E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqetësimet e një mjeku

Rikthehem edhe njëherë, por me keqardhje më të madhe për të njëjtën problematikë, për të njëjtën temë e cila me sa duket u bë shumë e rëndomtë, mjaft delikate, pse jo edhe shumë e turpshme. Me keqardhjen më të madhe që ndiej unë dhe çdo mjek tjetër, me keqardhjen e asaj që po ndodh me bluzat e bardha, ose siç i quajnë disa media dhe disa pushtetarë të papërgjegjshëm, bluzat e zeza. I lutem redaksisë së kësaj gazete, mjaft të lexueshme dhe shumë të nderuar të mos ma trukojë artikullin, duhet të shkruaj me origjinalitet, me inatin dhe kokëfortësinë e mjekut të përbuzur, të dhunuar, të përfolur, të korruptuar. Pse ndodh kështu? Pse kanë dalë në pah pikëpamjet mesjetare të trajtimit të bluzave të bardha, pse flitet me këtë gjuhë anarkike për pjesën më të sakrifikuar të shoqërisë. Cilat janë arsyet, kujt i leverdis??? Çfarë duhet të bëj.

Dje u masakrua profesori i talentuar, njeriu i përkryer, mjeku i përkushtuar, prindi, shoku dhe shkencëtari Agron Ylli. Por mos të harrojmë, bashkë me të, është dhunuar edhe studenti i vitit të parë të Fakultetit të Mjekësisë.

Çdo bluzë e bardhë që militon për këta njerëz, të cilët ia shpërblejnë me dhunë, sharje, fyerje, masakrime, ndoshta nuk do të jetonte më, nëse nuk do të angazhoheshin i gjithë personeli mjekësor, kirurg dhe reanimator, mjekët e dhurimit të gjakut, laburant dhe infermierë për një njeri ka të nderuar. Por mos harroni, po ky angazhim ndodh nga bluzat e bardha edhe për çdo pacient tjetër. Për këtë jam shumë kompetitiv dhe i sigurt, të kundërtën nuk ma vërteton njeri. Për ironinë e fatit, nuk më zuri syri asnjë parlamentar, qeveritar apo njeri tjetër i kësaj politike. I vetëm dhe mjaft i shqetësuar ishte profesori dhe mjeku i nderuar, deputeti Tritan Shehu. Të gjithë kirurgët te dera e sallës së operacionit kishin thyer çdo rregull asepsie, duanin dhe kërkonin të jepnin ndihmën e tyre pavarësisht nga ekipi i shkëlqyer, kirurg dhe reanimator, që po kryenin ndërhyrjen kirurgjikale të kryesuar nga kirurgu me mjaft përvojë doktor Xhafa dhe profesor Edmond Çeliku, profesor Ali Refatllari dhe doktor Sotir Seka. Për një moment, pashë shkaraz që u fut në operacion profesor Refatllari që i mbijetoi vdekjes para disa muajsh nga një masakër tjetër e cila u shua shumë shpejt dhe ngjarja u zhduk si bora në shi. Jam i bindur se shumica e parlamentarëve dhe qeveritarëve nuk e kanë marrë vesh akoma ngjarjen e kësaj dite. Natyrisht, nuk është faji i tyre janë në weekend jashtë shtetit. Jam i bindur se edhe kjo ngjarje, që i ngjan një Gërdeci edhe më të madh, do të shuhet për tri ditë, ashtu siç ka ndodhur edhe me problemet e tjera në mjekësi.

Drejtues të nderuar të Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit të Mjekësisë, QSUT, Departamentit të Fakultetit të Mjekësisë, juve profesor të nderuar, ju kërkojmë të organizoni dhe të nxirrni fajtorët e kësaj katastrofe mjekësore e paparë në historinë e mjekësisë. Më kujtohet kur u dhunua profesor Refatllari, u bë një tubim 30 minutësh dhe drejtuesit e kirurgjisë, shefat e pavijoneve dhe shefi i departamentit të kirurgjisë, nuk e ndërprenë punën, përkundrazi atë ditë pati aktivitet edhe më të zgjeruar kirurgjikal. Pse ndodh kjo? Shumë e thjeshtë, sepse komuniteti i mjekëve sot është më i përçarë se kurrë. Është larguar dashuria dhe miqësia midis tyre dhe në vend të saj është instaluar urrejtja, përçarja. Ajo që dimë të bëjmë sot më mirë, është të përbuzim, të përgojojmë, të përflasim dhe të injorojmë njëri-tjetrin si ballkanas dhe si shqiptarë që jemi.

Por mos harroni të nderuar kolegë, po nuk të deshi nëna, njerka të ka flakur me kohë. Të nderuar profesorë, ngjarjet sa po vijnë dhe po rrokullisen mbas çdo ngjarjeje, vjen një tjetër edhe më e dhimbshme. Mbas çdo humnere vjen një tjetër më e thellë se e para dhe çuditërisht kjo ndodh me atë armatë të madhe që sakrifikon më shumë, që ka lënë problemet e mëdha familjare, kanë lënë mënjanë fëmijët e tyre dhe i janë kushtuar kauzës së madhe, humanizmit të madh, ku çdo pacient e konsiderojnë si familjarin e tyre. Pse kjo pjesë elitare e shoqërisë duhet të ketë këtë fat. Nga ana tjetër, pse shoqëria, duhet të ketë këtë sjellje me këtë pjesë e cila çdo gjë e ka me sakrificën maksimale. Me sa duket duhet thënë: harram e pastë kush e fiton me djersë. U lutem edhe një herë drejtuesve të QSUT dhe ju drejtues të departamenteve, duhet njoftuar dhe më pas duhet protestuar, sepse jam i bindur se nuk do të dilnit deficitar nga ditët e fundit të këtij viti. Duhet të ngrihemi të kërkojmë ato që mungojnë, ato që ne meritojmë, ato për të cilat kemi nevojë çdo ditë, gjithmonë larg ngjyrave partiake dhe gjithmonë në shërbim të pacientit.

Profesor, mos u mbyllni në kioskat tuaja, por analizoni, konkluldoni dhe kërkoni pse arrestohen mjekët, pse dhunohen ata, pse janë të çoroditur. Pra pse kjo situatë është në disfavor të pacientit. Të nderuar drejtues të dikasterit më të lartë(Ministria e Shëndetësisë) furnizoni spitalet qoftë edhe me një aspirinë. Lutem dhe vazhdimisht lutem që komunitetit të ndryshojë mënyrën e të menduarit dhe të sjellurit me mjekët. Që qeveria dhe parlamentarët të ndryshojnë mendimin për mjekët, për bluzat e bardha dhe jo t‘i cilësojnë ata si maska të zeza. Lutem mjekëve, të kërkojnë sa më shumë dhe më fort për të drejtat e tyre dhe në fund lutem për doktor Agron Yllin shërim të shpejtë, kthim sa më të shpejtë në punë me po atë energji dhe vitalitet si më parë. Lutem!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›