E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Garantojmë qeverisje pa monopole

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konferencën e Dytë Zgjedhore të Lëvizjes së Gruas për Integrim në rrethin e Beratit. Meta u shpreh se, gratë dhe vajzat e rrethit të Beratit, sikurse në të gjithë Shqipërinë duhet të kenë më shumë iniciativë dhe më shumë përkushtim për të pasur një shoqëri më të emancipuar. Ai theksoi, se problemi i grave dhe i vajzave shqiptare është një problem, jo thjesht i tyre, por një problem i të gjithë shoqërisë. Nuk është thjesht një çështje kuotash dhe përqindjesh nëpër forumet e partive politike, tha Meta, apo edhe në qeverisjen e vendit, por është një çështje e madhe që ka të bëjë me vetë integrimin dhe forcimin e familjes sonë, me vetë modernizimin dhe humanizmin e mëtejshëm të shoqërisë sonë. Lideri i LSI tha se, fuqizimi i gruas dhe vajzës shqiptare në shoqërinë tonë, do të jetë një prioritet madhor dhe i përhershëm i LSI-së, si një parakusht për emancipimin e shoqërisë sonë, dhe për integrimin e vërtetë evropian të vendit tonë. Meta shprehu garancinë për suksesin e padiskutueshëm, që do të ketë LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku LSI-ja do të jetë forca që do të përcaktojë një qeverisje progresiste. "LSI-ja do të garantojë një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani, një qeverisje që t‘u shërbejë atyre që e votojnë", u shpreh Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›