PLL: Ndryshimet në dokumentin themeltar, jo pronë e PD-PS
Oborri mbretëror kërkon që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen në bashkërendim me të gjitha forcat politike dhe të mos jenë pre e dy forcave më të mëdha në Kuvend. Koordinatori politik i oborrit mbretëror, Murat Basha, ka bërë me dije dje se zhvillimet demokratike në Shqipëri kërkojnë si domosdoshmëri ndryshime të vazhdueshme. Lidhur me reformën zgjedhore, Basha është shprehur se "në asnjë mënyrë këto ndryshime nuk duhet të jenë pronë e forcave të mëdha politike, por ata duhet të kenë konsensusin e të gjithë klasës politike, e çka është më e rëndësishme, miratimin e shqiptarëve". Sipas tij, vendit tonë i nevojitet një spektër politik sa më i gjerë dhe i shumëllojshëm. Koordinatori politik i oborrit mbretëror reagoi edhe për ngjarjet e fundit të zhvilluara në Himarë. "Është në nderin dhe në detyrën tonë që të mbrojmë me kurajë dhe dinjitet, por edhe t‘i tregojmë ligjërisht vendin kujtdo që kërkon të cenojë apo nëpërkëmbë Shqipërinë dhe shqiptarët. Qeveria dhe strukturat e shtetit shqiptar duhet të reagojnë me kurajë karshi ngjarjeve të përsëritura në Himarë", tha Basha. Sipas tij, në Kushtetutë ekziston një nen, ku nëse një kryebashkiak shkel Kushtetutën apo ligjet e shtetit, atëherë Kryeministri ka të drejtë të plotë të shkarkojë atë kryetar bashkie.