Maliqi: S'ka negocim me komandantët në veri
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka thënë se nuk do të ketë negocim shtesë me komandantët e veriut të përjashtuar nga puna ditë më parë, përveç nëse vendosin ndryshe organet në të cilat ata kanë të drejtë të ankohen. Gjatë prezantimit të punës gjashtëmujore, Maliqi me shifra ka argumentuar faktin se policia ka shënuar efikasitet në luftimin e rasteve të ndryshme kriminale.
Kreu i forcave të rendit tha se brenda gjashtë muajve është punuar në përputhshmëri me objektivat strategjike dhe në këtë drejtim policia ka përmbushur dhe realizuar suksesshëm shumë aktivitete.
Edhe në këtë rast, Maliqi ritheksoi se askush në polici nuk do të ketë vend nëse nuk respekton zinxhirin komandues.
“Nuk do të ketë negocim tjetër derisa të përfundon procedura ndaj të përjashtuarve nga puna, pasi që ata përmes këshillës juridike kanë të drejtën të ankohen deri këtë të mërkurë, kjo është e drejtë ligjore e tyre. Deri më tani kemi pranuar vetëm një ankesë nga ta, kurse tre të tjerë ende nuk janë ankuar”, ka thënë Maliqi, duke sqaruar se në vend të tyre janë duke kryer punën zëvendëskomandantët të cilët janë ushtrues të detyrave.