Prokuroria hetim institutit të Pangos
Aristir Lumezi
Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve ka stafin më të paqëndrueshëm dhe në të plot shkelje me ligjet. Në këtë konkluzion arrin raporti vjetor për vitin 2008 i Komisionit të Shërbimit Civil. Kjo ministri brenda 2 viteve ka kryer tri herë ristrukturim të saj, ndërsa më shumë se gjysma e nëpunësve të saj mbahet me kontratë përtej afateve të lejuara. “Nga analiza e këtij procesi në institucionet e administratës qendrore, problematik klasifikohet rasti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila gjatë periudhës janar 2007–maj 2008 është përfshirë tri herë në proces ristrukturimi. Aktet që materializojnë këtë proces, institucioni nuk argumenton në asnjë moment nevojën për një dinamikë të tillë ndryshimesh”, thuhet në raportin vjetor të Komisionit. Raporti shprehet se ristrukturimet kanë sjellë kosto për buxhetin e shtetit. Duke sjellë në vëmendje ristrukturimin e fundit, atë të kryer “me urdhrin e Kryeministrit nr. 55, dt. dt. 12.05.2008, “Për miratimin e Strukturës dhe Organikës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, Komisioni konstaton se “në këtë rast nuk ka ndryshim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë, i cili vazhdon të mbetet 73, ndërkohë që konstatojmë 4 raste të regjistruara në listën e pritjes. Raporti konstaton se nëpunësit M.S., “Përgjegjëse sektori në Sektorin e Arteve, Drejtoria e Arteve dhe e Letrave”; M.J., “Përgjegjëse sektori në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit”, për shkak të suprimimit të vendit të punës dhe L.V., “Specialist në sektorin e Politikave të Koordinimit të Turizmit”; D.S., “Specialist në sektorin e Politikave të Koordinimit të Turizmit dhe Kulturës Kombëtare”, për shkak të ndryshimit të përshkrimit të vendit të punës, janë vendosur apriori nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, duke rritur kështu shpenzimet në buxhet. Duke dhënë detaje për çdo rast, raporti i Komisionit të Shërbimit Civil shprehet se gjysma e nëpunësve të kësaj ministrie që kanë statusin e nëpunësit civil ende nuk kanë kaluar në konkurrim dhe mbahen me kontratë. “Lidhur me rekrutimet në administratën publike, më problematike situata është në Ministrinë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku nga 72 pozicione pune që përfshihen në shërbimin civil, 36 raste, ose 50% e tyre, janë zënë nëpërmjet emërimit me kontratë, nga të cilat 2 pozicione pune Drejtorë të Përgjithshëm, 5 Drejtorë Drejtorie, 12 Përgjegjës Sektori dhe 17 Specialistë; 14 nga këto kontrata janë lidhur gjatë vitit 2007 dhe 22 kontrata janë lidhur gjatë vitit 2008”, thuhet në raport. Nëse do të shohim se si janë zhvilluar konkurset për marrjen në punë në këtë ministri, edhe atëherë kur janë zhvilluar, situata është edhe më skandaloze. Testimet janë nën pikët e kërkuara, duke dëshmuar kështu për një fiktivitet në marrjen e njerëzve në punë. “Përgatitja teorike e kandidatëve që marrin pjesë në konkurrim është nën nivelin mesatar dhe arrin 30-40 pikë, (të cilat në pjesën më të madhe të rasteve plotësohen nga CV-të dhe eksperienca në punë) me diferencë të madhe pikësh nga fituesi. Kjo dëshmon për një pjesëmarrje fiktive në konkurrim, me qëllim që të plotësohet numri i nevojshëm i kandidatëve. Në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ky konstatim është bërë në konkurrimet për pozicionet e punës “Përgjegjës i Sektorit të Letrave”; “Specialist i Sektorit të Integrimit”; Specialist i Sektorit të Prokurimeve; “Specialist i Sektorit të Koordinimit të Turizmit dhe Kulturës”, thuhet në raportin e Komisionit të Shërbimit Civil.
