Rikthehen regjistrat në kufi
Trazhgim Sokolaj
Një defekt në sistemin TIMS rikthen regjistrat e vjetër në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë. Efektivat e policisë kufitare mbajnë shënim në letër të gjitha hyrje-daljet në vendin tonë, për shkak të ndërprerjes së shërbimit në rrjedhin e Menaxhimit Total të Informacionit. Anomalia, e cila është bërë shkak për vonesa në pikat kufitare, por edhe për një sërë problemesh të tjera në punën e policisë, ka ardhur për shkak të një mosmarrëveshje financiare mes policisë shqiptare dhe subjektit që ofron shërbimin e rrjetit TIMS. Ai është një program të dhënash, database i pasaportave të lëshuara nga policia, hyrje-daljeve në kufi dhe personave të shpallur në kërkim. Me anë të këtij programi, të paktën prej tri vitesh ushtronte veprimtarinë e saj policia kufitare, e cila me një kalim të thjeshtë të pasaportës në skaner, regjistronte lëvizjen e personit, kohën dhe itinerarin, si dhe verifikonte nëse ai ishte i shpallur në kërkim. Programi që ofronte këtë shërbim në kompjuterin e çdo efektivi të policisë kufitare është në gjendje “black-out” ndërsa uniformat blu janë detyruar të shënojnë me dorë në regjistra prej letre, të gjitha hyrje-daljet në vendin tonë. Shërbimet e policisë kufitare janë vënë në vështirësi sepse konfirmimi për personat e shpallur në kërkim bëhet me anë të verifikimit mekanik të listës në letër çka kërkon shumë më tepër kohë sesa kalimi i pasaportës në skaner. Anomalia është bërë në këtë mënyrë një shkak për vonesat e udhëtarëve që kalojnë në pikat kufitare dhe një pengesë për policinë në evidentimin dhe gjurmimin e të kërkuarve, si dhe në menaxhimin e hyrje-daljeve të shtetasve.
Shkaqet e anomalisë
Ndërprerja e shërbimit TIMS për policinë, prokurorinë dhe gjithë strukturat e tjera të zbatimit të ligjit, ka ndodhur katër ditë më parë. Ofruesit e shërbimit mësohet se kanë marrë kontakt me policinë shqiptare, duke i bërë me dije për pagesën e nevojshme për sistemin TIMS. Shuma financiare mësohet se është një tarifë fikse, e cila është kërkuar nga ofruesit e shërbimit paradhënie për gjithë vitin 2009. Policia e shtetit ndërkaq, duket se është vënë në vështirësi dhe ka kërkuar negociata. Sipas burimeve, mësohet se organet qendrore të policisë kanë verifikuar se në buxhetin e këtij institucioni për vitin 2009 nuk ishte parashikuar fondi për të likujduar shërbimin TIMS, për shkak se deri pak kohë më parë, një rrjet i tillë ishte financuar nga partnerët e huaj në formën e asistencës për Shqipërinë në fushën e sigurisë së kufijve dhe modernizimit të bazës së të dhënave. Policia është gjendur në pamundësi për të parapaguar shumën për gjithë vitin 2009, ndërsa ofruesit e shërbimit duket se nuk e kanë bërë të gjatë duke hequr lidhjen me serverin qendror ku janë depozituar të dhënat e pasaportave dhe personave të shpallur në kërkim por edhe informacione të tjera si hyrje-daljet e çdo personi që ka kaluar në pikat kufitare shqiptare. Ndërprerja e shërbimit ka lënë në terr informativ organet e policisë ndërsa shërbimi TIMS gjatë viteve të fundit ishte kthyer në një praktikë pune për Policinë dhe Prokurorinë.
Policia: Pagesa sipas ligjit
Burimet zyrtare nga policia e shtetit dhanë dje një variant tjetër për anomalinë në rrjetin e të dhënave. Sipas tyre, negociatat me ofruesin e shërbimit TIMS kanë qenë të suksesshme dhe fondet për këtë qëllim janë të disponueshme. Sipas burimeve zyrtare, ka pasur mospërputhje lidhur me formën e pagesës pasi subjekti privat që ofron aksesin në program, ka kërkuar derdhjen e parave në llogarinë e tij ose një pagesë “me para në dorë”. Mirëpo autoritetet e policisë pretenduan se një veprim i tillë është i pa parashikuar në ligjet shqiptare, çka e bën të nevojshme negocimin më tej për kryerjen e pagesës. Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se pala shqiptare ka firmosur me kontraktorë të huaj të cilët më pas nga ana e tyre, kanë “futur në lojë” subjektin privat me të cilin vetë ata duhet të mbajnë marrëdhënie. Siç duket policia shqiptare, në zbatim të ligjeve do të paguajë me mënyrat e parashikuara nga ligji në llogarinë e palës së huaj dhe më pas kjo e fundit duhet të likuidojë kontraktorin privat që mundëson aksesin në rrjetin që përmban informacionet e nevojshme për punën e policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese.
Shqipëria firmos në Beograd deklaratën e sigurisë në kufi
BEOGRAD - Gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë, firmosën dje në Beograd një deklaratë të përbashkët për sigurinë e kufijve, e cila bën pjesë në kërkesat kryesore për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian. E përfaqësuar në takim nga zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, dhe zv/drejtori për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako, Shqipëria beson se forcimi i veprimeve të koordinuara mes vendeve të rajonit do të rrisë sigurinë në Ballkan, duke i dhënë një goditje më të fortë krimit të organizuar. Sipas Strazimirit, i cili drejtoi sesionin e parë me temë “Rruga e përzgjedhjes drejt Shengenit”, me luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës e qenieve njerëzore, Shqipëria është kthyer në një vend që eksporton siguri. “Gjatë vitit 2008 dhe deri tani, Shqipëria plotësoi angazhimet për anëtarësim në NATO dhe pas ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit, tashmë nga të gjitha vendet anëtarë të NATO-s, pret anëtarësimin e plotë në samitin e radhës në prill. Gjithashtu, gjatë vitit 2008 hapen dhe zhvilluan negociatat me BE-në, për liberalizimin e vizave. Ne këtë proces u plotësuan të gjitha detyrimet dhe tani, pas pak ditësh presim në Shqipëri ekspertwt e BE-sw nw vlerësimin e standardeve tw raportuara”, u shpreh Strazimiri. Takimi i Beogradit dhe deklarata e përbashkwt e 6 vendeve të rajonit është vlerësuar si një hap premtues nga Ministri e Brendshwm i Çekisw, që mban presidencwn e radhës së BE-së. e.d
Pasaportat
Mungesa e aksesit në rrjetin TIMS ka sjellë anomalinë e parë për policinë, e cila lidhet me sistemin e pasaportave. Sipas praktikës së viteve të fundit, çdo pasaportë që lëshohej nga policia regjistrohej në sistemin TIMS, në mënyrë që organet e policisë dhe prokurorisë të verifikonin veprimet e mbajtësit të pasaportës, në rast se ai shpallej në kërkim apo kryente një krim. Pamundësia e aksesit në rrjetin TIMS i ka sjellë policisë edhe pengesa në verifikimin e pasaportave false, pasi nëse një dokument i tillë, kur kalohet në skaner nuk del i regjistruar në TIM, do të thotë se është marrë në rrugë të paligjshme dhe mbajtësi i saj është person i dyshuar.
Të kërkuarit
Sistemi i menaxhimit total të informacionit, TIMS është një database që përmban edhe të dhënat e personave të kërkuar, përfshi fotot dhe elementët e identitetit. Me anë të një çekimi të thjeshtë të pasaportës, me shërbimin TIMS policia arrinte të verifikonte nëse personi është në kërkim apo jo. Mungesa e shërbimit nga rrjeti në fjalë e ka detyruar policinë që çdo person ta verifikojë mekanikisht, duke kërkuar në listat prej letre të personave të shpallur në kërkim. Kjo është një procedurë që zgjat dhe që për më tepër bëhet shkak vonesash për qytetarët si dhe pengesë për policinë e cila gjithsesi ka më pak saktësi në veprimet e saj.
Lëvizjet
Sistemi TIMS, përmban edhe një bazë të dhënash për hyrje-daljet e shtetasve në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë. Rrjeti i të dhënave i ofron çdo pwrdoruesi informacion për kohën kur një person ka dalë jashtë vendit, destinacionin e tij madje edhe datën e kthimit, përfshi edhe orën e saktë të kalimit në kontrollin kufitar. Me anë të kalimit të thjeshtë të pasaportës në skanerin kompjuterik, që ndodhet në çdo pikë të kalimit të kufirit, programi regjistronte pasaportën me emrin e personit dhe të dhënat tjera për udhëtimin duke i ruajtur ato. Mungesa e sistemit TIMS, ia ka pamundësuar policisë edhe këtë shërbim.