Kreu i socialdemokratëve, Gjinushi, komenton mendimet e Kushtetutës
Socialdemokratët deklarojnë se nuk bëhen pjesë e ndryshimeve të Kushtetutës jashtë kuadrit të reformës zgjedhore. Kryetari Skënder Gjinushi vlerësoi se reformat e dokumentit themeltar nuk mund të bëhen pjesë e kulisave, nuk mund të improvizohen dhe nuk mund të bëhen nga një qeveri e dështuar. "Është absurde, për ne, se si në një kohë kur kërkohet largimi i qeverisë, kur shihet haptazi dështimi total i saj, ajo kërkon të kontrollojë edhe Presidentin e Republikës", u shpreh Gjinushi. Sipas tij, duhej ndryshuar Kryeministri dhe jo Presidenti, si e vetmja rrugë për zhbllokimin e reformave, për evitimin e krizave ekonomike, sociale dhe politike. "Presidenti Republikës, është një prej hallkave kryesore të shtetit, ai nuk është as honorifik, as simbolik, ai është balancuesi i të gjitha pushteteve sidomos i pushtetit gjyqësor", u shpreh Gjinushi. Ai konstatoi se në rast se flitet për reformë në drejtësi, cenimi i institucionit të Presidentit është cenimi i pavarësisë së gjyqësorit, është antireformë dhe si e tillë është një masë e papranueshme. "Koha është që të kemi një President real që të ushtrojë kompetencat e tij, siç i ushtronte dhe zoti Moisiu dhe jo ta kthejmë në një President formal apo nën diktatin e Kryeministrit", vlerësoi Gjinushi. Drejtuesi i socialdemokratëve insiston në faktin se Presidenti nuk mund të zgjidhet me një shumicë më të dobët se Avokati Popullit apo seç votohen ligji për Gjykatën e Lartë, gjyqësorin në tërësi, prokurorinë, kodet, institucione, të cilat kontrollohen nga Presidenti i Republikës. "Shumica prej 84 votash është e vetmja mënyrë për të mos e vënë Presidentin nën kontrollin e ekzekutivit", vijoi Gjinushi. Në këndvështrimin e tij aq të pastudiuara dhe tendencioze janë ndryshimet e propozuara saqë flitet për kundërfirmosje dekretesh. "Kundërfirmosja e dekreteve ekzistonte para 1998-ës kur Presidenti nxirrte dekretligje, këtë mban mend Saliu që i ka mbetur si fiksim, kompetencë të cilën s‘e ka më që prej 1998", u shpreh Gjinushi. Duke shtuar se Presidenti sot nxjerr vetëm dekrete individuale dhe të flasësh për kundërfirmosje dekretesh këtë mund ta bëjë vetëm një mendje që s‘ka kuptuar as Kushtetutë, as ligj, as pavarësi pushtetesh, e një iniciativë e tillë mund të përkrahet e propagandohet vetëm nga disa që kanë bërë shkolla nate e që kanë blerë diploma, fatkeqësisht në Juridik. "Po u quajt paketë, atëherë ajo vlen sa një paketë cigaresh, sepse nuk mund të sajohen kështu paketat kushtetuese dhe aq më tepër kur bëhen propozues të tillë për kundërfirmosje dekretesh", tha Gjinushi. Socialdemokratët sigurojnë se ndryshimet që nuk lidhen me zgjedhjet janë të panegociueshme.