E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilin quajmë bashkëkohës?



Bashkëkohës nuk është thjesht ai që, duke perceptuar terrin e së tashmes, rrok në të dritën e sigurt; është edhe ai që, duke e ndarë e ndërshtënë kohën, është i aftë ta shndërrojë dhe ta vendosë në lidhje me kohë të tjera, ta lexojë në një mënyrë të re historinë, ta “citojë” sipas një nevojshmërie që nuk është në asnjë mënyrë pasojë e një vendimi të tij, por e një nevoje së cilës ai nuk mund të mos i përgjigjet.

Giorgio AGAMBEN

1. Pyetja që do të doja të gdhendja mbi pragun e këtij seminari, është: Bashkëkohës të kujt dhe të çfarë jemi? E sidomos, ç’kuptim ka të jesh bashkëkohës?.. Një udhëzim i parë dhe i përkohshëm për të orientuar përgjigjen, na vjen nga Nietzsche. Gjatë kurseve të mbajtura në Collége de France, në një shënim të vetin Roland Barthes e përmbledh kësisoj: “Bashkëkohësi është i pakohshëm”. Në 1874, Friedrih Nietzcshe, një filolog i ri që kish punuar deri në atë kohë mbi tekste greke e dy vjet më parë kishte bërë bujë me Lindjen e tragjedisë, publikon Konsiderata të pakohshme, me anë të të cilave dëshiron të përballet me kohën e tij, të mbajë qëndrim lidhur me të tashmen. “E pakohshme është mes të tjerash kjo konsideratë”, lexohet në fillim të Konsideratës së dytë, “sepse kërkoj të konsideroj këtu si dëm, faj e defekt të epokës diçka për të cilën epoka është me të drejtë krenare, formimin e saj historik: sepse besoj se digjemi të gjithë nga ethet e historisë dhe duhet që së paku të jemi të ndërgjegjshëm për këtë.” Nietzsche, pra, e bazon pretendimin e vet për “aktualitet”, “bashkëkohësinë” e tij në lidhje me të tashmen, në një shkëputje e në një shfazim. I përket me të vërtetë kohës së tij, është me të vërtetë bashkëkohës ai që nuk përkon në mënyrë të përsosur me të (kohën, sh.p.), që nuk u përshtatet pretendimeve të kësaj, ndaj dhe është në këtë kuptim i pakohshëm; por tamam për këtë, pikërisht nëpërmjet kësaj distance e këtij anakronizmi, ai është më i aftë se të tjerët të perceptojë e të rrokë kohën e tij. Natyrisht, ky mospërkim, kjo diskroni, nuk duan të thonë se bashkëkohësi është ai që jeton në një kohë tjetër, nostalgjiku që e ndien veten si në shtëpinë e vet në Athinën e Perikliut a Parisin e Robespierre-it e të markezit De Sade, më shumë se në qytetin dhe kohën ku i ka rënë për hise të jetojë. Një njeri inteligjent mund ta urrejë kohën e tij, por gjithsesi e di që i përket pakthyeshmërisht asaj, e di që nuk mundet t’i shpëtojë kohës së vet.
Bashkëkohësia është, pra, një marrëdhënie e veçantë me kohën përkatëse: i puthitet kësaj e njëkohësisht mban distancë prej saj. Më saktë, bashkëkohësia është ajo marrëdhënie me kohën, në sajë të së cilës i puthitemi asaj përmes një shfazimi e një anakronizmi. Ata që përkojnë me tepëri me epokën, që i puthiten asaj përsosmërisht në të gjitha pikat, nuk janë bashkëkohës, sepse pikërisht për këtë nuk munden ta shohin, nuk mund ta mbajnë vështrimin ngulitur në të.

* * *
2. Në vitin 1923, Osip Mandelshtami shkruan poezinë me titull Shekulli (porse në rusisht fjala vek do të thotë edhe epokë). Nuk përmban një reflektim mbi shekullin, por mbi marrëdhënien mes poetit e kohës së vet, domethënë, mbi bashkëkohësin. Jo “shekullin”, por sipas fjalëve që hapin vargun e parë, “shekullin tim” (vek moi): Shekulli im, bisha ime, kush do të mundet/ të të shohë brenda syve/ e të saldojë me gjakun e vet/ vertebrat e dy shekujve?
Poeti, të cilit i duhet të paguajë me jetën bashkëkohësinë e vet, është ai që duhet të mbajë ngulur vështrimin në sytë e shekullit-bishë, të saldojë me gjakun e vet shpinën e thyer të kohës. Dy shekujt, dy kohët, nuk janë thjesht shekulli XIX e shekulli XX, siç është komentuar, por e mbi të gjitha koha e jetës së individit (siç e dini saeculum në latinisht fillimisht donte të thoshte koha e jetës) dhe koha historike kolektive, të cilën e quajmë në këtë rast shekulli XX, shpina e të cilit – mësojmë në strofën e fundit të poezisë – është thyer. Poeti, si bashkëkohës, është kjo frakturë, është ajo çka e pengon këtë kohë të rindreqet. Por njëkohësisht është edhe gjaku, që duhet ta ngjisë thyerjen. Paralelizmi mes kohës e vertebrave të krijesës, dhe kohës e vertebrave të shekullit, përbën një nga temat themelore të poezisë... Tema tjetër e madhe – edhe kjo si e para, imazhi i bashkëkohësisë – është ajo e vertebrave të thyera të shekullit dhe e saldimit të tyre, që është detyrë e individit (e poetit në këtë rast). Që fjala është për një detyrë të parealizueshme, o sidoqoftë paradoksale, provohet nga strofa e mëparshme, ajo që mbyll poemën. Jo vetëm epoka-bishë i ka vertebrat e thyera, por edhe shekulli i sapolindur, vek, me një gjest të pamundur për kë ka shpinën e thyer, kërkon të kthehet pas, të sodisë gjurmët e veta, duke na zbuluar kësisoj fytyrën e vet të marrë: Por është e thyer shpina jote/ i mrekullueshmi, i gjori shekulli im./ Me një buzëqeshje të pakuptimtë/ si ndonjë bishë dikur e zhdërvjelltë/ kthehesh pas, i dobët dhe mizor,/ të kundrosh gjurmët e tua.

* * *
3. Poeti – bashkëkohësi – duhet ta mbajë vështrimin ngulitur mbi kohën e vet. Po çfarë sheh ai që këqyr kohën e tij, buzëqeshjen e marrë të shekullit të tij? Këtu do të doja t’ju propozoja një përkufizim të dytë të bashkëkohësisë: bashkëkohës është ai që e mban vështrimin ngulazi mbi kohën e vet, për të kuptuar jo dritat, por terrin. Për atë që eksperimenton bashkëkohësinë, të gjitha kohët janë të terrëta. Bashkëkohës është pikërisht ai që di ta shohë këtë errësirë, që është në gjendje të shkruajë duke e ngjyer penën në terrin e së tashmes. Po ç’do të thotë “të shohësh errësirën”, “të perceptosh terrin”?
Një përgjigje të parë na e sugjeron neurofiziologjia e të parit. Çfarë ndodh kur gjendemi në një mjedis pa dritë a kur mbyllim sytë? Çfarë është errësira që shohim në këtë rast? Neurofiziologët na shpjegojnë se mungesa e dritës vë në punë një sërë qelizash periferike të retinës, të ashtuquajtura off-cells, që hyjnë në veprim e prodhojnë atë pamje të posaçme që quajmë errësirë. Kësisoj errësira nuk është një koncept mohues: thjesht mungesa e dritës, por rezultat i veprimtarisë së off-celles, një produkt i retinës sonë. Duke iu kthyer tezës sonë mbi terrin e bashkëkohësisë, kjo do të thotë që të perceptuarit e kësaj errësire nuk është një formë inercie a pasiviteti, përkundrazi, nënkupton një veprimtari e aftësi të posaçme që, në rastin tonë, është baraz me neutralizmin e dritave që vijnë nga epoka, për të zbuluar terrin e saj, errësirën e saj të veçantë, që nuk është megjithatë e ndashme nga ato drita.
Mund të vetëquhet bashkëkohës vetëm ai, i cili nuk e lë veten të verbohet nga dritat e shekullit dhe ia del të shquajë në to konin e hijes, terrin e tyre vetjak. Me këtë s’kemi mundur megjithatë t’i japim përgjigje pyetjes: Pse duhet të na interesojë perceptimi i territ që na vjen nga epoka? Vallë, a nuk është errësira një përvojë e paemërtueshme dhe, sipas vetë përkufizimit, e papërshkrueshme, diçka që nuk na drejtohet neve, ndaj edhe s’ka përse të na interesojë? Përkundrazi, bashkëkohës është ai që e percepton terrin e kohës së vet si diçka që i përket, që nuk rresht së bëri pyetje, diçka që më shumë se çdonjëra nga dritat, i drejtohet pikërisht e veçanërisht atij. Bashkëkohës është ai, i cili e pret ballëhapur brezin e territ, që i mbërrin nga koha e vet.

* * *
4. Në kupën e qiellit që kundrojmë netëve, yjet shkëlqejnë rrethuar prej një errësire të dendur. Meqë universi ka një numër të pafund galaktikash e trupash të ndritshëm, terri që shohim në qiell është një dukuri që, sipas shkencëtarëve, ka nevojë të shpjegohet. E pikërisht për shpjegimin që astrofizika bashkëkohore i jep kësaj errësire, do të doja të flisja tani. Në universin që zgjerohet, galaktikat më të largëta largohen prej nesh me një shpejtësi aq të madhe, sa drita e tyre nuk mundet të na arrijë. Çka perceptojmë në qiell si errësirë, është kjo dritë që udhëton me shpejtësi të madhe drejt nesh e që megjithatë s’mund të na mbërrijë, sepse galaktikat nga vjen, largohen me shpejtësi më të madhe se ajo e dritës. Të perceptosh në terrin e së tashmes këtë dritë, që rreket të na mbërrijë e s’mundet, kjo do të thotë të jesh bashkëkohës. Ndaj edhe bashkëkohësit janë të rrallë. Ndaj edhe të qenët bashkëkohës është, mbi të gjitha, çështje kurajoje, sepse do të thotë jo vetëm të jesh i aftë ta mbash vështrimin ngulitur mbi terrin e epokës, por edhe të perceptosh në atë terr një dritë që drejtohet për nga ne, duke na u larguar pafundësisht. Pra domethënë: të jesh i përpiktë në një takim, të cilin vetëm mund ta humbësh.
Ndaj edhe e tashmja që percepton bashkëkohësi i ka vertebrat e thyera. Në fakt koha jonë, e tashmja, nuk është vetëm ajo më e largëta, por edhe ajo që s’mund të na mbërrijë në asnjë mënyrë. Shpina e saj është e thyer e ne qëndrojmë pikërisht në zonën e thyerjes. Ndaj edhe jemi, pavarësisht gjithçkaje, bashkëkohës. Duhet ta kuptoni që takimi për të cilin flasim, nuk ndodh thjesht në kohën kronologjike: bashkëkohësia është diçka që ngutet brenda kohës kronologjike dhe e shndërron atë. E kjo ngutshmëri është pakohshmëria, anakronizmi që na jep mundësinë të rrokim kohën tonë në trajtën e një “shumë shpejt-i” që është edhe pak “shumë vonë”; të një “të tashmeje” që është edhe “ende jo”. Dhe, njëkohësisht, na jep mundësinë të shquajmë në terrin e së tashmes dritën që, pa na arritur kurrë, udhëton përjetësisht drejt nesh.