Mangësitë në Ministri
Tre ristrukturime në dy vjet, pa asnjë risi strukturore
Nga 73 nëpunës me status, 36 prej tyre janë me kontratë
Konkurrimet janë fiktive
Strukturimet kanë nxjerrë nëpunës në listën e pritjeve
Lista ka sjellë kosto në buxhetin e shtetit
Konkurset për vendet e punës fitohen nga personat që janë me kontratë
Ylli Pango: Vajza më dhunoi banesën, se u fut me aparate
Përgjatë intervistës së mbrëmshme në televizionin “News 24”, ministri i shkarkuar për shkak të skandalit të provuar seksual, Ylli Pango, shqiptoi një frazë sipas së cilës vajza, apo gazetarja që e futi në kurth, kishte konsumuar gjithashtu një vepër të dënueshme nga ligjet. “Ka dhunim banese, se kishte me vete aparate”, tha Pango, por pa u zgjatur më tepër dhe duke pohuar se tashmë ka marrë avokat, i cili do të merret me të gjitha procedurat e mbrojtjes së tij të mëtejme. Në fakt në ligjet shqiptare, në kodet penale, apo civile, nuk parashikohet një penalitet i tillë. Pra nuk parashikohet për momentin e pretenduar të Pangos për “cenim të privatësisë” duke u futur në banesë me aparate me vete. Por, përgjatë eksperiencës botërore, ka pasur vendime gjykatash në favor të disa prej viktimave që janë përgjuar apo fotografuar në ambientet e shtëpive të tyre private. Duket Pango ka mbërritur në një përfundim të tillë menjëherë pasi është konsultuar me avokatin e tij.
Nga ana tjetër edhe një zyrtar që merret me hetimin e çështjes pohoi se edhe ky moment do të shqyrtohet. I njëjti pohoi se provat më të shumta, për të ndërtuar ose jo akuza ndaj ish-ministrit Ylli Pango, gjenden në kasetat e sekuestruara, por se edhe për mënyrën e hyrjes së gazetares në shtëpinë e tij do të ketë një vendim që do të ndajë nëse pretendimi për “dhunim banese” qëndron ose jo. I njëjti zyrtar pohoi se Prokuroria do të ishte shumë transparente në publikimin e vendimeve të veta në lidhje me këtë hetim.
Instituti privat, Pango do të hetohet për korrupsion
Trazhgim Sokolaj
Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, i vendosur në qendër të akuzave për kërkim favoresh seksuale ndaj vajzave që kërkonin punë, do të hetohet edhe për veprime të mundshme korruptive me Institutin e Studimeve Psikologjike. Prokuroria e Përgjithshme, e cila është njohur me përmbajtjen e regjistrimeve filmike dhe zanore, ka veçuar disa nga episodet kryesore të takimeve, të cilat duhet të verifikohen me hollësi nëse përbëjnë vepër penale. Në mënyrë të ndarë nga pjesa e videove që po verifikohen në dritën e veprës penale “kryerje e marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 248 dhe 105 të Kodit Penal, Prokuroria po shqyrton pjesën e dialogut të ish-ministrit me vajzën që kërkonte punë, ku flitet për institutin privat të deputetit Ylli Pango. Në bisedën e dytë të transmetuar nga emisioni “Fiks Fare”, e cila në versionin e saj të plotë ndodhet në Prokurori, ish-ministri pohon se Institutin e Studimeve Psikologjike, me qendër në zonën e ish-bllokut e ka kaluar në emër të mbesës dhe se aty ai shfrytëzon edhe disa punonjës të Ministrisë së Kulturës. Një pohim i tillë, sipas Prokurorisë, përbën indice për të hetuar rreth veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, verifikimet e para në këtë drejtim do të përpiqen të konfirmojnë ndonjë shmangie detyrimesh, duke parë nëse Instituti është i regjistruar dhe i deklaruar në organet e tatim-taksave. Më pas Prokuroria tha se do të verifikojë edhe në zyrat e Institutit, por edhe në Ministrinë e Kulturës, për personat e dypunësuar dhe më pas do të shikojë nëse ka shkelje të ligjit.
