Rikthehen grupet kriminale, vrasje seriale në Tiranë, Elbasan dhe Fier
Bandat
Në Fier, konfliktet shuajnë djemtë e familjes Heqimi, në Tiranë ka luftë mes bandash, ndërsa në Elbasan, konfliktet pas vrasjes së Sokol Çapjes, shkaktojnë 14 viktima
Vrasjet në seri
Sokol Çobo
Ekzekutimet mafioze dhe në seri rikthehen frikshëm në disa qytete të Shqipërisë. Grupet kriminale kanë arritur të sfidojnë drejtësinë dhe të lulëzojnë sërish, megjithëse një pjesë e tyre u shkatërruan dhe u goditën pjesërisht vite më parë. Me dënimet e lehta të dhëna nga gjykatat e të tria shkallëve, dhjetëra elementë kriminalë kanë arritur të ringrenë bandat, madje kanë rekrutuar edhe persona të tjerë, duke sjellë panik te qytetarët me ekzekutimet mafioze që arrijnë ti bëjnë në mes të disa qyteteve kryesore. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të konfirmuara nga Policia e Shtetit pohojnë se vrasjet në seri, ku disa banda janë në konflikt me njëra-tjetrën, janë shqetësim konstant për banorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.
Ngjarjet në Tiranë
Në kryeqytet janë regjistruar dhjetëra vrasje që konsiderohen të pazbuluara nga ana e policisë dhe prokurorisë, megjithëse asnjë prej këtyre institucioneve nuk deklaron nëse kanë apo jo lidhje me njëra-tjetrën. Nën zë, pohojnë se të gjitha vrasjet, duke filluar nga ekzekutimi i Sokol Doçit, më 30 korrik 2011, vrasja e Arjan Selimit apo Arlind Tufës, kanë lidhje me njëra-tjetrën. Bashkëpunimi kriminal i disa personave ka sjellë këtë gjendje. Përpos vëzhgimeve dhe hetimeve, asnjë ngjarje nuk është zbardhur. Në disa raste, policia ka gjetur disa letra në trupat e viktimave apo të disa shoqëruarve, ku ishin të shënuara disa fjalë, që konsiderohen nga drejtësia si kode. Ka dyshime se grupet nuk komunikojnë në telefon me njëri-tjetrin, me qëllim shmangien e gjurmimeve të policisë dhe prokurorisë. Disa persona, me precedentë të theksuar kriminalë, janë arrestuar, por ndaj tyre është ngritur vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje.
Vrasjet në Elbasan
Ndërkohë, një seri e frikshme ngjarjesh kriminale, vrasjesh, tentativash vrasjeje, kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit. Seria kriminale daton pas dhjetorit të vitit 2005, ku pas një atentati u vra Sokol Çapja, një biznesmen i fuqishëm në këtë qytet. Më pas, ndodhën ngjarje të njëpasnjëshme, duke u ndalur tek ekzekutimi i dyfishtë i muajit gusht 2012, ku u vra Nezir dhe Gentian dhe Beqiri, atë e bir. Gentiani akuzohej se ishte një nga ekzekutorët e Sokol Çapjes, ndërsa drejtësia ende nuk kishte dhënë verdiktin, pasi viktima, në momentin e vrasjes, ndodhej në arrest shtëpie. Sipas të dhënave, autorë të vrasjes së Çapjes ishin tre persona të armatosur dhe me maska që qëlluan me pistoletë dhe me automatik Skorpion në drejtim të biznesmenit. Pas atentatit, vrasësit janë larguar me një automjet me targa të huaja. Sipas policisë, autorë të atentatit ishin shtetasit Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Ardian Meta. Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme, ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i policisë rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë nga një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Familja Çapja kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Pas arrestimit së Ardian Metës (Gentian Beqirit), u vra në rrethana misterioze në Tiranë, Dritan Sheme. Policia shpalli në kërkim Armando Hasanin, autorin e tretë të vrasjes së Sokol Çapjes. Megjithëse kaq shumë ngjarje, drejtësia (policia, prokuroria e gjykata) është e pafuqishme për të parandaluar këtë seri vrasjesh, të cilat kanë ndodhur në dijeninë e tyre. Asnjë prej atentatorëve nuk është dënuar me burg me vendim të formës së prerë, por ata janë dënuar me vdekje.
Grupet në Fier
Qyteti i Fierit vazhdon të jetë problematik për rendin, ku vit pas viti ndodhin vrasje mafioze, të pazbardhura ndonjëherë, ndoshta për neglizhencë të organeve të policisë. Familjes Heqimi i janë ekzekutuar tre djem, të cilët më parë akuzoheshin për vrasje, trafik droge dhe armësh. Shpëtim Heqimi është viktima e fundit, i vrarë në muajin gusht të këtij viti, ndërsa më parë i ishin vrarë edhe dy vëllezërit, Rivelino dhe Arbeni.
Detaje
Vlorë, Banda e Çoles
Qytete problematike për krimin e shtuar janë dhe Vlora, ku pas vitit 1997, Banda e Çoles, u ringrit nga dy vëllezërit e krahut të djathtë të Zani Çaushit. Leonard Idrizi, që kishte marrë emrin e vëllait të vdekur, kryesonte grupin që kryenin grabitje me dhunë.
Shkodra
Fenomeni i gjakmarrjes, ka marrë të tjera jetë njerëzish. Viktimë u bë edhe një vajzë 17-vjeçare në Malësinë e Madhe, ndërsa disa ditë më parë u ekzekutuan në qendër të qytetit atë e bir
Vrasjet e bujshme
Sokol Çapja - Vrasja e Çapjes, më dhjetor 2005, solli serialin e frikshëm të ekzekutimeve në Elbasan, ku numërohen dhjetëra vrasje
Arjan Selimi - Më 26 shtator 2011 u vra Arjan Selimi, një emër i njohur për shkak të arrestimit në vitin 2004 për trafik ndërkombëtar droge
Shpëtim Heqimi - 44-vjeçari u vra me pesë plumba pistolete në lagjen Liri Gogo në Fier. Gjashtë muaj më parë ishte liruar nga burgu
Doçi e Balliu - Më 15 korrik 2011 u ekzekutua Aleksandër Koliçi, ndërsa një vit më vonë, në të njëjtin vend, u vra dhe Bledar Balliu
Rikthehen grupet kriminale, vrasje seriale në Tiranë, Elbasan dhe Fier burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip