E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikthehen grabitjet me armë në aksin e Dibrës, bien “viktima” vëllezërve tregtarë

Grabiten në Milot vëllezërit S.C dhe A.C., nga Maqellara e Dibrës

LEZHË – Rishfaqen grabitjet me armë në aksin Milot-Burrel. Dy vëllezër tregtarë janë grabitur në orët e para të ditës së hënë nga tre persona, ku njëri prej tyre ishte i maskuar. Burimet zyrtare të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se më datën 7 korrik, rreth orës 04.30, janë njoftuar se në rrugën nacionale që lidh qytetin e Milotit me autostradën, ka ndodhur një grabitje me armë. Sipas njoftimit zyrtar, “dy vëllezërit S. C dhe A. C., lindur dhe banues në fshatin Maqellarë të rrethit të Dibrës janë nisur nga Bulqiza në drejtim të Lushnjës (për të marrë furnizim zarzavate ), por një makinë tip “Fiat Uno” me targa italiane brenda së cilës ndodheshin 3 persona, iu ka zënë pritë në afërsi të Milotit, duke i grabitur dy vëllezërit. Policia e Qarkut të Lezhës ka gjetur mjetin e braktisur nga grabitësit, si dhe ka bërë identifikimin e autorëve, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ngjarja
Dy vëllezërit S.C. dhe A.C. janë nisur rreth orës 22 të mbrëmjes së hënë nga shtëpia e tyre në Maqellarë në drejtim të Lushnjes, ku do të merrnin furnizim për dyqanin e tyre. Teksa udhëtonin me mjetin e tyre tip Benz, furgon, në orën 3 të mëngjesit, ata kanë konstatuar se një mjet po i ndiqte nga pas. Sapo kanë hyrë në rrugën dykalimëshe të Milotit që të nxjerr në autostradën Lezhë-Tiranë, makina e tipit “Fiat – Uno”, me ngjyrë të bardhë, me targa italiane, i ka dhënë sinjal furgonit që të ndalonte. Fillimisht, dy vëllezërit nuk kanë ndaluar dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Fushë Milotit. Në afërsi të mbikalimit të superstradës, automjeti tip Fiat – Uno, i ka bllokuar rrugën furgonit, dhe nga ky automjet kanë dalë tre persona, të cilët nuk ishin të maskuar. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, njëri prej tyre mbante një armë automatike tip “Kallashnikov” në dorë. Pasi kanë ndaluar furgonin, autorët kanë kërkuar që dy vëllezërit të zbresin nga mjeti. Kur ata kanë zbritur nga furgoni, dy prej autorëve kanë hyrë në makinë, duke marrë një sasi të konsiderueshme të parave që dy vëllezërit nga Maqellara i kishin me vete për të blerë zarzavatet në Lushnje. Autorët pasi kanë marrë lekët, janë larguar duke mos ushtruar dhunë ndaj tyre.
Hetimi
Menjëherë pas denoncimit që dy vëllezërit bënë në polici, u morën një sërë masash nga komisariatet e Lezhës dhe Kurbinit, por pa arritur që të ndalojnë për momentin autorët e grabitjes. Sipas burimeve policore, u ushtruan një sërë kontrollesh në akset rrugore të Kurbinit, si dhe janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Komisariati i Policisë së Kurbinit bëri të mundur bllokimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tip Fiat – Uno, me targa italiane, ku sipas deklarimeve të marra nga dy vëllezërit e dëmtuar, rezulton që pikërisht me këtë mjet është kryer grabitja. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, është bërë i mundur edhe identifikimi i autorëve përgjegjës të kësaj vepre penale. Policia nuk ka dhënë emrat e tyre për arsye hetimi, ndërkohë që po punohet për kapjen e tyre.

“Rreth i Kujtesës” sjell nga Athina të kërkuarin për vrasje

FIER – Një 34-vjeçar është prangosur në lidhje me një vrasje të ndodhur rreth 15 vjet më parë. Policia e Fierit në bashkëpunim me Drejtorinë e Luftës Kundër Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tirana, finalizuan dje operacionin "Rrethi i Kujtesës", duke zbardhur krimin e ndodhur në vitin 1993 në qytetin e Fierit dhe arrestuar autorin e krimit. Policia e Shtetit bëri të ditur se "Konstandin Konda u arrestua në Greqi pasi u arrit të dokumentohej autorësia e tij në vrasjen me paramendim të shtetasit Bashkim Hamitaj". Në 16 qershor të këtij viti, pas një hetimi 5 mujor të strukturave të posaçme të policisë shqiptare, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për Kondën, me akuzën e "vrasjes me paramendim dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake". Arrestimi i Kondës, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, u bë i mundur pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën (Greqi). Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit Konstandin Konda për veprat penale të "vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake", i kaluan Prokurorisë së Fierit.