Hetimi
Hetuesit thanë se do të verifikojnë konkretisht me çfarë kushtesh janë punësuar në ministri personat që përdoren edhe në institutin e drejtuar nga ish-ministri. Organi i akuzës tha se objekt i hetimeve do të jenë edhe projektet dhe financimet që ka përfituar instituti, me qëllim saktësimin nëse ish-ministri ka përdorur funksionin e tij për të përkrahur veprimtarinë dhe fitimet e institucionit privat. “Imazhet dhe regjistrimet filmike të transmetuara si dhe një pjesë e bisedave që nuk janë bërë publike, të cilat janë administruar në procedimin penal, përbëjnë indice për të hetuar më tej mundësinë e kryerjes së veprës penale të korrupsionit. Për këtë shkak është i nevojshëm verifikimi konkret i punësimit në Institut të zyrtarëve të ministrisë, koha e punës që ata kalojnë aty, pagesat, kontratat dhe angazhimi”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, krahas me hetimet për abuzime të mundshme përmes institutit, po kryhen verifikime për të zbardhur edhe episodet që hedhin dyshime për kërkimin e favoreve seksuale të ish-ministrit nga vajzat që janë takuar me Pangon për të kërkuar punë në dikasterin e drejtuar prej tij deri pak ditë më parë. Organi i akuzës ka parashikuar një ballafaqim mes vajzave dhe ish-ministrit për të zbardhur disa veprime të kryera, të cilat nuk janë të qarta nga regjistrimet video dhe audio, ndërsa është kërkuar edhe lista e tabulateve për zbardhjen e telefonatave dhe mesazheve mes ish-zyrtarit dhe aplikanteve për punë në Ministrinë e Kulturës.
Dialogu i ish-ministrit për Institutin
Ylli Pango - Po të flas troç fare, edhe një përgjues këtu (vendos dorën poshtë tavolinës), çfarë nuk kam dëgjuar, qoftë edhe për këtë. Kjo ishte arsyeja, domethënë.
Fiksi - Nuk besoj se po bëjmë një gjë që është jo zyrtare.
Ylli Pango - Absolutisht. Edhe atë detyrë që do të fillosh ti. Unë kam qëndruar me çdo njeri, është marrë, është interpretuar, është folur, të gjitha. Aty jam shumë i qetë, e kam pronën time private. Ne jemi njerëz në radhë të parë, kemi një minimum besimi gjithmonë.
Fiksi - E kuptoj.
Ylli Pango - Duhet të dish që, kontrata e parë që është bërë në këtë botë nuk është bërë me firmë dhe me vulë, por ka qenë një kontratë besimi, pastaj hynë vulat dhe firmat. Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit, plus meqenëse ministrat shkojnë dhe vijnë, konjukturat ndryshojnë, unë nuk kam ndërmend të ndryshoj, por për çdo rast lëviz andej, në ndonjë ministri tjetër, nesër, pasnesër, kuptohet pas zgjedhjeve, se në këto zgjedhje deri në shtator ne këtu jemi. Unë kam një institut dhe po të kishe ardhur do të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit dhe ky institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Evropian, UNDP-së dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz. Njëra prej këtyre që ka punuar në institut, unë e kam drejtoreshë këtu edhe e kam nga më të mirat, është S.K., është një që merret me …, një N.N.
Dhe ç’kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t’i kem dhe në ministri, t’i kem edhe në institut. Meqë unë jam në ministri quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq, prandaj doja të flisja në konfidencë.
Institutin ia kam kaluar mbesës sime që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë punojnë dhe marrin projekte. Duke u angazhuar edhe ti në këtë ekip, e para këtu e mbaje variantin, e dyta siguroje edhe një të ardhur tjetër atje që ishte goxha, ndërkohë që isha edhe unë në plotësim të stafit.
Fiksi - Ju kuptoj dhe ju falënderoj që më vlerësoni pa më njohur, më fusni te miqtë, te njerëzit e besuar.
Ylli Pango - Ka edhe njerëz që unë nisem me goxha paragjykim pozitiv dhe nuk dalin të tillë. Ti mund të jesh goxha e kapur, po të shikoj nga veshja, nga makina, nga të tëra, dukesh që i ke siguruar të tëra mjetet e tua.
Fiksi - Faleminderit, por m’i ka siguruar familja, nuk varet nga unë fare...