* * *
5. Një shembull i mirë i kësaj përvoje të veçantë të kohës që e quajmë bashkëkohësi, është moda. Çka e karakterizon modën është se ajo fut në kohë një pavijueshmëri karakteristike, që e ndan kohën sipas aktualitetit e inaktualitetit të saj, qenies ose mosqenies së saj sipas modës (sipas modës e jo thjesht në modë, shprehje që përdoret lidhur me sendet). Kjo krisje, ndonëse e hollë, është e dukshme në kuptimin që ata që duhet ta perceptojnë, e perceptojnë pashmangshmërisht dhe tamam në këtë mënyrë provojnë të qenët sipas modës; por, po të kërkonim ta objektivizonim e ta vendosnim në kohën kronologjike, krisja na zbulohet e parrokshme. Mbi të gjitha, “tani-ja” e modës, çasti kur ajo vjen në jetë, nuk është e identifikueshme nëpërmjet asnjë kronometri. Kjo “tani” a mos është ndoshta çasti kur stilisti koncepton trajtën, nuancën që do të karakterizojë modelin e ri të veshjes? Apo çasti kur ia beson këtë projektuesit e pastaj rrobaqepësisë, që konfeksionon prototipin? Apo mos është çasti i sfilatës, gjatë së cilës rroba mbahet nga të vetmet persona që ndjekin gjithmonë vetëm modën, mannequins-et, që tamam për këtë nuk e ndjekin asnjëherë? Sepse, në instancë të fundit, qenia sipas modës “e modelit” apo “e mënyrës” do të varet nga fakti që njerëz me mish e kocka, të ndryshëm nga mannequins-et (këto fli të një zoti pa fytyrë) ta njohin si të tillë e ta bëjnë të tyren.
Kështu, koha e modës është që në themel në pararojë të vetes e pikërisht për këtë gjithnjë e vonuar: ka gjithnjë formën e një kufiri të pakapshëm mes një “ende jo-je” e një “jo më-je”. Mundet që, siç sugjerojnë teologët, kjo të varet nga fakti që moda, të paktën në kulturën tonë, është një tregues teologjik i veshjes, pasojë e rrethanës që rroba e parë u konfeksionua nga Adami e Eva, pas mëkatit fillestar, në formën e një trekëndëshi sajuar me gjethe fiku. (Për të qenë të saktë, veshjet që ne mbajmë sot rrjedhin jo nga këto brekë vegjetale, por nga Tunicae pelliceae, nga veshjet e përftuara prej lëkurës së kafshëve, që Zoti, sipas Gjenezës 3:21, i detyroi të parët tanë të mbajnë, si simbol i prekshëm i mëkatit e vdekjes, në çastin kur i përzuri nga parajsa.) Gjithsesi, cilado të jetë arsyeja, “tani-ja”, kairos-i i modës është i parrokshëm: fjalia “unë në këtë çast jam sipas modës” është kontradiktore, sepse në çastin kur subjekti e shqipton, ky është tashmë jashtë modës. Ndaj edhe të qenët sipas modës, ashtu si bashkëkohësia, mbart një lloj “hapësire”, një lloj shfazimi: aktualiteti i saj mbart në vete një pjesë të vogël të së tashmes, një ngjyrim démodé-je. Në këtë kuptim, në Parisin e shekullit XVIII për një zonjë elegante thuhej: “Elle est contemporaine de tout le monde.”
Por kohësia e modës ka një cilësi, që e lidh në gjak me bashkëkohësinë. Me po atë gjest, me të cilin e tashmja ndan kohën sipas një “jo më-je” dhe një “ende jo-je”, ajo ndërton me këto “kohë të tjera” – me siguri me të shkuarën, por ndoshta edhe me të ardhmen – një marrëdhënie të veçantë. Dmth, ajo mund të “citojë” e në këtë mënyrë të riaktualizojë çfarëdolloj momenti të së shkuarës (vitet ’20, por edhe vitet ’70, modën impreiale a atë neoklasike). Ajo, pra, mund të vendosë në lidhje atë çka ka ndarë një herë e përgjithmonë, ta rithërrasë, rievokojë dhe ringjallë atë çfarë e kishte deklaruar më parë të vdekur.

* * *
6. Kjo marrëdhënie e posaçme me të shkuarën ka edhe një aspekt tjetër. Faktikisht, bashkëkohësia i brendashkruhet së tashmes, duke tradhtuar te kjo e fundit arkaiken dhe vetëm ai që percepton në më modernen, në më të fundit shenjat dhe sinjalet e arkaikes, mundet të quhet bashkëkohës. Arkaik do të thotë “pranë arké-s, origjinës”. Por origjina nuk ndodhet thjesht në një të shkuar kronologjike: ajo është bashkëkohëse e rrjedhës historike dhe nuk rresht së vepruari në të, ashtu si embrioni vazhdon të veprojë në indet e organizmit të rritur dhe fëmija në jetën psikike të të rriturit. Shmangia e njëkohësisht afëria që përkufizojnë bashkëkohësinë, e kanë themelin në këtë afërsi me origjinën, që në asnjë pikë nuk pulson më me forcë se në të tashmen. Kush ka mbërritur nga deti në agim dhe ka parë për herë të parë rrokaqiejt e Nju Jorkut, e ka perceptuar menjëherë këtë facies arkaike të së tashmes, këtë marrëdhënie afërie me rrënojat që, më pas, imazhet e shtangura të 11 shtatorit ua dëftuan të gjithëve.
Historianët e letërsisë e të artit e dinë që mes arkaikes dhe modernes ekziston një takim i fshehtë dhe jo aq pse pikërisht format më të vjetra ushtrojnë mbi të tashmen një magji të veçantë, por sepse sekreti i modernes qëndron i fshehur në jashtëkujtesë e në prehistori. Kështu, bota antike në përfundim të saj u drejtohet zanafillave për të gjetur veten; avangarda që e ka humbur fillin në kohë, ndjek primitiven e arkaiken. Në këtë kuptim, mund të thuhet se rruga që të shpie tek e tashmja, ka domosdoshmërisht trajtën e një arkeologjie. Që nuk prapësohet deri tek e tejshkuara, por deri tek ajo e tashme që nuk mundemi kurrsesi ta jetojmë e që, duke mbetur e mosjetuar, përthithet pa fund drejt origjinës, pa e mbërritur kurrë atë. Sepse e tashmja nuk është tjetër veçse pjesa e të mosjetuarit në të jetuarit dhe çka e pengon hyrjen në të tashmen është pikërisht masa e asaj që, për një arsye a një tjetër (karakteri traumatizues, afërsia e skajshme), nuk kemi mundur të jetojmë në të. Vëmendja ndaj kësaj të mosjetuare është jeta e bashkëkohësit. Në këtë kuptim, të jesh bashkëkohës do të thotë të kthehesh në një të tashme, ku s’ke qenë kurrë.

