E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bota është e jotja kur dorëzon veten”

Rrëfimi i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi në përvjetorin e 73-të të lindjes
Sot feston 73-vjetorin e lindjes dhe, si gjithnjë, përcjell vetëm mesazhe paqeje, pasi vetëm i tillë mund të jetë Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve

Duket si diçka e çuditshme që keni lindur në një fshat të largët të Kukësit, në një trevë ku bektashizmi nuk ka ndikim të madh...
Ma thonë shumë njerëz këtë gjë. Por nuk ka asgjë për t’u çuditur. Bektashizmi s’është tjetër veç një degë e shëndoshë në trungun e islamit. Ne besojmë dhe i falemi vetëm Allahut, ne dëgjojmë dhe respektojmë profetin Muhamed (s.a.s), ne pimë pa reshtur nga gurra e mendimit të ndritur të Imam Aliut (a.s). Jemi një trup dhe një shpirt me synitë. Jo vetëm ne, por edhe tarikatetet e tjera duhen parë si veçori individuale që bëjnë të tërën. Larmia e shfaqjeve të besimit në çdo tarikat duhet parë si një vepër prej mijëra veprave të Zotit sepse Ai i di plotësisht sekretet e zemrave tona.
Dhe si u ngjiz ideja për të qenë sa më pranë vëmendjes dhe kujdesit të Zotit?
Kam qenë ende fëmijë kur shkoja me bagëti në bjeshkët e Lusnës. Jeta baritore me atë paqen që të afron edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Në mbrëmje gjeja kohë të veja gjoja si rastësisht dhe të luaja në bahçen e hoxhës së fshatit, me djemtë e tij. Pak më tërhiqte loja. Më tepër dëgjoja kur hoxha këndonte Kuranin me atë zë të thellë dhe kumbues. Degët e mollëve mbanin pezull vështrimin tim dhe ndërsa shkoja për në shtëpinë time, mundohesha të ngulitja në mend ndonjë varg të atyre këngëve të çuditshme.
Një muzg me shi, ne fëmijët na futën në shtëpi nga frika e rrufeve dhe krejt papritur, duke më përkëdhelur, midis të tjerëve hoxha m’u drejtua: “Ti çun i Sinanit, pa kno njiherë!” Unë u stepa. Por vetëm për disa çaste. Nuk di, ndofta nga shpirti më erdhi zëri dhe fillova të them një lutje. Moshatarët e mi të lodrave u habitën. Unë e ngatërrova lutjen dhe ula kokën si në faj, ndërsa hoxha më përkëdheli duke më dhënë kurajë. Kisha vajtur në shkollë dhe kisha marrë mësimet e para. Shkoja shpesh tek hoxha, i cili gjente kohë dhe më udhëzonte si mund të futesha në mirësinë e Zotit. Të parin mësim të tij s’mund ta harroj për atë moment. Më pati thënë se i dërguari i Zotit, qoftë i bekuar, në një hadith ka thënë: “Feja islame është ndërtuar mbi pastërtinë”. Pra myslimani në besimin e tij duhet të jetë pastruar nga gjërat e kota, duhet ta ketë shpirtin si derë të hapur ndaj virtytit dhe të mbyllur përgjithmonë ndaj vesit, duhet të ketë ndërgjegje të kulluar, larg mendimeve të këqija, por duhet të jetë i pastër edhe fizikisht.
Pas kësaj, fati ju solli në Tiranë...?