“Të gjithë meshkujt do të kishin vepruar si unë”
TIRANE -“Të gjithë meshkujt i kanë pikë të dobët femrat... por ajo që ndodhi me mua nuk do ndodhte vetëm nëse ka meshkuj që nuk janë meshkuj...”. Pak a shumë një gjykim të tillë dha Ylli Pango, ministri i shkarkuar për shkak të skandalit seksual, gjatë një interviste në kanalin televiziv “Neës 24”. I ftuar në emisionin e mbrëmjes “Studio 24”, të drejtuar nga gazetari Denis Minga, shpjegimet e Pangos u përqendruan sërish në momentet që i kushtuan atij karrierën si ministër. Për herë të dytë në një media televizive, Ylli Pango, që në fillim të intervistës lëshoi një sërë justifikimesh e akuzash për gjithçka që ndodhi. “Ndaj meje vazhdon një fushatë për të impresionuar imazhin, për të forcuar idenë e një ngjarjeje të tmerrshme. Por kurthi dështoi në zyrë. Në materialin e transmetuar ka pasur heqje, kombinime...”, ishte pak a shumë thelbi i shpjegimeve të Pangos.
Vetëm disa sekonda...
“E vërteta është se unë kam gabuar në pak sekonda dhe se u tërhoqa në kohë”, pohoi Pango për momentin kur tentoi të zhvishte rrobat e gazetares së maskuar si një vajzë që kërkonte të punësohej. Por sipas Pangos, një veprim të tillë do ta kishin bërë një pjesë dërrmuese e meshkujve. “Ndërsa unë u tërhoqa, nuk bëra akt agresiv. Vajza u trajtua shumë mirë prej meje, kur në raste të ngjashme, meshkujt do të kishin reaguar dhunshëm. Dihen raste të shumë grave dhe vajzave të rrahura. Vajza nuk mund të ankohet se unë i kam kërkuar ndonjë gjë...”, shpjegoi Pango. Më tej, objekt i bisedës u bënë çastet kur Pango dëgjohet t’i ketë kërkuar vajzës që të heqë xhupin. “Vajza hyri me xhup, por askush nuk e pa në video nga përpara, pasi ishte me veshje provokuese. Ndërsa xhupin kërkova të hiqej pasi ajo ishte nën kondicionerin. Dhoma ishte e ngrohtë dhe ajo e hoqi në mënyrë krejt të natyrshme. Në gjithë këtë histori ka vetëm një pjesë që s’duhet të ishte, disa sekonda...”, u mbrojt Pango. Po, sipas ish-ministrit, befasia atij i ka ardhur kur ka parë vajzën pa xhup. Kjo sepse, sipas tij, vajza që e kishte njohur më parë, kishte qenë me peshë më të madhe, pra ishte dobësuar dhe ndryshimi kishte qenë shumë mbresëlënës. Më tej Pango për herë të parë shpjegon që vajzën e njihte, por se gjatë atyre momenteve nuk i kujtohej saktësisht se si e kishte njohur më parë. “Mu shfaq një fytyrë e njohur”, tha Pango, për takimin e parë me gazetaren jashtë ministrisë.
Rekrutimet dhe fondet
Një pyetje tjetër me të cilën Pango u përball kishte të bënte me procedurat e punësimit në ministrinë që drejtonte. Ish-ministri shpjegoi se në Shqipëri është bërë traditë që emërimet bëhen me ndërhyrje të ministrit, pasi njerëzve të ndryshëm të njohur u bëhen ndere, jo vetëm nga ai. Më tej ai pohoi se lidhur me rekrutimet kishte qenë kundër stilit të vjetër burokratik dhe se kishte marrë shumë njerëz në punë, pasi më parë i kishte pritur në zyrë. Ndërsa pyetjes tjetër, që kishte për objekt fondet e Institutit të tij privat, të përmendura prej tij në incizim, që kapnin totalin 800 mijë euro, Pango i rrëshqiti. “Mund të kem marrë një shembull nga OJQ-të shqiptare, se ato kanë marrë fonde të mjaftueshme... Fondet në Institut janë përdorur për publikime, botimin e librave të shumtë etj”, shpjegoi Pango, duke shmangur shpjegime të hollësishme. Duke mbetur te librat, në fund të bisedës Pango, duke mbajtur qëndrim ndaj pasojave që po shkarkoheshin mbi të pas publikimit të videove të skandalit, ai tha se librat e tij nuk do të vdesin, sepse librat nuk vdesin, se ata janë lexuar nga mijëra njerëz, që i kanë vlerësuar.