E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e gardistëve në Cërrik, Prokuroria bën gati dosjen për gjykim

Dhjetë persona akuzohen për sulmin ndaj blindit të Gardës, ku u vranë 6 veta

Luan Kondi

Tiranë - Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dhënë fund të martën hetimeve për ngjarjen e rëndë të 23 majit të vitit 1997 në Cërrik, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vranë 6 punonjës së Gardës së Republikës, ndërsa u plagosën disa të tjerë, bënë të ditur për gazetën “Albania” burime zyrtare. Sipas këtyre burimeve, dosja në fjalë do të dërgohet pas disa ditësh për shqyrtim gjyqësor me 10 persona të marrë në cilësinë e të pandehurit, disa prej tyre të arrestuar vitin që shkoi gjatë operacionit të koduar “Autoblinda”. Të pandehurit akuzohen se në maj të vitit 1997 kanë zënë pritë në Cërrik dhe kanë sulmuar me armë zjarri autokolonën e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë së Elbasanit, që kishin shkuar në qytezën e vogël për të vendosur rendin publik gjatë trazirave të atij viti. Kjo ngjarje e rëndë u hetua nga një grup pune i përbërë nga hetues dhe prokurorë të Krimeve të Rënda si dhe ekspertë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Hetimi
Në muajin gusht 2007 policia bëri në sërë arrestimesh në qytetin e Cërrikut. Rihapja e hetimeve për vrasjen e gjashtë gardistëve dhe plagosjen e disa punonjësve të policisë më 23 maj të vitit 1997, solli provat e mjaftueshme për vënien para drejtësisë të autorëve të atij krimi monstruoz. Më në fund, pas një këmbënguljeje të gjatë hetimore, u arrit që të vërtetohet veprimtaria kriminale e atyre personave që në majin e ‘97-s goditën me egërsi mizore efektivat e Gardës dhe të Policisë e po ashtu institucionet shtetërore. Nga procedimi penal numër 45 i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë, rezulton se më 23 maj 1997, rreth orës 8:30, në qytetin e Cërrikut janë goditur me armë zjarri punonjësit e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë lokale nga disa persona ku nga këto goditje kanë gjetur vdekjen shtetasit Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi, punonjës të Gardës së Republikës, si dhe janë plagosur disa punonjës të tjerë policie. Nga hetimet e kryera rezultoi se më 22 maj 1997 është sulmuar me arme zjarri nga disa shtetas Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë nga kjo postë. Të nesërmen forca të policisë së Komisariatit Elbasan në bashkëpunim me forcat speciale (Garda e Republikës) kanë shkuar në qytetin e Cërrikut për të rivendosur rendin. Shtetasit nën hetim Llazar Bicja dhe Meti Bozi të informuar mbi këtë lëvizje, me dt. 23.05.1997 organizuan në qytetin e Cërrikut një grup personash te armatosur me qellim goditjen e forcave policore. Mëngjesin e 23 majit 1997 në lagjen Nr. 3 të qytetit Cërrik, Bicja dhe Bozi kanë takuar disa persona të tjerë, të cilët i kanë nxitur për të goditur forcat e policisë që do te lëviznin neper qytet.
Akuza
Aktualisht dhjetë persona janë akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për sulmin ndaj blindit të Gardës, ku u vranë gjashtë persona. Sipas fakteve të zbardhura deri tani, drejtuesit e policisë së Elbasanit e kanë justifikuar ndërhyrjen në Cërrik me rivendosjen e rendit dhe të sigurisë. Në datën 22 maj 1997, posta e policisë së Cërrikut ishte sulmuar nga bandat që kontrollonin qytetin. Për këtë qëllim, në drejtim të Cërrikut më 23 maj janë dërguar rreth 32 efektiva, mes të cilëve edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliqi. Ky i fundit, më 21 maj 1997, është komanduar nga ministri i Rendit i asaj kohe, Belul Çelo, si shef i Komisariatit të Policisë në Elbasan. Hetimet për këtë ngjarje u hapën kohë më parë, nga Departamenti për Hetimin e Krimeve, i cili drejtohet nga vetë Kuliqi. Si autorë dhe nxitës të sulmit mbi efektivat e Gardës së Republikës, prokuroria akuzoi Met Bozin, Roland Xhepaxhiun, Llazar Bicjan, Arian Toskën, Alban Toskën, Luftar Toskën, Bujar Buzanin, Tomor Buzanin, Entel Gashin dhe Skënder Çoni, ish-oficer i xhenios.

