E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Vendimet për Durrës-Kukës, pa vlerë juridike

Socialistët konstatojnë se vendimet e qeverisë për rrugën Durrës-Kukës janë pa fuqi juridike. Kryetari i Komisionit të Ligjeve pranë Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, denoncoi dje atë çka e cilësoi skandal që lidhet me korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës. "Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të faktit se si i pandehuri Lulzim Basha nga njëra anë dhe Sali Berisha nga ana tjetër rreken të justifikojnë korrupsionin e tyre galopant në procedurat e ndjekura për ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës", u shpreh Manjani. Sipas tij, i pandehuri ashtu edhe Kryeministri (ky i fundit herë vetë e herë nëpërmjet zëdhënësve të tij) pretendojnë se për ndërtimin e kësaj rruge ka vendosur qeveria. Partia Socialiste thotë se ka verifikuar të gjitha fletoret zyrtare të vitit 2006, vit në të cilin pretendohet se janë marrë të gjitha vendimet e qeverisë për ndërtimin e kësaj rruge. "Dhe rezulton se tre nga katër vendimet e pretenduara nuk janë të botuara në fletoret zyrtare", konstatoi Manjani. Konkretisht, nënvizoi ai, vendimet numër 158 datë 15.03.2006, nr. 481 datë 14.06.2006 dhe nr. 460 datë 10.07.2006, që i pandehuri Basha dhe Kryeministri pretendojnë se janë marrë në qeveri nuk gjenden në asnjë fletë të fletoreve zyrtare të shtetit. Manjani theksoi se në vitin 2006, vit në të cilin pretendohet se janë marrë të gjitha vendimet e qeverisë që lidhen me rrugën Durrës-Kukës, ka gjithsej 154 numra fletoresh zyrtare. "Po të shihni të gjithë këta numra, do të gjeni vetëm VKM 651 datë 27.09.2006, vlera juridike e të cilit është tërësisht e kontestueshme, sepse referenca e tij bazohet një njërin prej tre vendimeve të mëparshme të pabotuara", tha Manjani. Ai i kujtoi nenit 117 të Kushtetutës së Republikës ku thuhet se "Ligjet, aktet e Këshillit të Ministrave, të ministrave dhe institucioneve të tjera qendrore, marrin fuqi juridike vetëm pasi botohen në Fletoren Zyrtare". Manjani vlerësoi se botimi i vendimeve të qeverisë nuk është as çështje dëshire e as thjesht çështje transparence (që megjithatë ka munguar). "Botimi i këtyre vendimeve lidhet drejtpërdrejt me fuqinë juridike të vetë akteve. Kjo do të thotë se vendimet e qeverisë që nuk botohen në fletoret zyrtare nuk kanë asnjë vlerë juridike", tha Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›