E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon marrëveshja Kastrati – Sorenson

Nga Express më 18 korrik 2011 në ora 18:07

Të hënën ka kaluar afati i marrëveshjes mes kryetarit të Mitrovicës, Avni Kastrati dhe ushtruesit të detyrës së shefit të UNMIK-ut, Robert Sorenson, për tërheqjen për disa metra më prapa të rrethojave të betonit përreth selisë së UNMIK-ut në Mitrovicë.

Sipas kësaj marrëveshje që është arritur më 7 korrik, UNMIK-u ka qenë i obliguar që në afat prej 10 ditëve, rrethojat e betonit përreth selisë së këtij institucioni të OKB-së të zhvendosen më në afërsi të objektit.

Të hënën në selinë e këtij misioni në Mitrovicë nuk ka pasur asnjë lëvizje për largimin e këtyre rrethojave, ndërsa askush nga zyrtarë e këtij misioni nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me skadimin e afatit.

Në anën tjetër, zyrtari për informim i KK-së në Mitrovicë, Hysni Syla ka thënë se komuna e Mitrovicës e ka kryer obligimin e vet sa i përket marrëveshjes për largimin e rrethojave, duke siguruar parkingun për automjetet e UNMIK-ut.

“Lidhur me këtë, kryetrari Kastrati ka njoftuar zyrtarisht me shkrim ushtruesin e detyrës së shefit të UNMIK-ut për Kosovë Robert Sorenson dhe ka kërkuar nga ai që të tregojë ditën e saktë kur do të bëhet largimi i murit të UNMIK-ut në Mitrovicë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Sorenson të hënën e ka njoftuar Kastratin se stafi i UNMIK-ut në Mitrovicë është duke bërë përgatitjet e fundit për zhvendosjen e rrethojave të UNMIK-ut dhe kjo do të ndodhë ditët në vijim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›