mesëm, universitete, akademi etj., në gjuhën shqipe. Duke vlerësuar se kjo strategji do të ndihmojë dukshëm në ruajtjen e vlerave kulturore të gjithsecilës etni dhe në harmonizimin e këtyre vlerave me ato të etnive të tjera (turke, ruso-ponde, maqedonase, izraelite, vllahe, rome) në shtetin grek, që janë imazhi real multietnik i asaj shoqërie. Në memorandum thuhet se duhet shfuqizuar juridikisht e me urgjencë Ligji i Luftës 26/36 (1940), si element që së pari, komprometon pa kurrfarë dyshimi ekzistencën e Aleancës Paqeruajtëse (NATO), pjesë e së cilës dhe me të drejta reciprokisht të barabarta është edhe shteti grek; së dyti çka është dhe më esenciale, përdoret si çelës bllokues i të drejtave pronësore të shqiptarëve të Çamërisë. Intelektualët firmëtarë shtrojnë nevojën e respektimit të normave ligjore që sanksionojnë të drejtat e njeriut, të cilat në shumë raste, janë dhunuar haptazi, jo vetëm nga qarqet ultranacionaliste të shfaqura brenda politikës greke, por edhe nga institucionet e po këtij shteti. Kërkohet të respektohen të drejtat e emigrantëve shqiptarë (që e gëzojnë statusin) si pjesë integrale e shoqërisë greke, të qytetarëve shqiptarë aktualisht me liri të kufizuar, të biznesmenëve shqiptarë që operojnë në po këtë shtet etj. Memorandumi bën thirrje të evitohen, deri në eliminim, aktet e ulëta të diskriminimit racial ndaj shqiptarëve emigrantë dhe njëkohësisht format e presionit psiko-institucional, prej shekujt, ndaj popullsisë arvanite me kombësi shqiptare. Çështja e fundit ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të varreve masive të të rënëve shqiptarë të Çamërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin aktual grek, si dhe ngritja e një memoriali në kujtim të tyre.

Qëndrimi

Organizatat, kundër

memorandumit OMONIA

Rrjeti i organizatave shqiptare u pozicionua një ditë më parë kundër memorandumit që organizata OMONIA i ka dërguar qeverisë greke për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë. Ky forum ku përfshihen Klubi Kombëtar, lëvizja "Mjaft!", ASAN, shoqëria "Çamëria" dhe Instituti Liberal Shqiptar kërkuan që qeveria të mos bëjë pazare me OMONIA-n. Rrjeti i organizatave shqiptare u bën thirrje organeve qeveritare që të mos e konsiderojnë procesin e stabilizim-asocimit të Shqipërisë si një pazar në marrëdhëniet dypalëshe me cilindo shtet anëtar të BE-së që mund të shkëmbehet me varreza ushtarësh, shpallje gjuhësh zyrtare, apo më keq, rivizatime të kufijve administrativë të Shqipërisë, për të krijuar njësi autonome territoriale në modelin e "Republika Serbska" në territorin e vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›