Rikthehen preferencat
Humbjet e kompanive eksportuese nga mungesa e preferencave tregtare, pritet të marrë fund në shtator të këtij viti. Prodhuesve kosovarë me kthimin e masave tregtare me Bashkimin Evropian, do t`u hapen rrugët për eksportin e mallrave të tyre drejt këtyre vendeve.
Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian janë dakorduar që masat preferenciale tregtare të Kosovës të rifunksionalizohen, me efekt retroaktiv prej 1 janarit të këtij viti. E, në shtator, Këshilli i Ministrave do të dalë me rregullativën që e zyrtarizon rifunksionalitetin e marrëveshjes. Prej fillimit të vitit 2011, kjo marrëveshje nuk ka funksionuar për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të vendeve anëtare për emërtimin e Kosovës, si shtet nën Rezolutën 1244 dhe për këtë arsye deri tani ka mbetur në shqyrtim në mes të Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian.
Dardana Halimi, këshilltare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha për Express se Këshilli i Ministrave dhe Parlamentit Evropian parimisht janë pajtuar më 11 korrik që t’i rikthehen masat preferenciale Kosovës.
“Kjo marrëveshje do të rifunksionalizohet në muajin shtator, kur Këshilli i Ministrave do të dalë me rregullore që të rizyrtarizojë marrëveshjen”, tha Halimi.
Të gjithë eksportuesit thotë se do të kompensohen në mënyrë retroaktive.
“Në shtator, Këshilli i Ministrave do të dalë me rregullativën që e zyrtarizon rifunksionalitetin e marrëveshjes, prej kur në mënyrë automatike nis edhe kompensimi për eksportuesit kosovarë që kanë eksportuar prej 1 janarit të 2011”, tha këshilltarja Halimi. Ajo tregon se MTI’ja vazhdimisht ka qenë në kontakt me kompanitë që eksportojnë për në vendet e BE-së.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...