BE-ja kërkon informata për imunitetin

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i ka thënë Radio Dukagjinit se Bashkimi Evropian pret nga Kosova që të sqarojë çështjen e imunitetit të deputetëve.
Ajo ka theksuar se EULEX-i e ka përkrahjen e plotë të BE-së në lidhje me kërkesat drejtuar Kuvendit të Kosovës për sqarimin e çështjes së imunitetit.
Në prononcim për radio Dukagjinin, Kocijancic ka pohuar se Kosova duhet medoemos të sqaroj se ku fillon dhe ku mbaron imuniteti i deputetëve të Kosovës.
“Kosovës i duhet qartësi në lidhje me çështjen e imunitetit të deputetëve të parlamentit të Kosovës dhe ne i mbështesim plotësisht letrat e dërguara nga EULEX-i në adresë të Kuvendit në mënyrë që të ketë qartësi në interpretimin e Kushtetutës dhe kjo është e pashmangshme”, tha Kocijancic, duke shtuar se kërkesa për interpretim të Kushtetutës në lidhje me imunitetin e deputetëve nuk bëhet për ndonjë rast të veçantë.
“Më lejoni ta them se kjo çështje nuk ka të bëjë me ndonjë rast specifik, është për atë që të zgjidhjet një herë e përgjithmonë çështja e interpretimit të kushtetutës lidhur me imunitetin”, shtoi zëdhënësja Kocijancic.
Lidhur me këtë temë sot është pyetur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek e cila po qëndron në Kosovë por ajo ka refuzuar të përgjigjet duke theksuar se qëndrimin e saj do ta bëjë të ditur në konferencën për media të paralajmëruar për pasnesër. (Telegrafi)