Ndalohen katër të rinjtë, vodhën pikën e lotarisë sportive “Glo Bast”

Tiranë – Policia ka vënë në pranga menjëherë pasi kanë vjedhur me thyerje ambientet e një lokali në Tiranë katër të rinj. Burimet thanë për gazetën “Albania” se specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera arrestuan shtetasit Gentjan Shehaj, 29 - vjeç, i dënuar më parë për vjedhje me armë, Armando Çopani, 22 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, Emiljano Berisha, 22 – vjeç dhe Besian Koka, 18 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye se në orët e parat të mëngjesit të dy ditëve më parë dyshohet të kenë vjedhur me thyerje në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë lokalin “Glo Bast”, dhe kanë marrë 295.000 lekë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë arritën të kapën në flagrancë të sipër cituarit dhe ndaj tyre u mor masa e menjëhershme e arrestit për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave prej 295 mijë lekësh, 4 aparate telefoni celular, 2 palë doreza, 1 sharrë druri, 1 palë gërshërë metalike dhe 1 levë hekuri. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kokaina shkak në verë, alibi policore për trafik i droge

Tiranë - Zbardhet sasia e drogës në shishen e verës që konsumuan shtetasit Tomi Rrumbullaku dhe Dina Xibraku në fillimin e këtij viti në një restorant në Golem, çka shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme të tyre. Hetues pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se ekspertizat e kryera në Laboratorin Shkencor pranë Ministrisë së Brendshme provuan ekzistencën në shishen e verës 0.75 l të një doze prej afro 150 gram lëndë narkotike e llojit kokainë. Sipas burimit në fjalë, këto analiza u kanë shërbyer hetuesve të marrin në konsideratë pistën për një trafik të mundshëm narkotikësh, duke kërkuar origjinën e shishes së verës, vendin nga ka ardhur, që besohet se është jashtë shtetit dhe destinacionin e saj. Duke i mëshuar kësaj piste, hetuesit thonë se rasti i trafikut të drogës përmes fshehjes së saj në lënde të lëngshme edhe pse i rrallë, nuk është i panjohur për strukturat hetimore shqiptare (droga e përzierë me lëndë të lëngshme me mbërritjen në destinacion i nënshtrohet një procesi që ndryshe njihet tharje për t’u kthyer sërish në gjendjen e mëparshme). Sipas prokurorisë, grupi hetimor po mbledh të dhëna për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Tomi Rrumbullaku dhe Diana Xibraku vdiqën nga toksikimi pas një dreke në një restorant në Golem janarin e 2008. Viktimat kishin konsumuar edhe një shishe vere, e cila nga ekspertiza rezultoi se kishte përqendrim të lartë kokaine.

Akuza merr të pandehur mjekun Hoxhallari, për vdekjen 17 vjeçares nga Pogradeci

TIRANË - Merret i pandehur mjeku i QSUT Xhevahir Hoxhallari. Lajmi konfirmohet zyrtarisht për nga burime brenda Prokurorisë së Tiranës. Mjeku i QSUT-së është vënë nën hetim nga organet e drejtësisë nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm që duket se ka qenë shkaku i vdekjes së pacientes 17 vjeçare Matilda Petriti nga Korça. Të njëjtat burime thanë gjithashtu se pritet të hetohen edhe dy mjekë të tjerë të qendrës më të madhe spitalore të vendit për të njëjtën rast. Mësohet gjithashtu se mjeku Hoxhallari është paraqitur disa herë në organin e akuzës ku ka dhënë shpjegime mbi ngjarjen e 3 muajve kur 17 vjeçarja u operua nga bajamet në një klinike private në Pogradec pas së cilës pësoi komplikacione të rënda që i shkaktuan edhe vdekjen. Ndërkohë mjeku Hoxhallari vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si mjek otorinolaringolog pranë QSUT-së. 17-vjeçarja Matilda Petriti ka humbur jetën kohë më parë në spitalin “Nënë Tereza” si pasojë e një hemorragjie.

Bum denoncimesh për kirurgun e arrestuar dje nën akuzën e mitmarrjes

Pas publikimit të arrestimit të kirurgut të njohur Kastriot Dautaj mesditën e dy ditëve më parë, policia e Tiranës dhe Prokuroria ka marrë denoncime të tjera të ish-pacienteve të tij, që kanë kryer operacione të veshkave. Bëhet fjalë për katër denoncime, të cilat i janë drejtuar policisë, ku deklarohet se doktor Dautaj u ka marre para për të kryer operacionin. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, duket se Drejtësia kërkon ta mbërthejë mirë me prova dhe dëshmi Dautajn duke kërkuar të tjera denoncime. Por, policia e kryeqytetit, pas firmosjës së urdhrit të “Task Force” ka arrestuar edhe personin që u kap në flagrancë duke i dhënë paratë profesorit. Ai është babai i pacientes së fundit që operoi kirurgu Dautaj, Luljeta Hoxhës. 54 vjecari Ibrahim Hoxha do të përballët tashmë me akuzën e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Arrestimi i profesorit nuk ka ardhur nga denoncimi i pacientit të fundit, por si pasojë e vëzhgimeve që ishte duke i bërë atij struktura “Task Force” prej disa muajsh. Ndaj kirurgut ishte hapur një hetim pas denoncimit që kishte bërë një grua për heqjen e veshkës pa dijeninë e saj. Dyshimet për përfshirjen e profesor Dautajt në një rrjet të mundshëm trafiku organesh nuk u provuan, por ndërkohë survejimi nxori në dritë mitmarrjen. Pasi ishin arkivuar me parë 6 denoncime, u desh operacioni i së hënës kur policia e kapi në flagrancë me shumën prej 50 mijë lekësh, që ai kishte vendosur si çmim për çdo operacion.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›