* * *
7. Ata që janë përpjekur ta mendojnë bashkëkohësinë, ia kanë dalë vetëm me kusht që ta ndajnë atë në më shumë se një kohë, të ndërkallin në kohë një çhomogjenitet thelbësor. Kush thotë “koha ime” ndan kohën, brendashkruan në të një cezurë e një zhvazhdimësi; e megjithatë, pikërisht në sajë të kësaj cezure, kësaj ndërshtënieje të së tashmes në njëtrajtësinë e palëvizshme të kohës lineare, bashkëkohësi realizon një marrëdhënie të veçantë mes kohëve. Nëse, siç pamë më sipër, është bashkëkohësi ai që i ka thyer vertebrat kohës së vet (ose ka perceptuar çarjen a vendin e thyerjes), ai e kthen këtë frakturë në vendtakim mes kohëve e brezave. Shembulli më i pastër në këtë kuptim është gjesti i Palit, kur eksperimenton dhe u jep sivëllezërve të vet lajmin e kësaj bashkëkohësie të kulluar, që është Era e Re, të qenët bashkëkohës të lajmit të madh, që ai e quan jo më kot “koha-e-tanishme” (ho nyn kairos). Kjo kohë nuk është vetëm kronologjikisht e papërkufizuar (parusia – rikthimi i Krishtit, që duhet të shënojë fundin, është i sigurt dhe i afërt, por i pallogaritshëm si kohë), por ajo ka aftësinë e posaçme të vendosë në raport me veten çdo çast të së shkuarës, të bëjë që çdo çast a ngjarje e rrëfimit biblik të jetë një profeci apo shembëlltyrë (typo-s, shembëllim, është termi që parapëlqen Pali), një shembëlltyrë e së tashmes (kështu Adami, përmes të cilit njerëzimi pëson vdekjen e mëkatin, është “tipi” apo shembëllimi i lajmëtarit, që u sjell njerëzve shëlbimin e jetën).
Kjo do të thotë që bashkëkohës nuk është thjesht ai që, duke perceptuar terrin e së tashmes, rrok në të dritën e sigurt; është edhe ai që, duke e ndarë e ndërshtënë kohën, është i aftë ta shndërrojë e ta vendosë në lidhje me kohë të tjera, ta lexojë në një mënyrë të re historinë, ta “citojë” sipas një nevojshmërie që nuk është në asnjë mënyrë pasojë e një vendimi të tij, por e një nevoje së cilës ai nuk mund të mos i përgjigjet. Duket sikur ajo dritë e padukshme, që është terri i së sotmes, projekton hijen e vet në të shkuarën dhe kjo, e prekur nga ky kon i hijes, fiton vetinë t’i përgjigjet territ të së sotmes. Diçka të tillë duhet të kishte ndër mend Michel Foucault, teksa shkruante se kërkimet e tij historike mbi të shkuarën janë thjesht hija që lëshon hetimi teorik i së tashmes, apo Walter Benjamin-i kur shkruante se indeksi historik, që përmbajnë imazhet e së shkuarës, tregon se ato do ta mbërrijnë lexueshmërinë vetëm në një çast të caktuar të historisë së tyre. Nga aftësia jonë për t’i vënë veshin kësaj nevoje e kësaj hijeje, nga aftësia për të qenë bashkëkohës jo vetëm të shekullit tonë dhe të “tani-së”, por edhe nga shembëllimet në tekstet dhe dokumentet e së shkuarës, varet suksesi apo dështimi i seminarit tonë.

Përktheu Ilirjana Stringa

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›