Kushtetuta e qartë për imunitetin e deputetëve

Çështja e imunitetit të deputetëve nën hetime ende mbetet temë debati ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it. Por ekspertë të çështjeve penale juridike, thonë se çështja e hetimeve dhe imunitetit të deputetëve është politizuar pa nevojë, pasi vlerësojnë se Kushtetuta dhe ligjet në fuqi janë të qarta në këtë aspekt.
Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu thotë se deputeti gëzon imunitet vetëm për arrestim dhe ndalim për punën e tij si deputet, por jo edhe për hetime dhe procese tjera gjyqësore që zhvillohen nën dyshimet për aktivitete tjera kriminale. Ai thotë se nuk e kupton pse EULEX-i ka përfshi aty edhe Gjykatën Kushtetuese, kur heqjen e imunitetit mund ta kërkoj prokurori i lëndës.
Pas letrës së shefit të EULEX-it, drejtuar Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit për çështjen e imunitetit, dhe përgjigjes së kryeparlamentarit Jakup Krasniqi se kjo nuk është përgjegjësi e Kuvendit, përderisa nuk iniciohet sipas procedurave ligjore, misioni i Bashkimit Evropian ka shqyrtuar edhe opsionin e adresimit të kësaj problematike përmes Kryesisë së Kuvendit dhe grupeve parlamentare.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se imuniteti është çështje e institucioneve të vendit dhe nuk ka nevojë që të dramatizohet me letrat e EULEX-it. “Prokurori mund të nis hetime, të inicioj çështje dhe lëndë dhe nëse ka fakte të mjaftueshme për cilindo deputet, atëherë mblidhet Kuvendi i Kosovës dhe ia heqim imunitetit filan deputetit dhe këtu s’ka çka përzihet EULEX-i fare”, thekson Konjufca.
Edhe deputeti Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës dhe tani kryetar i Komisionit për amandamentim të Kushtetutës, ka vlerësuar se tek imuniteti nuk ka boshllëk juridik. “Procedura është jashtëzakonisht e qartë. Procesi iniciohet nga kryeprokurori i shtetit, procesi zhvillohet brenda Parlamentit të Kosovës. Ekziston Komisioni për imunitete dhe mandate, i cili brenda 30 ditëve duhet të shqyrtojë një kërkesë të tillë dhe një kërkesë e tillë duhet të diskutohet më pastaj në seancë plenare ku ekzistojnë procedurat e votimit. Vetëm nëse komisionet parlamentare kanë paqartësi mund të kërkojnë edhe sqarime apo interpretime të Gjykatës Kushtetuese”. (Telegrafi)