Po, kanë qenë disa ngjarje që lidhen me luftën. Në vitin 1944 na dogjën shtëpinë në Lusën. Kam qenë nëntë vjeç dhe flakët e zjarrit i mbaj mend mirë. Midis këtyre flakëve shihja time ëmë, Hanen, e cila si shqiponja për zogjtë e vet, kujdesej të shpëtonte çfarë të mundte prej flakëve të zjarrit. “O Zoti Madh, na ndihmo!” - përsëriste nëna me vështrimin lart në qiell. Hanen e doja shumë, ishte burrë dhe grua në shtëpi. Kur e pashë që i lutej Zotit, me një zë gati të brendshëm unë bëra një lutje. Kisha vendosur të ecja i pastër në rrugën e Tij. Në vitet që rrodhën më pas, brenda dashurisë dhe sekreteve të mëdha të myrshidit tim Dede Ahmetit, mësova se bektashizmi përmblidhej rreth parimit të vyer se, pa njohur së pari veten, nuk mund të njohësh Zotin. Për bektashinjtë, shpirti është çelësi i gjithësisë, është realiteti i vetëm hyjnor. Vetëm zgjimi hyjnor i shpirtit mund të zhvillojë vullnetet e fjetura, mund të afrojë në mënyrë të pagabueshme në dritën e madhe të Tij. Mistika bektashiane ka kërkuar dhe kërkon ende sot afrimin te Zoti nëpërmjet vetëpërsosjes, nëpërmjet pastrimit të tyre nga mosdija dhe shpërfillja, nëpërmjet mesazheve të paqes, të cilat përcillen në çdo vend, në çdo kohë. Diku, Haxhi Bektash Veliu ka shkruar se mendja i ngjan hënës. Hëna shtohet, pakësohet, ndonjëherë edhe humb, në aspektin e të dukurit prej syrit tonë. Por kur mendja plotësohet, ajo as humb, as shtohet. Gjithashtu dituria u ngjan yjeve. Në qiellin e kthjellët yjet ia tregojnë rrugën njeriut. Çdokush që ka dituri të mirëfilltë e sheh rrugën se shkon drejt Krijuesit dhe i kupton gjerat. Në të kundërt, kur qielli është me mjegull, njeriu nuk sheh si duhet rrugën. Për pasojë si ka mundësi njeriu që nuk ka njohje dhe dituri të gjejë rrugën drejt të vërtetës?
Me që ra fjala për Haxhi Bektash Veliun, doja t’ju pyesja. Pak kohë më parë, në një prej revistave të botuara në Tiranë, lexova se nuk ishte ky shenjtor, themeluesi i vërtetë i urdhrit bektashi. Si është e vërteta?
Shtypi shqiptar jeton akoma botën e çudirave. Komuniteti bektashian, i prirë nga toleranca universale e ka kaluar këtë “zbulim” si një lajthitje latente. Ne i sugjerojmë artikullshkruesit në fjalë, që nëse nuk ka mundësi, së paku të pyes dhe do të mësojë se në arkivat e Teheranit, Stambollit, Egjiptit, por edhe këtu në Tiranë, janë me mijëra dokumente që vërtetojnë të qenit si krijues i urdhrit bektashian, Pirit tonë Haxhi Bektash Veliut.
Një kapitull i dhimbshëm i jetës suaj është, pa dyshim, dërgimi në internim, në vitin 1957, së bashku me myrshidin tuaj, në fshatin Drizar në Mallakastër. Kanë qenë vite të vështira, apo jo?
Kanë qenë vërtet vite të vështira, por edhe të bukura. Juve dhe lexuesi mund të qeshni me fjalët që po them, sepse mund të mendojnë se ku qëndron bukuria, në atë vend të humbur të Mallakastrës së egër, rrethuar prej gjithfarë spiunësh e punëtorë partie, rrethuar nga të rinj që mësonin në bankat e shkollës se si duhej diskretituar kleri fetar? Pikërisht këtu duhet parë thelbi i bektashizmit, ajo shpallje hyjnore që të vjen si nëpër ëndërr, në gjumë dhe të largon prej gjithçkaje tokësore. Dervishi dhe babai i teqesë hanë sa për të mbajtur frymën. ata pranojnë dhuratat e besimtarëve por edhe punojnë vetë. Kur vajtëm në fillim në Drizar fjetëm në qiell të hapur. Pastaj me duart tona ndërtuam teqenë, ngritëm gurë, ndërtuam mure, punuam tokën me krahë, mbollëm bajame, arra, ftonj e dardhë, bëmë një mrekulli, një oaz paqeje në strallin e Drizarit. Të gjitha këto mrekulli tokësore nuk i jetonim. Së bashku me Dede Ahmetin ne jetonim atë tjetrën, mrekullinë e shpirtit. Fshehurazi, nëpër netët e Drizarit, bujtnin në teqe besimtarë nga Kukësi e Gjakova, Kruja dhe Libohova, Përmeti dhe Kolonja. Kjo na jepte krahë, kjo na jepte forca. Ata vinin tek ne plot halle, me zemra të thyera sepse po goditej besimi, po vritej liria, po shuhej shpresa. Por i shihja me vëmendje kur iknin. ishin me sy të qeshur, plot shpresa, mendonin se përtej kësaj errësire do të afroheshin shpejt te drita e munguar. Kur mbeteshim vetëm, ndërsa shihnim se si besimtarët merrnin rrugën fshehurazi, përmes prrallit dhe gorricave, Dede Ahmeti më kumtonte me atë zërin e butë, thënien profetike: “Mos e thyej zemrën e njeriut edhe po të kesh ndërtuar njëmijë Qabe”. Ne përpiqeshim të ndërtonim, atë çka diktatura e donte vetëm rrënojë.
