E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhi benzin në parkim, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari

Tiranë – Policia ka arrestuar në flagrancë 23-vjeçarin Romeo Leka. Arrestimi i tij u bë pasi më 1 mars është kapur në flagrancë në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, në tentativë për të vjedhur me dhunë një automjet tip “Benz Mercedes” me targa TR 0797 K, në pronësi të një shtetasi. Pas kallëzimeve të deponuara nga të dëmtuarit në seksionet e posaçme të seksionit Kundër Vjedhjeve të Automjeteve dhe Seksionit Kundër Vjedhjeve të tjera, uniformat blu e kanë çuar në qelinë e ftohtë 23 - vjeçarin, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë. Pas kësaj u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes me dhunë e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 139 dhe 22 të Kodit Penal.

Hyri nga dritarja, vodhi, por bie në pranga

Tiranë – Hyri nga dritarja e shtëpisë dhe nisi të merrte gjithçka kishte brenda, por pak para daljes nga banesa e ka arrestuar policia. Burimet thanë për gazetën se Besmir Çanga, 22 vjeç, lindur dhe banues Librazhd, është kapur në flagrancë duke vjedhur banesën në pronësi të një shtetasi. Arrestimi i tij u krye pasi rezultoi se autori kishte hyrë në banesë nga dritarja dhe më pas ka vjedhur një kuti cigaresh, dy orë dore dhe sende të tjera. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i KP. Veprimet procedurale u kryen nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Artur Hyka, pasi ngjarja ka ndodhur në territorin që është nën juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 3.

Grabitën firmën dhe dyqanin, policia prangos 5 të mitur

Tiranë – Pesë të mitur dhe një bashkëpunëtor i tyre janë ndaluar nga policia se kanë vjedhur veglat e punës së një firme si dhe një dyqan ushqimor në Kombinat. Burimet thanë se M. M., 17 vjeç, Elvis Murataj, 18 vjeç, të dy të lindur dhe banues në Fushë – Mëzes dhe A. K., 16 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë për vjedhje. Burimet thanë se pranë Urës së Limuthit në ambientet e firmës “Hysa Konstruksion”, të sipërcituarit në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme veglash pune. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa vegla të vjedhura. Ndërsa po nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera u krye arrestimi në flagrancë i A. M., F. K., të dy 17 vjeç dhe banues në fshatin Haskol, Komuna Ndroq, si dhe S. G., 17 vjeç, banues në fshatin Haskol, Komuna Ndroq. Dyshohet se këta të fundit janë autorë të vjedhjes së një dyqani ushqimor në Kombinat Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat e vjedhur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

Vodhën energji elektrike, ndiqen penalisht në liri

Tiranë – Vodhën energjinë elektrike, por uniformat blu i kanë shoqëruar në polici. Burimet thanë se një kallëzim penal është bërë pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në ngarkim të 4 shtetasve. Në padi thuhej se këta persona kishin konsumuar veprën penale të vjedhjes së energjisë. Menjëherë ata janë shoqëruar, por janë lënë përsëri për t’u hetuar në gjendje të lirë. Fatmir Hoxha, 40 vjeç, Hajredin Doda, 52 vjeç, Lulëzim Emini, 42 vjeç dhe Ali Ymaj, 68 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, do të procedohen në gjendje të lirë. Të lartpërmendurit u konstatuan se në banesat e tyre kishin kryer lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan prokurorisë.

Aksidentoi rëndë një 14-vjeçare, ndalohet

Tiranë – Policia kreu arrestimi në flagrancë të Arben Kernajës, 33 vjeç, banues në Kamzë Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi më datë 2 mars 2008, në segmentin rrugor të Rrugën së Durrësit, në afërsi të Bankës Amerikane, duke qarkulluar me mjetin tip “Benz” veturë, me targë TR 7110 N, ka aksidentuar shtetasen Fjori Paçaj, 14 vjeçe, banuese në Laprakë. E dëmtuara u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. U kryen veprimet procedurale, materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Arben Kernaja i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›