SHKURT
Arrestohet, kanosi me thikë policin dhe pronaren e lokalit

ELBASAN - Një 32 vjeçar në Elbasan është arrestuar në flagrancë pasi ka kërcënuar me thikë një pronare lokali dhe më pas një punonjës të forcave të rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se është prangosur shtetasi Gentjan Çela, pasi kanosi me armë të ftohtë (thikë), 50 vjeçaren M. I, pronare e lokalit “Laguna Blu” në Elbasan. Gjatë shoqërimit, 32-vjeçari nuk i është bindur urdhrit, duke i kërcënuar policët me thikë. Pas kësaj, është bërë arrestimi i Çelës, i cili akuzohet për tre vepra penale “kundërshtim të punonjësve të policisë së rendit”, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “kanosje”.

Tre inspektoriate, kontrolle produkteve ushqimore

VLORË - Tre inspektoriate në Vlorë, ai i Sigurisë Ushqimore, Higjienës dhe i Veterinarisë, nisën dje një kontroll të përbashkët, ndaj subjekteve që tregtojnë produktet me bazë shtazore. Kontrolli, që do të zgjasë gjatë gjithë periudhës së verës, do të fokusohet në procesin e therjes, tregtimit të mishit, prodhimit të sallamrave e produkteve të tjera të bulmetit. Këto aksione realizohen edhe për faktin se në Vlorë ndodhet një numër i madh pushuesish, si dhe nga temperaturat e larta të ditëve të fundit.

Asgjësohen 5700 lëngje frutash të skaduara

ELBASAN - Grupe të inspektimit ushqimor pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Elbasan asgjësuan të martën 5700 litra lëngje frutash të skaduara. Sasia ishte bllokuar falë kontrolleve të ushtruara në subjektet prodhuese dhe ato të tregtimit, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Vetëm në muajin qershor sektori i sigurisë ushqimore asgjësoi 5.6 kuintal artikuj ushqimorë, për shkak të skandencës së përdorimit.

Prangoset trafikanti i klandestinëve pas denoncimit

GJIROKASTËR – Ka arritur të kalojë drejt Greqisë 4 klandestinë, por në territorin fqinjë është ndaluar nga policia, dhe gjatë kthimit është denoncuar për trafik klandestinësh. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.30, është bërë ndalimi i shtetasit Saimir Rapo, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Poshnjë të rrethit Berat, i dënuar më parë me 6 muaj burg për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ai kishte kaluar drejt Greqisë 4 shtetas nga Berati, kundrejt 800 eurove, por janë kthyer pas 24 orësh. Sapo kanë mbërritur në kufi kanë bërë denoncimin për 29-vjeçarin.

Policia prangos dy persona, ishin dënuar për kultivim Cannabis

VLORË – Dy persona kanë rënë në pranga, pasi ishin dënuar nga gjykata për kultivim lëndësh narkotike. Në dy operacione të organizuara mesditën e së hënës, janë ndaluar shtetasit Vladimir Borakaj dhe Viljan Kapllanaj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se 59-vjeçari Borakaj, lindur në fshatin Peshkëpi të Vlorës, ishte dënuar në dhjetor të vitit 2006 me 8 vjet burg për “mbajtje dhe kultivim të bimëve narkotike. Sipas tyre, me të njëjtën akuzë ishte shpallur fajtor edhe 49-vjeçari Kapllnaj, i cili ishte dënuar me 3 vjet burg. Kohët e fundit janë ndaluar një sërë personash, të hetuar apo dënuar për kultivim të Cannabis Sativa në fshatrat e thella të Vlorës.

Plagosen dy persona të karrocë, prangoset shoferi

SHKODËR – Dy persona që ndodheshin në një karrocë janë plagosur si pasojë e përplasjes me një makinë, shoferi i së cilës është arrestuar. Burimet zyrtare të Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se ndaluan shtetasin Pjerin Parubi, lindur dhe banues në lagjen Fermentim. Sipas tyre, arrestimi i 51-vjeçarit Parubi u bë pasi ky shtetas, në rrugën automobilistike Trush-Bërdicë, duke drejtuar automjetin e tij tip Fiat Dukat, me targë SH 6170 C, i ka rënë nga pas një karroce me kalë. Për pasojë, janë plagosur drejtuesi i karrocës, L. Kroni, 58 vjeç dhe i biri, Sh. Kroni, 24 vjeç, që të dy lindur dhe banues në fshatin Bërdicë të rrethit verior.

Një tjetër pushues nga Kosova mbytet në Velipojë

VELIPOJË – Brenda pak ditësh është shënuar viktima e tjetër në plazhin e Velipojës, ku edhe kësaj radhe është një tjetër pushues nga Kosova. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut shprehen se dje në mesditë është gjetur i mbytur në det shtetasi Ali Jaha. 62-vjeçari është nxjerrë pa jetë nga uji, nga disa pushues që e kanë dalluar atë jo shumë larg bregut. Megjithë përpjekjet e shumta për t’i dhënë ndihmën e duhur, Ali Jaha ka ndërruar jetë pa shkuar në spital. Pak ditë më u mbyt në det një 72 vjeçar nga Gjakova.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›