Nuk kanë munguar besoj gjatë atyre viteve edhe përgjime, spiunime dhe provokime gjithfarësh...
Nuk kish si të mungonin. Duke dashur të kontrollonte lirinë e gjithkujt, ai sistem, me çdo lloj mjeti, do të luftonte për të zëvendësuar parimet hyjnore me dogmën komuniste. Mënyrat se si do të arrihej kjo gjë nuk kishin shumë rëndësi. Pak muaj pasi u vendosëm në teqenë e Drizdarit, pashë dike në muzg të afrohej. Mendova se do të trokiste në derë, por ai u fsheh. Me zë të ulët lajmërova Dede Ahmetin. “Mos u mërzit, - qeshi ai mbyturazi, - na kanë venë shokët e partisë, se kanë merak për neve çfarë llafosim”. Ne uleshim, hanim darkë, ndonjëherë këndonim nefese bektashiane. I ngrati largohej kur unë falja dritën e kandilit dhe bija në gjumë. Një natë, pasi u siguruam që “miku” kish ardhur, Dede Ahmeti filloi të lutej: “Qoftë Madhëruar Muhamedi/Qoftë Madhëruar udhëheqësi ynë Muhamedi/Qoftë Madhëruar dielli i mëngjesit, Muhamedi/Qoftë Madhëruar hëna e plotë e natës, Muhamedi/Qoftë Madhëruar drita e drejtimit, Muhamedi/O Zot ma hap gjoksin e ma lehtëso punën/Ma zgjidh gjuhën që të më kuptojnë fjalët...”. Ish një hënë e madhe dhe e ftohtë. Drurët e prralleve lëvizën. Prej tyre doli një fshatar i këputur. Na u afrua i ndrojtur. Dedeit i puthi dorën. “Dervish, - më urdhëroi Dedei, - shtrona darkën”. “Kjo bukë do të më vrasë”, - u tremb fshatari. “Buka e teqesë shëron, nuk vdes njeri”, - iu përgjigj Dedei.
Na rrëfeu se njerëzit e partisë në fshat i kishin thënë që neve në teqe kemi mbledhur disa armiq dhe po punojmë për të rrëzuar pushtetin e popullit. U largua në mesnatë i kënaqur nga muhabeti. Ishte i varfër dhe kur u ndamë unë i dhashë një trastë plot me ushqime për fëmijët. Duke më puthur duart thoshte: “Ja Abaz Aliu të keqen ore”.
Pastaj jetuat dramën më të madhe, rrënimin e objekteve të kultit, internimin, dëbimin dhe burgosjen e dhjetëra klerikëve...
Ka qenë një çmenduri fatale të rrënoje kishat, xhamitë të ndërtuara me gjakun dhe djersën e të parëve. Të prishje teqetë që kishin qenë çerdhe të shqiptarizmës. Të lëshoje tërmet në besimin në Zot. Dëgjonim në Drizar të thoshin se Zoti nuk është në qiell. Ai është në Tiranë, në Komitetin Qendror të Partisë. Na vinte keq për këta të mjerë. Disa ditë përpara se të largoheshim nga teqeja, në shtator 1967, na vjen lajmi se rinia e fshatit po përgatitej të na përcillte me saze, sepse gëzimi në këtë rast ishte “i papërshkruar”. Dede Ahmeti thirri një myhib dhe e dërgoi te sekretari i Byrosë së Partisë, duke i thënë se turpi do të bjerë mbi ata dhe jo mbi të rinjtë e pafajshëm. E vërteta është se nisma e rinisë mbeti në mes të rrugës. Në ditët e largimit tonë nga teqeja erdhën me qindra njerëz, me lot në sy, ngryseshin e gdhiheshin me merakun se çfarë do të bëhej me neve, klerikët bektashinj, që s’patëm askurrë familje, por u rrethuam kurdoherë nga dashuria e madhe e Ehli - Bejtit. Në vend të sazeve të rinisë na përcollën lotët e besimtarëve. Zoti i Madhëruar me siguri ua ka falur gjynahet të rinjve të atëhershëm sikundër i ka mbajtur në dritë të syrit besimtarët e devotshëm. Nuk është mirë të mallkosh askënd. Mirë është të lutesh për atë që e sheh se nuk është në rrugë të drejtë.
Kalvari ndërkaq do të vazhdonte në punët më të rëndomta të fermës “Gjergj Dimitrov” në Tiranë...
Në kuptimin tuaj po. Në kuptimin tim nuk ndodhte kështu asnjëherë. Mistika islame ruan brenda saj gjëra shumë të çuditshme. Një prej këtyre është pa dyshim është shpjegimi i lidhjes sonë me universin. Kam qenë vetëm 17 vjeç kur i jam dorëzuar rrugës së ndritur të bektashizmit, shtegut të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Dhe qysh atëherë e kam ndjerë dhe kuptuar se bota ishte imja. Dorëzimi i vetes në udhën bektashiane nuk bëhet pas zhurmave, sazeve, apo darkave. Bëhet në heshtje, në dialog të fshehtë me të Madhin Zot, në mrekullinë mahnitëse të mejdanit.
Ndonëse punoja në fermë, unë mbajta kontakte shpirtërorë dhe fizikë me mijëra besimtarë bektashinj. Vinin më takonin fshehurazi. U thosha fshehurazi në shtëpitë e tyre, rinim deri në mëngjes duke kujtuar dëshmorët e Qerbelasë, baballarët që u pushkatuan, besimtarët të thjeshtë që pushoheshin nga puna apo nxirreshin nëpër flet - rrufetë e tipit kinez. Më kanë thirrur dhjetëra herë në hetuesi. Më pyesnin se ku i njihja gjithë këta njerëz. U thosha se nëna ime pat lindur shumë fëmijë dhe bëheshin gati 100 nipër e mbesa. Unë përpiqesha të mbaja të ndezur, në shpirtrat e besimtarëve, kandilin e Haxhi Bektash Veliut. Janë me qindra shembuj që rrëfejnë se vetë diktatura, duke shembur objektet e kultit, kujtoi se do të rrëzonte edhe besimin në shpirtra. Por nuk mund të ndodhte ashtu. Besimi ndër shqiptarë jetonte shumë më thellë se çdo lloj ideologjie. Jo vetëm bektashinjtë, por edhe të krishterët dhe synitë, vijonin të ruanin fshehtas traditat fetare. Dikur, në kohën e pashkëve, kur punoja në fermë, vajta të merrja qesen e bukës, të haja drekë. Kur po hapja qesen gjeta kokrra vezë të lyera sipas traditës. Në heshtje urova pashkët (pa e ditur se kush i pati futur dhuratën) dhe mbarova bukën i lumtur.
Në mjaft takime e biseda kam dëgjuar t’u drejtoheni të rinjve shqiptarë t’i kthehen rrugës së Zotit, t’i kthehen vendlindjes, nënave dhe baballarëve të tyre. Si e mendoni ju këtë kthim?
Shikoni me kujdes prirjet e shekullit të ri. Janë prirje që e udhëheqin njeriun nga pasuria, nga pronat, nga mirëqenia. Të rinjtë shqiptarë nuk mund t’i bëjnë dot ballë këtij tundimi. E para, sepse ata u rritën në një shoqëri ateiste që nuk besonte në Zot. E dyta, sepse aventura e largimit mund t’u sigurojë një jetë më të mirë. Në thirrjen time, por edhe të klerikëve të tjerë shqiptarë, jemi përpjekur të mos fyejmë askënd. Ne u kemi bërë dhe u bëjmë thirrje zemrave të tyre, sepse e kuptojmë që këto krijesa kanë ardhur dhe po ecin në këtë rrugëtim kalimtar me një natyrë të pastër. Në thelb ata i kanë të pastër qiejt e jashtëm dhe ata të brendshëm. Brenda këtyre qiejve shpirtërorë lëviz koha. Qëllimi ynë është t’i harmonizojmë dhe bashkojmë këta qiej, brenda të cilëve ekzistojnë mistere pa fund. Ky do të ishte sukses për çdo njeri, i cili nën këtë harmoni shpirtërore, pa dyshim që i afrohet Zotit, si një krijesë njerëzore e vërtetë. Kthimi te Zoti do të bëjë të mundur kthimin e mijëra të rinjve në Shqipëri. Jo se atje ku janë ata nuk ka kisha, teqe e xhami. Por profeti ynë i lavdëruar ka thënë: “Pa atdhe nuk ka fe”.
Unë ju uroj ditëlindjen me bindjen se ndaj gëzimin me miliona besimtarë bektashinj në të gjithë botën.
- Ju faleminderit. Është e vërtetë se këto ditë urimet më vijnë nga Kosova, Maqedonia, Turqia, Egjipti, Kanadaja, Italia, Greqia e deri nga teqeja bektashiane në Miçigan - SHBA. Këto më rrisin forcat t’u shërbej me shpirt, t’i udhëheq me drejtësi besimtarët e mi.

Intervistoi: Luan Kondi

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›